Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për targat
23 Nëntor 2022"Kosova do t'u japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrim të makinave, kurse Serbia nuk do të lëshojë më targa makinash me emra të qyteteve të Kosovës” - njoftoi përmes Twitter-it kryediplomati evropian vetëm një orë para së të skadonte afati kur qeveria e Kosovës do të niste me shqiptimin e gjobave për shoferët serbë me targa ilegale.
Tani për tani akoma nuk dihen detaje të tjera të marrëveshjes, por sipas kryediplomatit evropian, "Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për masat që ndihmojnë në shmangie të tensioneve dhe për përqëndrim të plotë në propozimin për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve".
Dy kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë zhvilluan gjatë gjithë ditës së merkurë biseda në Bruksel me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Dy ditë më parë kryeministri Kurti dhe Presidenti Vuҫiq patën takim po në Bruksel me shefin e diplomacisë evropiane Josep Borrel, takim ky që rezultoi pa marrëveshje dhe përfundoi me tensione, ku Borrel akuzoi Kurtin, që i tha jo një propozimi të BE-së për targat.
Ndërkohë, zëvëndëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, që negocioi marrëveshjen për targat shkroi se "pas marrëveshjes së sotme, ne duhet të vazhdojmë bisedimet tona intensive për propozimin e BE-së, të mbështetur nga Gjermania dhe Franca, për normalizim të plotë të marrëdhënieve.”
Osmani falenderon SHBA-në
Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kurti shtyu për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS. Në reagimin e parë pas marrëveshjes për targat, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, një meritë të veҫantë për këtë marrëveshje ua dha Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
"Dua të falënderoj ambasadorin Jeff Hovenier dhe qeverinë e SHBA-së për angazhimin e tyre në arritjen e marrëveshjes së sotme në Bruksel. Mbështetja e tyre për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është e domosdoshme. Kosova u është mirënjohëse”, shkroi Osmani në Twitter.