Kufizimet vetëm për të pavaksinuarit?
15 Nëntor 2021Për shkak të numrit të lartë të infeksioneve me virusin Corona, në Gjermani po shqyrtohet mundësia e kufizimeve vetëm për personat e pavaksinuar. Kufizimet e kontakteve për njerëzit, që nuk janë vaksinuar janë "absolutisht të nevojshme", tha zëvendësshefi i grupit parlamentar të Të Gjelbërve në Bundestag, Oliver Krischer për televizionin ZDF. Pjesa e vaksinuar e popullsisë duhet të vazhdojë të jetë në gjendje të marrë pjesë në jetën publike. "Aty ku është e nevojshme”, masat ndaj qytetarëve të pavaksinuar janë të përshtatshme. Kjo do të vendoset në nivelin rajonal, në varësi të gjendjes me infektimet.
Propozimet ligjore
Partitë e koalicionit të mundshëm qeveritar SPD, Të Gjelbrit dhe FDP, kanë ndryshuar së fundmi planet e tyre në luftën kundër pandemisë. Me 25 nëntor duhet të përfundojë "gjendja epidemiologjike" në nivel federater, por nuk do të përfundojë mundësia e vendosjes së kufizimeve. Kryetari i Të Gjelbërve, Robert Habeck tha në ARD: "Kufizimi i kontaktit ose aplikimi i rregullave 2G (vaksinuar apo shëruar) do të thotë në pjesë të madhe - bllokim për njerëzit e pavaksinuar."
Sipas një marrëveshjeje të këtyre partive, që cilën e ka disponuar edhe agjencia e lajmeve DPA, vetëm ata që janë vaksinuar apo shëruar në gjashtë muajt e fundit, si dhe ata që kanë një test negativ, duhet të lejohen të përdorin autobusë dhe trena. Rregulli 3G (vaksinuar, shëruar apo testuar) duhet të zbatohet edhe në vendin e punës.
Sipas këtij dokumenti, landet mund të ndalojnë aktivitetet e kohës së lirë, aktivitetet kulturore dhe sportive, si dhe tubimet. Mund të mbyllin edhe universitetet dhe të ndalojnë hyrjen në objektet shëndetësore. Por ky dokumet ende nuk është miratuar. Të gjitha këto masa parashikohet të zbatohen deri në mars 2022, e më pas mund të zgjaten për tre muaj. Ndryshim i i ligjit për mbrojtjen ndaj infeksioneve do të paraqitet në Bundestag për miratim ditën e enjte (18.11).
Incidenca kalon shifrën prej 300
Instituti Robert Koch bën të ditur se incidenca e infektimeve ka kaluar shifrën prej 300. Indidenca është aktualisht 303 të infektuar në 100.000 banorë brenda një jave. Numri i të infektuarve të rinj me koronavirus në 24 orët e fundit është 23.607, që do të thotë 8.094 raste më shumë se një javë më parë. Ka dallime të mëdha rajonale: incidenca shtatëditore në Saksoni është 754, në Tyringji 543, në Bavari 526, ndërsa në Schleswig-Holstein vetëm 98.
Kryetari i Shoqatës Botërore të Mjekëve, Frank Ulrich Montgomery, tha për gazetën "Rheinische Post" se është "absurde" të pezullohet situata epidemiologjike në këtë moment, kur incidenca e ka kaluar shifrën 300. Ai mendon se ende ka mundësi të mposhtet vala e katërt. Montgomery bëri thirrje që presioni ndaj personave të pavaksinuar të rritet ndjeshëm - për shembull me vaksinimin e detyrueshëm "kudo që është e domosdoshme, si në shtëpitë e të moshuarve, spitale apo shkolla". Duhet të mendohet se "cilat kufizime mund të ushtrojmë në një mënyrë që është në përputhje me të drejtat themelore", vazhdoi Montgomery.
Shumë ekspertë thonë, se edhe njerëzit e vaksinuar mund të përhapin pandeminë.
Viroologu i Bonit Hendrik Streeck shpjegoi: "Do të ishte gabim të besohet se të vaksinuarit nuk mund të infektohen dhe nuk mund t'ia kalojnë virusin të tjerëve, nëse ata nuk e kanë marrë vaksinën e tretë". Ai thotë se nuk mund të flitet vetëm për një pandemi të personave të pavaksinuar. Të gjithë njerëzit janë pjesë e kësaj pandemie. Ndaj kufizimet nuk do të mund të anashkalohen, "në një mënyrë të caktuar". Manifestimet me shumë njerëz mund të mbahen vetëm në kushte strikte.
Me fjalë të ngjashme është shprehur së fundi edhe kolegu i tij Christian Drosten nga Charité e Berlinit. "Ne kemi një pandemi ku të gjithë kontribuojnë – përfshirë edhe të vaksinuarit, ndonëse ata më pak”, tha ai për "Die Zeit”. Varianti Delta "për fat të keq ka vetinë e përhapjes pavarësisht vaksinimit”. Megjithatë, sipas shifrave të Shoqatës Gjermane për Imunologji, rreziku i përfundimit në spital me një infeksion Corona është shtatë herë më i lartë për personat e pavaksinuar mbi moshën 60 vjeç, sesa pas dy vaksinimeve.
Gjendja në Austri
Në Austri nga e hëna (15.11) janë në fuqi kufizimet vetëm për personat e pavaksinuar dhe të shëruar në gjashtë muajt e fundit. Personat që nuk janë vaksinuar atje lejohen të dalin në rrugë vetëm për arsye të caktuara, siç janë shkuarja në punë apo dyqane. Këto masa tani për tani do të zgjasin 10 ditë. Ndërsa të prekur janë rreth dy milionë banorë të Austrisë, të cilët deri tani kanë refuzuar të vaksinohen. Austria ka rreth nëntë milionë banorë.
Tregtia me pakicë i ka refuzuar këto kufizime për arsye ekonomike: Fuqia blerëse e një pjese të madhe të popullsisë "është zhvendosur tek gjigandët digjitalë në periudhën më të rëndësishme të vitit (...)", tha drejtori i shoqatës tregtare, Rainer Will. Sipas tij, është vërtetuar se rrallë në dyqane ndokush është infektuar me virusin Corona. Shoqata druan humbje të shitjeve deri në 350 milionë euro në javë.
bc/jj/sti (dpa, afp, rtr, kna)