1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Dërgohet në Gjykatën Kushtetuese ligji për mediat

21 Gusht 2024

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese komentet kundër Ligjit për Komisionin e Pavarur për Media. Sipas AGK-së ky ligj është “antikushtetues” dhe kundër lirisë së medias.

https://p.dw.com/p/4jitj
Presidenti i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha dhe juristja e mediave, Flutura Kusari duke fokur para mikrofonëve
Presidenti i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha dhe juristja e mediave, Flutura Kusari Fotografi: Association of Journalists of Kosovo

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dërgoi në Gjykatën Kushtetuese komentet lidhur me ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) që u miratua muajin e kaluar në Kuvendin e Kosovës. Ky ligj u kundërshtua ashpër nga shoqata të gazetarëve, partive opozitare, por edhe nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada Gjermane. Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, menjëherë pas miratimit të tij nga shumica parlamentare e dërguan në Gjykatën Kushtetuese dy parti parlamentare opozitare. Ligji ndër të tjera parashikon licencimin e medieve online, monitorimin e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro, nëse ato nuk i përmbahen këtij ligji.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon ligj të ri

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, shpreson që Gjykata Kushtetuese ta rrëzojë ligjin dhe të mundësohet hartimi i një ligji të ri, i cili do të trajtonte shqetësimet e tyre. Shoqatat e gazetarëve janë të shqetësuara, se me këtë ligj qeveria  synon kontrollin e medieve në Kosovë. "Ne besojmë se edhe komentet tona por edhe të palëve të tjera që kanë dërguar ligjin në Gjykatën Kushtetuese do ta bindin, shpresojmë, gjykatën se ligji është anti-kushtetues dhe do të shfuqizohet në tërësi, pasi vet inicimi i tij, mënyra se si është hartuar, mënyra se çka përmban janë në kundërshtim me frymën e kushtetutës dhe në kundërshtim me lirinë universale të medias. Është shpresa jonë pra se do të ketë reflektim të Gjykatës Kushtetuese në këtë rast dhe se ligji nuk do të hyjë në fuqi”, tha kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha.

Kosovo Medien Association of Journalists of Kosovo
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dërgoi në Gjykatën Kushtetuese ligjin për Komisionin e Pavarur të MediaveFotografi: Association of Journalists of Kosovo

BE: Ligji nuk i adresoi shqetësimet e ngritura

Përfaqësues të qeverisë së Kosovës këmbëngulin, se ligji nuk cenon pavarësinë e medieve dhe është hartuar në frymën e udhëzimeve të Bashkimit Evropian. Por ishte vetë kreu i misionit të BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili pas miratimit të ligjit në parlament, shprehu keqardhje që Kuvendi e miratoi ligjin siç tha "pa i adresuar shqetësimet", dhe sipas tij, "projektligji nuk u rreshtua përkrah standardeve të BE-së”.

"Kuvendi i Kosovës e humbi një mundësi të mirë për t'i pasur dy ligje të mira, Ligjin për Komisionin e Pavarur të Medieve, pasi dështoi t'i fusë plotësisht të gjitha rekomandimet e BE-së dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare", tha Szunyog. Sipas tij, "në fund të fundit, ligjet e mira nuk kanë të bëjnë vetëm me rrugën e Kosovës drejt BE-së. Ato kanë të bëjnë me sigurimin e sundimit të ligjit, drejtësisë dhe mbrojtjes së qytetarëve. Na vjen keq që Kuvendi nuk arriti t'i trajtojë këto shqetësime kryesore”.

Edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Jörn Rohde, u shpreh i shqetësuar me miratimin e ligjit  dhe tha se "Kosova i shpërfilli qëndrimet e BE-së, Këshillit të Evropës dhe OSBE-së për këtë ligj”. "Kosovarët duan të jenë pjesë e familjes evropiane dhe, nëse Qeveria e Kosovës dëshiron ta përshpejtojë rrugën e saj drejt BE-së, atëherë, çdo ligj i ri duhet të jetë plotësisht në përputhje me standardet evropiane”, shkroi ambasadori Rohde.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn RohdeFotografi: Office of the Kosovo Prime Minister

Pas dërgimit në Gjykatën Kushtetuese të komenteve nga AGK lidhur me ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, juristja e mediave, Flutura Kusari, tha se ligji bie ndesh me Kushtetutën në disa nene që kanë të bëjnë me rregullimin e funksionimit të komisionit, me parimin e barazisë gjinore, lirinë e medias dhe me pavarësinë e Komisionit të Pavarur për Media. "Ne kemi argumentuar që disa prej neneve duhet të shfuqizohen, mirëpo, po ashtu nëse këto nene shfuqizohen, ligji nuk mund të mbijetojë për shkak se bëhet i pazbatueshëm në praktikë, prandaj shpresojmë që ligji do të shfuqizohet në tërësi”, tha Kusari. Sipas saj, "ky rast gjyqësor për ne është një ngjarje historike për shkak se është hera e parë që Gjykata Kushtetuese merret me një rast që ka të bëjë me lirinë e medias dhe aktgjykimi që do të merret tani do t'i paraprijë me dekada të tëra praktikave që Gjykata do të ndërtojë sa i përket lirisë së mediave”, tha Flutura Kusari.

Miratimi i ligjit për median në Kosovë u bë pavarësisht kundërshtimeve

Me 11 korrik deputetët e shumicës parlamentare që udhëhiqen nga Vetëvendosja e kryeministrit Kurti,  mes kundërshtimeve të ashpra të opozitës, miratuan ligjin për Komisionin e Pavarur të Medieve, i cili ndër të tjera parasheh licencimin e medieve online, monitorimin e tyre nga KPM dhe dënime me gjoba të rënda për mediat që kryejnë shkelje ligjore. Media online në Kosovë aktualisht vetërregullohet nëpërmjet Këshillit të Mediave të Shkruara duke u mbështetur në Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës. Sipas  ligjit të ri, mediet që funksionojnë si organizata joqeveritare do të duhen të hapin kompani dhe t'i plotësojnë kushtet e licencimit nga KPM-ja. Sipas ligjit, mediet online do t'i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me vlerë në deri 40.000 euro për shkeljet eventuale siç janë: mosrespektimi i ligjit, mosdorëzimi i raportit vjetor te KPM-ja brenda afatit, mosruajtja e arkivit të transmetimeve, mosrespektimi i kohës së përcaktuar për transmetim, si dhe për disa raste të tjera.

Komisioni i Pavarur i Mediave KPM është themeluar në vitin 2005 dhe është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.