1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryeministri francez Attal viziton Berlinin në kohë tensioni

Andreas Noll
5 Shkurt 2024

Në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit si kryeministër i ri francez, Gabriel Attal viziton kancelarin gjerman, Olaf Scholz, në Berlin. Bisedimet do të fokusohen në më shumë sesa vetëm marrëdhënien gjermano-franceze.

https://p.dw.com/p/4c3m8
Frankreich | Premier Minister Gabriel Attal Pressekonferenz Paris
Fotografi: JULIEN DE ROSA/AFP/Getty Images

Gjatë vizitës së fundit të Gabriel Attalit në Gjermani, dhjetorin e kaluar, ai ishte tashmë në qendër të vëmendjes. Në cilësinë e ministrit francez të Arsimit, ai foli para delegatëve të Asamblesë Parlamentare Franko-Gjermane, në ish-sallën plenare të Parlamentit gjerman në Bonn, ku mbajtën fjalime dikur kancelarë si Helmut Kohli dhe Gerhard Schröderi.

34-vjeçari, i quajtur kryeministri më i ri në historinë franceze, shprehu në fillim të janarit shqetësimin për rënien e interesit të Francës dhe Gjermanisë për të mësuar gjuhët e njëra-tjetrës. Ai vuri në dukje se kjo mbeti një çështje më shumë se pesë vjet pasi të dyja vendet nënshkruan Traktatin e Ahenit, që synon nxitjen e bashkëpunimit dhe integrimit.

"Situata nuk është e mirë. Është shqetësuese," pranoi Attali, duke iu referuar rënies dramatike të studentëve gjermanë në shkollat franceze. Në shkollën e mesme, numri i nxënësve që mësojnë gjermanisht ka shkuar nga 15.7% në 13.5% në tre vitet e fundit, një tendencë në rënie që duket se do të vazhdojë.

"Ka mungesë dinamizmi”, thotë Attal. "Nuk kemi kandidatë të mjaftueshëm për të plotësuar vendet e lira të mësuesve të gjermanishtes. Planet për të ardhmen e mësimdhënies gjermane në Francë janë modeste: sipas Attalit, numri i studentëve gjermanë pritet të rritet vetëm me 10% nga tani deri në vitin 2030.

Edhe pse Attali e mbajti fjalimin e tij në frëngjisht, ai përfitoi nga mësimi i shkëlqyer i gjuhës gjermane gjatë viteve të shkollës.

Arsimin e mesëm e kreu në Ecole Alsacienne, një shkollë private në rrethin e 6-të të Parisit. Kjo shkollë e njohur u themelua në vitin 1874 nga ish-banorë të rajonit të Alzasës, të cilët mbërritën në Paris pasi atdheu i tyre u aneksua nga Gjermania tre vjet më parë. Alzasa, tani sërish pjesë e Francës, kufizohet drejtpërdrejt me Gjermaninë jugore.

"Të mësosh kulturën dhe gjuhën e fqinjit tonë është një prioritet dhe sfida jonë më e madhe," deklaroi Attali në dhjetor.

Gabriel Attal flet në Bonn
Gabriel Attal flet në BonnFotografi: Werner Schüring/DBT

Si kryeministër i ri i Francës, Attali e ka mbushur kabinetin e tij me persona që kanë njohuri të kulturës dhe gjuhës gjermane. Bruno Le Maire, Ministër i Financave, Ekonomisë dhe tani edhe Energjetikës, flet rrjedhshëm gjermanisht.

Portofoli i ri i Le Maire-t është i rëndësishëm: që kur Gjermania braktisi energjinë bërthamore vitin e kaluar, kjo çështjë ka qenë një burim i përhershëm konflikti midis dy vendeve.

Ukraina dhe protestat e fermerëve, tema të mundshme debati në Berlin

Megjithatë, takimi i Attalit me kancelarin gjerman Olaf Scholz të hënën pasdite ka të ngjarë të dominohet nga çështje më të ngutshme. Bisedimet do të përqendrohen në "çështjet dypalëshe, evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe politikat ekonomike", tha të premten zëdhënësi i kancelarit.

Megjithëse për politikën e jashtme është përgjegjës presidenti francez Emmanuel Macron, Scholz dhe Attal pritet gjithashtu të diskutojnë thirrjen e kancelarit për mbështetje më të madhe ushtarake franceze për Ukrainën.

Një tjetër pikë e mundshme e rendit të ditës: e ardhmja e marrëveshjes së tregtisë së lirë midis Bashkimit Evropian dhe grupit tregtar Mercosur të Amerikës së Jugut.

Marrëveshja ishte planifikuar të nënshkruhej fundjavën e kaluar, por qeveria franceze e ka ndaluar atë pas protestave masive të fermerëve, të cilat kanë përfshirë Francën dhe Gjermaninë javët e fundit.

Fermerët e zemëruardhe protestat e tyre rrugore që tërheqin vëmendjen kanë bërë presion të madh mbi qeverinë e Attalit. Franca është përpjekur të qetësojë fermerët me premtime të reja, duke përfshirë njoftimin e Attalit të enjten për 150 milionë euro (162 milionë dollarë) ndihmë për fermerët dhe një premtim për "më shumë sovranitet".

Fermerët janë veçanërisht të shqetësuar për të ardhurat e tyre, nëse marrëveshja hyn në fuqi. Sipas llogaritjeve të BE-së, importet e shpendëve, viçit dhe derrit nga Amerika e Jugut pritet të rriten ndjeshëm pasi marrëveshja të hyjë në fuqi.

"Në parim, unë nuk jam kundër marrëveshjeve të tregtisë së lirë”, tha Macroni së fundmi. "Por ne nuk mund të presim që prodhuesit evropianë të respektojnë gjithnjë e më shumë standarde dhe, në të njëjtën kohë, të negociojmë marrëveshje të tregtisë së lirë, siç kemi bërë në vitet 1990”.