1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova shpall Ditën Përkujtimore të Gjenocidit në Srebrenicë

11 Korrik 2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vendimin e qeverisë së tij për këtë ditë përkujtimore e cilësoi si “një veprim fisnik dhe i duhur në emër të Kosovës”.

https://p.dw.com/p/4i9SJ
Kosova shpall 11 Korrikun si Ditën Përkujtimore të Gjenocidit në Srebrenicë - qeveria duke mbajtur 1 minutë heshtje
Kosova shpall 11 Korrikun si Ditën Përkujtimore të Gjenocidit në Srebrenicë - 1 minutë heshtjeFotografi: Office of the Kosovo government

Qeveria e Kosovës në një mbledhje të saj e shpalli 11 Korrikun Ditë Përkujtimore të Gjenocidit në Srebrenicë të Bosnje e Hercegovinës, bazuar në rezolutën tashmë të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, OKB. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vendimin e qeverisë së tij për këtë ditë përkujtimore e cilësoi si "një veprim fisnik dhe i duhur në emër të Kosovës”. "Është veprim i universales sonë njerëzore dhe i dëshirës sonë për paqe, që të mos harrohet e të mos përsëritet më gjenocidi, as në Bosnje, e as në Kosovë dhe askund tjetër në rajonin tonë dhe në botë”, tha kryeministri Kurti.

Masakra e Srebrenicës në Bosnje dhe Hercegovinë është cilësuar si më e rënda në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore. Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, e cila vjen nga komuniteti boshnjak i Kosovës tha se, "le të jetë kjo ditë një kujtesë e përhershme e vuajtjes dhe pikëllimit tonë të përbashkët, forcës sonë për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur dhe përkushtimit tonë për ruajtjen e së vërtetës, paqes, drejtësisë dhe të drejtave të njeriut”.

Kryeministri i Kosovës, Kurti duke ngritur dorën
Fotografi: Office of the Kosovo government

Ndërkohë, ministri serb në qeverinë e Kosovës Nenad Rashiq, që e mbështeti vendimin, tha se "është e rëndësishme të thuhet se kriminelët dhe gjenocidi kanë emrat dhe mbiemrat e tyre dhe nuk duhet të përgjithësohen për një popull të caktuar, ose një vend të caktuar, por mbi autorët individualë që e bënë këtë, duke mos menduar as për viktimat dhe as për njerëzit e tyre”.

Pas vendimit të qeverisë që e shpalli 11 korrikun edhe në Kosovë, Ditë Përkujtimore të Gjenocidit në Srebrenicë të Bosnje e Hercegovinës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shkroi në një reagim të saj, se "Srebrenica nuk është vetëm një vend në hartë, por një simbol i nevojës së vazhdueshme për drejtësi, rëndësisë së të vërtetës dhe fuqisë së kujtimit”. "Tmerret e atij kapitulli të errët, kur mbi 8 mijë djem e burra boshnjakë u vranë brutalisht nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit, janë kujtesë e mizorisë njerëzore. Sot, në Ditën Memoriale në shenjë të përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë, nderojmë kujtimin e jetëve të pafajshme të humbura dhe ripërsërisim se paqja e qëndrueshme është e mundur vetëm atëherë kur ka drejtësi për viktimat”, shkroi Osmani.

Në maj të këtij viti, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli 11 Korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Në Srebrenicë dhe zonat përreth, forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8.300 boshnjakë në korrik të vitit 1995. Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë lëshoi një vendim që thotë se Ushtria e Republikës Sërpska kreu gjenocid në Srebrenicë në korrik të vitit 1995. Atëbotë, Srebrenica ishte zonë e mbrojtur e OKB-së.

 

 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë