Kosova vendos reciprocitet për targat me Serbinë
20 Shtator 2021Policia e Kosovës nga sot nuk po lejon që veturat me targa të Serbisë të hyjnë në territorin e Kosovës. Në këtë mënyrë, qeveria e Kosovës vendosi reciprocitet në targa të automjeteve me Serbinë. Deri tash, Serbia nuk ka lejuar veturat me targa të Kosovës të hyjnë në Serbi, por u ka vendosur targa të përkohshme. Të njëjtën gjë po e bën nga sot edhe Kosova, ku autoritetet në Kosovë po vendosin në veturat me targa të qyteteve të Serbisë, regjistrime të përkohshme për qarkullim brenda në Kosovë.
Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë. Vendosja e reciprocitet në targa të veturave me Serbinë, nxiti tensione në veri të Kosovës, përkatësisht në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak, ku qindra qytetarë serbë bllokuan rrugët. Forca të shumta policore të Kosovës u dislokuan në veri dhe zhbllokuan rrugët. Nuk njoftohet për ndonjë incident.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se "veprimet e ndërmarra sot nuk kanë për qëllim të cënojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve serbë apo të provokojnë ndonjë destabilizim”.
"Si kryeministër ju siguroj se veprimet e ndërmarra sot nga organet kompetente për zbatimin e kësaj nuk janë drejtuar kundër qytetarëve serbë, nuk kanë për qëllim të cënojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve serbë apo të provokojnë çfarëdo destabilizimi. Pres nga të gjithë ta kuptojnë drejt se sot nuk po ndodh asgjë e jashtëligjshme, sot po fillon zbatimi i një marrëveshjeje me të cilën është pajtuar edhe Serbia”, tha Kurti në një seancë të parlamentit.
Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme i qeverisë së Kosovës, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se shtimi i forcave policore në veri të vendit, është në kuadër të zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë - konkretisht targave të automjeteve.
"Me këtë rast, MPB, me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve edhe pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit të vitit 2014, ka nxjerrë vendim që aranzhon dhe obligon pajisjen me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Dhe njëkohësisht ka ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme për të reduktuar në maksimum pritjet në pikat kufitare”, shkroi ministri Sveçla. Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, nga ana e tij, njoftoi se për nesër ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të diskutuar rreth situatës së krijuar të vendosjes së reciprocitetit.
Lista Srpska: Provokime të Prishtinës
Edhe zyrtarë nga lista "Srpska”, që është pjesë e institucioneve të Kosovës reaguan për vendosjen e reciprocitetit në targa me Serbinë. Igor Simiç nga Lista Serbe u ka bërë thirrje bashkëqytetarëve të tij që të mos bien pre e, siç thotë, "provokimeve të Prishtinës'.
"Ne u bëjmë thirrje qytetarëve tanë të jenë të përmbajtur dhe të mos bien pre e provokimeve, sepse ky është një provokim i Prishtinës, ne supozojmë se serbët do të kufizoheshin në lirinë e tyre të lëvizjes duke ia konfiskuar targat nga Serbia", deklaroi Simiq.
Kosova kishte paralajmëruar e vendosjen e masës së reciprocitetit për targat, gjatë raundit të fundit të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi që udhëheq delegacionin e Kosovës në Bruksel, kishte thënë se marrëveshja për targat skadon më 15 shtator dhe se Kosova nuk do ta respektojë atë njëanshëm. Çështja e targave të veturave ishte e rregulluar Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, të arritur në korrik të vitit 2011, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.