Kroacia me president të ri - Josipoviq fiton balotazhin presidencial
10 Janar 2010Në bazë të rezultateteve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, socialdemokrati Josipoviq ka fituar 60,29% të votave. Po sipas KQZ-së për kryebashkiakun e Zagrebit Bandiq kanë votuar rreth 39,71% e elektoratit. Presidenti në largim nga posti Stipe Mesiq, sipas kushtetutës nuk mund të kanditonte për një mandat të tretë
Socialdemokrati në opozitë Ivo Josipoviq ishte favoriti kryesor në balotazh kundrejt Milan Bandiq, prej shumë vjetësh kryebashkiak në kryeqytet. Josipoviq përfaqëson spektrin e majtë politik, ndërsa Bandiq mbështetet nga kisha e fuqishme katolike dhe nga kampi konservator nacionalist. Interesi i 4,5 milionë qytetarëve me të drejtë vote në raundin e parë ishte i pakët. Në balotazh iu përgjigjën thirrjes për votë vetëm rreth 50,28 % e zgjedhësve, njoftoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Josipoviq fitoi qartë votimin në raundin e parë kundrejt rivalit Bandiq, ndërsa përfaqësuesi i partisë HDZ në pushtet, Andrija Hebrang, si kandidati i tretë u skualifikua.
Josipoviq do të luftojë korrupsionin galopant në vend. Ai do t' u kundërvihet ndërmarrjeve të dyshimta, të cilat gjatë luftës (1991-1995) përmes bizneseve të vrullshme në vendin e varfër u pasuruan në mënyrë të paimagjinueshme. Bandiq do të krijojë një lëvizje masive pa parti nën udhëheqjen e tij. Ai do në radhë të parë të mbështesë kroatët nacionalistë në diasporë në Bosnje-Hercegovinën fqinjë, të cilët gjithashtu lejohen të votojnë.
Grupi privat kroat i monitorimit të zgjedhjeve, GONG e vlerësoi rjedhën e votimeve të qetë dhe pa incidente. Megjithatë ka pasur një sërë ankesash. Kisha katolike u ka shpërndarë vizitorëve të meshës së të dielës fletushka me rekomandim për zgjedhjet. Edhe priftërinjtë kanë bërë fushatë për njërin prej kandidatëve.
dpa/dw-nr/vfb