Kthesa e Bankës Qendrore Amerikane në të mirë të eurozonës
20 Dhjetor 2013Një korrigjim i vogël kursi, por ende jo riorientim: Banka Qendrore Amerikane, Federal Reserve, do të reduktojë blerjet e obligacioneve duke filluar nga viti i ardhshëm. Deri tani kjo bankë e mbështeti ekonominë amerikane me blerje mujore të obligacioneve afatgjata të qeverisë dhe letrave me vlerë pasurish të patundshme që shkonin në 85 miliardë dollarë. Që nga janari do të blihen vetëm letra për 75 miliardë dollarë. Janet Yellen, e cila merr përsipër drejtimin e Fed-it në muajin shkurt e mbështe këtë vendim dhe do të vazhdojë vijën që po ndiqet, theksoi presidenti i kësaj banke Ben Bernanke, i cili po largohet nga detyra.
Rikuperimi i lehtë për ekonominë amerikane
Blerja e bonove ishte pjesë e një pakete të gjerë stabilizimi e cila u krijua pasi plasi flluska e pasurive të patundshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rënies në sektorin financiar ndërkombëtar në vitin 2008. Që atëherë, Fed e ka nxitur performancën e ekonomisë amerikane me rreth tre trilion dollarë. Disa analistë e vlerësojnë uljen e blerjes së obligacioneve, si një shenjë që ekonomia amerikane sërish është çlodhur. "Fed tregon se ekonomia amerikane është mjaft e fortë," thotë ekonomisti Holger Schmieding në bisedë DW. "Më e keqja e krizës financiare ka kohqë që është kaluar. Vendimi është një votë besimi në fuqinë e konjunkturës."
Po ashtu edhe niveli i papunësisë në SHBA ka rënë me shtatë përqind dhe është më i ulti gjatë pesë viteve të fundit.
Më pak bono, normë e njëjtë e interesit
Shefi i Fed-it deklaroi edhe se norma e interesit së kësaj banke deri në vitin 2015 do të vazhdojë të jetë në nivelin e saj historikisht më të ulët prej 0.25%. Nisur nga kjo analisti finaciar Christoph Zwermann mendon se nuk mund të flitet për një përparim të vërtetë, sepse ndryshe do të ndërmerreshim masa më të vendosura.
Reduktimi i shitjeve të obligacioneve mund të prapësohet në çdo kohë dhe madje edhe të rritet. "Vendimi i FED-it është një përpjekje, por në asnjë mënyrë një ndryshim në politikën e normave të interesit."
Zhvlerësimi i euros?
Analistët janë në një mendje se reduktimi i blerjeve të obligacioneve nga Fed është pozitiv për eurozonën dhe ekonominë botërore. Një vështrim në tregjet financiare ndërkombëtare tregon se euroja "vazhdon të jetë e fortë" thotë Schmieding. Ai thotë se politika monetare në SHBA përshtatet me ngadalë dhe jo në formë shoku p.sh. me ngritjen e përqindjeve dhe nuk do të krijojë trazira në tregje.
Christian Zwermann mendon "se ajo që do ta dëmtonte vërtet euron do të ishte një ulje e mëtejshme e normës së interesit nga BQE-ja". Masat e Bankës Qendrore Amerikane mund të çojnë në një çlodhje të dollarit dhe kursi i këmbimit do të jetë rreth një euro me rreth 1,35 dollarë.
Optimizëm për 2014
Forcimi i koniunkturës në SHBA, Gjermani apo Britaninë e Madhe mund t'u vijë në ndihmë edhe vendeve të tjera për të rritur eksportet, mendon Schmieding. Në pragë të vitit 2014 ai është optimist se në shumë pjesë të botës do të ketë rritje të mirë ekonomike prej mbi 3%, për SHBA ai prognostikon një rritje prej 2,7% kurse për Gjermaninë të paktën 2.1 përqind.