Kulaç evropian, kërbaç amerikan
6 Qershor 2014Kancelarja gjermane Angela Merkel e lëvdoi në Bruksel kohezionin e G7-ës në krizën e Ukrainës. Por ky kohezion kërcënon të thyhet. E çara kalon një herë përmes Oqeanit Atlantik, pra mes Evropës dhe Amerikës, por edhe brenda Europës. Ish-vendet e bllokut lindor kanë frikë se mund të jetë viktimat e tjera. Presidenti amerikan Obama u bë këtë javë në Poloni avokati i saj dhe i premtoi mbrojtje.
Shumëkush në lindje ka dyshimin se për Evropën Perëndimore janë më të rëndësishme bizneset me Rusinë. Ndërkohë që amerikanët dërgojnë trupa, francezët duan t'i shesin Rusisë anije luftarake; ndërsa Uashingtoni bën thirrje për sanksione më të ashpra, ish-kancelari gjerman feston ditëlindjen me Putinin. Shumë polakë, estonezë, apo letonezë pyesin se te cili mund të mbështeten me të vërtetë, në rast se gjendja bëhet vërtet serioze. Arsyen që Putini përdori për pushtimin e Krimesë, domethënë për t'u ardhur në ndihmë bashkatdhetarëve rusishtfolës, pavarësisht sa e gabuar që është, ai mund ta përdorë edhe në vendet Baltike. Dhe NATO-ja në këtë moment nuk është në gjendje për të parandaluar pushtimin rus, për shembull në Estoni. Pavarësisht nëse je dakord me këto pikëpamje, ato duhen marrë në konsideratë nga këndvështrimi i kohezionit.
Dera e pasme lihet e hapur
Më të dukshme bëhen qëndrimet e kundërta tani kur është fjala për sanksione. Shkalla e tretë dhe me të vërtetë e dhimbshme e sanksionve, që mund të godasë gjithë sektorët e ekonomisë, nuk ka nisur ende. Po të jetë për Merkelin, Hollande dhe Cameron-in, ajo nuk do të vihet kurrë në zbatim. Obama po tregohet më i ashpër. Por ai ka më të lehtë të flasë, kurse Evropa Perëndimore e merr pjesën më të madhe të importeve të saj të energjisë nga Rusia, Amerika është prej tyre thuajse e pavarur.
Në Bruksel u shtrua vazhdimisht çështja, se kur quhen të përmbushura kushtet për të kaluar në fazën e tretë të sanksioneve. Një përgjigje të qartë nuk pati. Në rast se Rusia marshon me trupa në Ukrainën Lindore, do të vendosen me siguri sanksione ekonomike, këtu s'ka më gjë për të interpretuar. Zyrtarisht G7 formuloi se shkaku për sanksione do të konsiderohet si i dhënë, nëse Rusia destabilizon më tej situatën në Ukrainën Lindore. Por kjo mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Nuk mund asnjë mënyrë automatike për sanksione të mëtejshme, thotë kancelarja Merkel, partnerët e G7 duhet të votojnë paraprakisht. Pra dera e pasme lihet e hapur.
Rusia do ta mbajë Krimenë
Në të vërtetë aneksimi i Krimesë duhej të ishte arsye e mjaftueshme për masa më të forta. Obama tha tani në Varshavë: "Ne nuk do të pranojmë kurrë këtë aneksimin." Partnerët e tij evropianë heshtin për këtë. Edhe Obama e di se Putini nuk do ta kthejë më kurrë Krimenë. Në këtë pikë ai nuk ka pse të ketë frikë për sanksione të mëtejshme. Një pyetje tjetër është se në çfarë rrethanash G7 mund të bëhet përsëri G8. Këtu në këtë moment është thuajse e papërfytyrueshme se si Rusia mund t'i bashkohet përsëri klubit. Sepse në qoftë se qeveritë perëndimore e përjashtojnë Rusinë nga G8 për shkak të kësaj shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare, ato nuk mund ta ripranojnë këtë vend në rast se shkaku i përjashtimit vazhdon të ekszistojë.
Putini të vlerësohet sipas atyre që bën
Por vendimtar nuk është rikrijimi i G8-ës, por stabilizimi i Ukrainës dhe përfundimi i konfrontimit. Ka dëshmi se sanksionet ekzistuese po e dëmtojnë Rusinë në mënyrë të mjaftueshme për ta bërë të përmbahet prej aventurave të mëtejshme dhe se edhe përjashtimi prej G8 Moskës nuk i pëlqen aspak. Putini është tani i gatshëm për t'u takuar si me Obamën dhe presidentin e sapozgjedhur të Ukrainës Petro Poroshenko në festimet e D-Day në Francë. Kjo do të ishte një simbol i rëndësishëm.
Por qeveritë perëndimore duhet ta vlerësojnë Putinin sipas atyre që bën dhe të shohim se si do të sillet me Ukrainën. Merkel, Hollande dhe Cameron do të kenë mundësi në Normandi që t'i tregojnë edhe një herë Putinit interesin e përbashkët për një shtensionim, por në të njëjtën kohë edhe t'i thonë atij se përndryshe duhet të llogarisë me pasoja të mëtejshme. Obamës, nga ana tjetër, mund t'i duken anëtarët evropianë të G7 si tepër të butë ndaj Rusisë, por ai nuk duhet ta strapacojë kohezionin e Perëndimit.