Kriza e bursave dhe Evropa
23 Janar 2008Dje(22.01) presidenti i Bankës së SHBA, Ben Bërnenk (Bernanke) shpalli papritur një ulje prej 0,75 përqind të interesave bankare. Më me qetësi reagojnë ministrat evropianë të financave.
Nuk ka arsye për panik! Veproni me qetësi!
Në përputhje me këtë devizë qenë deklaratat e ministrave të financave të BE për turbullirat e bursës. Zhan Klod Junker është kryetar i 15 vendeve që e kanë EURO-n monedhë kombëtare. Ai tha se nuk pret një kolaps global të bursës. Në të përpjetat dhe të tatëpjetat e bursave bëhet fjalë për fenomene iracionale. Bazat e rritjes ekonomike në Evropë janë stabile. Megjithatë në SHBA nuk mund të përjashtohet më një recesion. Komisari i BE për Monedhën dhe Ekonominë, Joakuin Almunia i kërkoi qeverisë së SHBA që të pakësojë deficitin e saj buxhetor, i cili mban një masë të konsiderueshme faji për gjendjen financiare.
BE nuk duhet të ndërhyjë drejtpërdrejt
Ajo do t'i vazhdojë reformat dhe politikën e tij strikte të buxhetit, tha Almunia: "Ne kemi një sërë instrumentash që kemi përdorur dhe që do t'i përdorim në të ardhmen. Nuk mund të thuash që ne nuk reagojmë, vetëm se nuk e teprojmë me reagime, për shkak të tri ditëve të paqeta në bursa dhe tregje financiare".
Një program konjukturor, siç u vendos në SHBA tani për 145 miliardë dollarë, këtë Zhan Klod Junkeri, shef i Eurogrup-it, e refuzoi: "Pyetjes suaj konkrete, nëse ne po mendojmë për ndonjë program konjukturor evropian, unë mund t'i përgjigjem thjesht me "jo", sepse ne besojmë se zhvillimi ekonomik në Evropë është shumë më i mirë se në SHBA dhe se në Evropë nuk do të paraqitet një nevojë e tillë si ajo që paraqitet aktualisht në SHBA."
Për konsumatorët në Evropë nuk ka asnjë shkas për të humbur optimizmin
Situata ekonomike në BE është krejtësisht e ndryshme nga ajo në SHBA. Një recesion i mundshëm do të linte gjurmë të lehta frenimi në Evropë. Rritja ekonomike do të jetë më pak se 2 përqind, parashikojnë ministrat e financave të zonës së Euros.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha në një intervistë radiofonike se ajo do ta vëzhgojë zhvillimin me kolegët e saj nga vendet e mëdha të BE dhe do të kërkojë transparencë në tregjet financiare. Ajo do të kujdeset që sipërmarrjet të marrine edhe më tej kredi që u nevojiten.