1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

040311 Diktator Schweiz Banken

9 Mars 2011

Bllokimi i parave të diktatorëve zgjon shpresa në vendet, që prej dekadash janë shfrytëzuar prej diktatortëve dhe klaneve të tyre. Si qëndron puna me llogaritë e diktatorëve dhe kuadrin ligjor në Zvicër?

https://p.dw.com/p/10Vtp
Fotografi: picture-alliance / ZB / DW-Montage

Një diktaturë pas tjetrës po rrëzohet dhe sikur zviceranët ta kishin parashikuar: Në Zvicër hyri në fuqi në kohë, pikërisht më 1 shkurt, një ligj i ri. Ai mbyll një zbrazëtirë në procedurën e kthimit të të ashtuquajturave para të diktatorëve. Siç e thotë edhe emri, Lex Duvalier është përgatitur për rastin e Haitit dhe për paratë e ish-diktatorit Jean-Claude Duvalier. Haiti përpiqet prej 1986-ës që të marrë paratë e sjella në Zvicër.

Ku qëndron problemi?

Haiti ishte në luftë civile dhe për arsye të trazirave politike nuk ishte në gjendje ta nxirrte Duvalier-në para gjyqit. Por në Zvicër dorëzimi i parave të Duvalier-së kushtëzohej nga një proces gjyqësor i rregullt në Haiti. Pikërisht për të zgjidhur këtë kundërthënie u miratua Ligji Duvalier, thotë Valentin Zellweger i ministrisë së jashtme të Zvicrës. "Qeveria zvicerane tha: Nuk bën, që ata persona, që janë përgjegjës për rrënimin e shteteve të tyre, për shembull në rastin e Mobutus ose edhe të zotit Duvalier në rastin e Haitit edhe të përfitojnë në fund prej rrënimit të institucioneve, sepse paratë duhet t'u mbeten atyre, meqenëse nuk mund t'u kthehen shteteve të prekura. Për këto raste e miratoi qeveria zvicerane tani këtë ligj, i cili lejon, që në këto raste Zvicra të jetë në gjendje ta zhvillojë edhe vetë procesin, pa ndihmën e shtetit të prekur, i cili nuk është në gjendje ta bëjë një gjë të tillë."

Dhe e habitshmja është: Megjithëse ligji është përgatitur për rastin e Haitit, pra të një të ashtuquajturi „failed state“ (shtet i dështuar), zviceranët vazhdojnë të kërkojnë një lutje për ndihmë juridike nga vendi përkatës. Por si të kërkojë një shtet i dështuar, pa sistem juridik funksionues, ndihmë juridike, pyet Mark Herkenrath i organizatës joqeveritare Alliance Sud: "Nuk ka asnjë mundësi, që organizatat joqeveritare të kërkojnë për shembull prej Këshillit Federal që jo vetëm të bllokojë para, po edhe t'i ngrijë shumat për kohë të gjatë dhe t'i kthejë ato. Për këtë nevojitet një kërkesë e shtetit, që është i prekur. Kur bëhet fjalë vërtet për një shtet të dështuar, i cili nuk ka struktura funksionuese, atëherë natyrisht ekziston rreziku, që të mos ketë kërkesë të tillë për ndihmë juridike."

Bankenviertel in Zürich
Kuartieri i bankave në ZyrihFotografi: AP

Lex Duvalier nuk zbatohet për Tunizinë dhe Egjiptin

Një risi pozitive e ligjit është për Mark Herkenrathin kjo: Diktatori duhet të dëshmojë tani, që paratë e grumbulluara në Zvicër, i ka fituar në rrugë të rregullt. Më parë sjellja e tij kriminale duhet të dëshmohej në një proces penal. Megjithartë Herkenrath kritikon faktin, që ligji i ri parashikon edhe një lloj zgjidhjeje në tryezën e rrumbullakët. Kjo do të thotë, diktatori dhe Zvicra mund të takoheshin në tryezën e negociatave. Ideja e ligjvënësit ishte, që me këtë zgjidhje me negociata të shkurtoheshin proceset gjyqësore.

Sidoqoftë, për rastet e Tunizisë dhe të Egjiptit Ligji Duvalier nuk zbatohet. Tunizia dhe Egjipti nuk konsiderohen shtete të dështuara. Egjipti i ka drejtuar ndërkohë Zvicrës një kërkesë për ndihmë juridike. Aktualisht ajo po shqyrtohet.

Në rastin e Libisë Zvicra u vu në lëvizje edhe pa kërkesën për ndihmë juridike. Ajo bllokoi para për të shmangur zbrazjen e llogarive nga Gadafi. Në fund të çdo procedure gjyqësore, qoftë në rastin e një shteti të dështuar dhe të Ligjit Duvalier, apo në rastin e një shteti si Egjipti ose Tunizia, vendosin gjykatësit zviceranë, se kujt i jepen paratë. Ish-diktatorit apo vendit të tij.

Autor: P. Lechler /E.Ajazaj

Redaktoi: V.Filaj-Ballvora