1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova dhe Serbia pajtohen për të pagjeturit

18 Dhjetor 2024

Takimi trepalësh që u zhvillua në Bruksel nën ndërmjetësimin e Lajçakut mund të jetë i fundit. Por në Bruksel palët u dakorduan për të pagjeturit.

https://p.dw.com/p/4oHq5
Dialogu Kosovë Serbi - takimi Lajçakut me Bislimin dhe delegacionet e tyre
Dialogu Kosovë SerbiFotografi: Office of the EU emissary for Kosovo-Serbia dialogue Miroslav Lajcak

Përfaqësuesit e Kosovësdhe Serbisë u pajtuan në takimin trepalësh në Bruksel për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës. Takimi u ndërmjetësua nga i dërguari i Bashkimit Evropianpër dialogun Mirosllav Lajçak. Deklarata e përbashkët për personat e zhdukur është pjesë e marrëveshjes Kosovë-Serbisë të  arritur vitin e shkuar në Bruksel dhe në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

"Të dyja shtetet u dakorduan për komisionin e përbashkët për të zhdukurit. Jam i lumtur për dakordimin e palëve. Ky është një hap i rëndësishëm, ndërsa së shpejti do të organizohet mbledhja e parë e komisionit të përbashkët për të zhdukurit”, shkroi Lajçak në platformën X. Ai rikujtoi se "normalizimi i raporteve do të thotë integrim në BE dhe se s'ka shkëputje mes këtyre dy gjërave" për Kosovën dhe Serbinë.

Në maj të vitit të shkuar udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë nënshkruan një deklaratë të përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë nëpërmjet së cilës u zotuan për "zbatimin e plotë të detyrimeve për ndriçimin e fatit të rreth 1.600 personave”, për të cilët nuk dihet asgjë edhe 25 vjet pas luftës së fundit.

Takimi Lajçak - Bislimi, shtrëngojnë duart bashkë
Takimi Lajçak - BislimiFotografi: Office of the Kosovo Government

Palët do të bashkëpunojnë ngushtë

Në deklaratë thuhet se palët do të "bashkëpunojnë ngushtë në identifikimin e vendvarrezave dhe të angazhohen në gërmimin e tyre, të sigurojnë qasje të plotë në informata të besueshme e të sakta që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur gjatë periudhës kohore nga një janari i vitit 1998 deri më 31 dhjetor të vitit 2000”. Në deklaratë po ashtu thuhet se do të përdoren "të gjitha materialet, shkrimet, urdhërat, dokumentet, regjistrimet dhe çfarëdo lloj dokumenti tjetër, përfshirë edhe ato që cilësohen si të klasifikuara nga institucionet përkatëse të të dyja palëve”.

Kryenegociatori i Kosovës në dialog Besnik Bislimi, tha nga ana e tij se qysh muajin e ardhshëm do të mbahet mbledhja e parë e komisionit të përbashkët. "Ka premtime nga ana e Serbisë që nuk do të ketë tendencë që në të ardhmen të pengohet puna e këtij komisioni”, tha Bislimi duke shtuar se, "palët ishin pajtuar në dhjetor të vitit të shkuar me variantin përfundimtar të termave të referencës për aktivizimin e komisionit të përbashkët. Por ka pasur tendencë nga Serbia që të intervenojë në tekst dhe të futet një paragraf që pak a shumë rifuqizohet roli dhe prania e UNMIK-ut, por ne nuk kemi pranuar diçka të tillë”.

Bislimi dhe Petkoviq në një linjë

Kryenegociatori i Serbisë Petar Petkoviq tha se është ndërmarrë hapi i fundit i nevojshëm për çështjen e personave të zhdukur dhe se tani është hequr edhe pengesa e fundit sa i përket zbatimit të deklaratës për personat e zhdukur. "Kemi deklaratën, kemi rregulloren e punës dhe tani kemi rënë dakord për një komision të përbashkët që do të mbështesë grupin e punës, të cilin e kryeson Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq”, tha Petkoviq.

Peter Petkovic
Peter PetkovicFotografi: John Thys/AFP/Getty Images

Ky takim është mbase edhe i funditi i kryesuar nga Lajçaku, por në këtë takim janë trajtuar edhe tema të tjera. Bislimi tha se me Lajçakun diskutoi edhe marrëveshjen për energjinë, duke shtuar se ai i ka nënvizuar "shkeljet” që i ka bërë Serbia marrëveshjes së telekomit, e "sidomos duke mos aktivizuar linjat e interkoneksionit”. Ndërkaq, Petar Petkoviq tha se "është diskutuar edhe për menaxhimin e integruar të kufijve, për çertifikatat veterinare dhe është kërkuar edhe hapja e vendkalimeve të tjera për mallrat serbe”.

Takimi i fundit në dialog me Lajçakun

Takimi trepalësh që u zhvillua në Bruksel mund të jetë edhe i fundit për ndërmjetësuesin e BE-së Mirosllav  Lajçak, të cilit do t'i përfundojë mandati në fund të janarit të vitit të ardhshëm. Shefja e re Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, në bashkëpunim me vendet anëtare, do të vendosë lidhur me vazhdimin e dialogut, përfshirë edhe çështjen e emërimit të një ndërmjetësuesit të ri. Takimet në Bruksel ndërmjet kryengociatorëve janë pjesë e përpjekjeve evropiane për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në një tekst që miratuan të martën në Bruksel mbi procesin e zgjerimit, ju bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që, "pa vonesa dhe pa parakushte të zbatojnë marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”. Ata nënvizuan se "ky është kusht për përparimin e tyre në procesin e integrimit në BE.

Miroslav Lajçak
Miroslav LajçakFotografi: Darko Vojinovic/AP Photo/picture-alliance

"Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë përpjekje të qëndrueshme për depërshkallëzim, të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe provokuese që mund të çojnë në tensione dhe dhunë si dhe të shmangin retorikën përçarëse”, thuhet në deklaratën e ministrave.

"Normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i angazhimeve të palëve në dialog janë thelbësore në rrugën evropiane të të dyja vendeve dhe se mungesa e përparimit rrezikon të dyja vendet të humbasin këtë mundësi", thuhet në dokument. Nga Kosova në këtë dokument kërkohet që të nisë pa vonesa themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërkaq nga Serbia që të njoh dokumentet dhe simbolet e Kosovës.