Kumbarët e terrorit
27 Nëntor 2015Urrejtje ndaj besimtarëve të feve të tjera. Një botëkuptim i çuditshëm, i cili sheh rreziqe nga më të ndryshmet për islamizmin. Mosbesim ndaj të gjithë atyre që nuk mendojnë dhe besojnë si vetja. Këto janë elementet thelbësore ideologjike të organizatës terroriste „Shteti Islamik“ (IS). Por këtë botëkuptim nuk e krijuan ata, të paktën jo krejt vetëm. Nëse IS-i ndjell urrejtje ndaj shiitëve, jezitëve, kristianëve dhe hebrenjve, atëherë ai ka paralele me botëkuptimin e vahabizmit, interpretimit radikal-konservativ të islamit sunit, i cili është feja zyrtare në Mbretërinë e Arabisë Saudite.
Paralelet mes IS-it dhe vahabizmit nuk mund të mos vihen re. Këtë e vërtetojnë qartë edhe librat nga të cilët nxënësit e mbretërisë saudite mësonin të paktën deri para pak vitesh botëkuptimin e fesë së tyre.
„Çdo fe tjetër përveç islamit është e gabuar“, lexonin ata në librin me njohuri të përgjithshme mbi fenë. Nxënësit duhej të zgjidhnin edhe detyra të vogla. Kështu për shembull ata duhej të përfundonin këtë fjali: „Kush vdes jashtë fesë islame, shkon …“. Përgjigjja e saktë sipas librit duhej të ishte „… në ferr“. Një detyrë tjetër: „Thuaj shembuj të feve të gabuara si judizmi, kristianizmi, paganizmi etj.“ „Besimi nuk është vetëm një fjalë“
Për nxënësit më të rritur, detyrat ishin më kërkuese: Atyre u mësoheshin detyrat e muslimanit sipas traditës së mbretërisë saudite. Në libër lexohej: „Besimi nuk është thjesht një fjalë që e thotë dikush. Besimi përbëhet nga gjuha, bindja dhe veprimi.“ Nxënësve u sqarohej edhe se çfarë do të thotë „besim i vërtetë“: „Që ti i urren politeistët dhe të pafetë, por nuk i trajton ata padrejtësisht.“ Libri shkollor nuk e sqaron pyetjen se çfarë do të thotë „padrejtësisht“. Në vend të kësaj ka udhëzime për mënyrën se si duhet të veprojë një musliman, nëse takon një jo musliman: „Një musliman e ka të ndaluar të jetë mik luajal i një njeriu i cili nuk beson në Zotin dhe Profetin e tij dhe i cili lufton fenë e islamit.“
Shembujt e përmendur janë marrë nga libra shkollorë sauditë të vitit 2005. Think tank-u “Center for Religious Freedom” (“Qendra për Lirinë Fetare”) i fondacionit amerikan “Freedom House” (“Shtëpia e Lirisë”) kishte shqyrtuar me dhjetra libra shkollorë sauditë. Në studimin e tij të publikuar në vitin 2006 ai arriti në një përfundim të qartë. Analizat e librave shkollorë sauditë kishin nxjerrë përfundimin se: Arabia Saudite “ndjell armiqësi ndaj Perëndimit si në mësimin e fesë në shkollat publike ashtu edhe në materialet e tjera edukative – si p.sh. përmbledhjet e fetvave, urdhëresave të krerëve të fesë”. Think tank-u me bindje iu drejtua Arabisë Saudite si përgjegjëse për këtë politikë. Sepse librat publikohen nga shteti, dhe imamët që i redaktojnë i përmbahen në përmbajtje udhëzimeve shtetërore.
Reforma të dyshimta
Sipas “Freedom House”, edhe një studim tjetër nga vetë Arabia Saudite ka arritur në të njëjtin përfundim. Ajo u prezantua në dhjetor të vitit 2003 dhe tregoi këto rezultate: Mësimi fetar në mbretërinë saudite “inkurajon dhunën ndaj të tjerëve dhe i nxit nxënësit të besojnë se për të mbrojtur fenë e vet, ata duhet t'i shtypin të tjerët me dhunë dhe madje edhe t'i asgjësojnë fizikisht.”
Arabia Saudite nuk ka reaguar asnjëherë zyrtarisht ndaj raportit të “Freedom House”. Megjithatë, Ministri i Jashtëm saudit, Saud al-Faisal, deklaroi në 2006 se sistemi edukativ i mbretërisë do të rishikohet thelbësisht. Se çfarë është bërë konkretisht, nuk është e qartë. Në vitet 2012/2013, Minstria e Jashtme amerikane i dha udhë një studimi të ri mbi librat shkollorë sauditë. Rezultatet e tij deri sot ende nuk janë bërë publike.
Para dhe besim
Arabia Saudite e eksporton interpretimin e saj të islamit sunit me vendosmëri të plotë. Në 25 vitet e fundit, sipas studimit të një ish-ambasadori amerikan, të publikuar në vitin 2007, mbretëria ka investuar për propagandën fetare në mbarë botën të paktën 87 miliardë dollarë amerikanë. Kjo shumë, sipas tij, duhet të jetë rritur ndërkohë edhe më shumë për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimit të naftës. Paraja hidhet në ndërtimin e xhamive, medreseve dhe institucioneve fetare; me to arsimohen imamë, financohen shtëpi botuese, shtypen libra vahabistë.
Një pjesë e madhe e këtyre parave shkon në shtetet islamike me ekonomi të dobët, por me popullsi të dendur në jug dhe në juglindje të Azisë: Pakistan, Indonezi, Filipine, Malajzi. Edhe në disa pjesë të Afrikës propagandohet vahabizmi. Për shumë nga njerëzit që jetojnë në këto pjesë të botës, këto institucione janë mundësia e tyre e vetme për t'u arsimuar. Por edhe në Perëndim ka institucione të financuara nga Arabia Saudite.
Financimi i terrorit
Afrimiteti ideologjik me “Shtetin Islamik” (IS) gjen shprehje konkrete edhe në ndihmën ekonomike. Se sa janë shumat e hedhura për IS-in, nuk është e lehtë të thuhet: Transaksionet kryhen përmes sistemit Hawala, një sistemi infomal, në të cilin paraja nuk transferohet përmes llogarive bankare zyrtare, por përmes personave të besueshëm. E paqartë mbetet gjithashtu, se deri në ç'masë e mbështet shteti saudit IS-in në mënyrë direkte apo indirekte.
Në vjeshtën e 2014-ës, Zëvendëspresidenti i SHBA, Joe Biden, doli në faqet e para të shtypit, kur ai i kritikoi vendimet e aleatëve amerikanë në luftën kundër IS-it – Biden përmendi Turqinë, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – për mbështetjen e tyre, qoftë edhe të pavetëdijshme, por të paktën të pavëmendshme ndaj IS-it: “Ata ishin të vendosur që ta rrëzonin Assad-in dhe të zhvillonin një luftë sunite-shiite – e çfarë bënë ata? Ata mbuluan këdo që donte të luftonte kundër Assad-it me qindra-miliona dollarë dhe mijëra tonë armë. Por kështu ata furnizuan edhe njerëzit e al-Nusra-së dhe al-Kaida-s dhe elementet ekstremiste të xhihadistëve nga të gjitha anët e botës.”
“Terroristët janë armiqtë më të mëdhenj të islamit”
Ndërkohë Arabia Saudite është distancuar nga terrori i IS-it. Në gusht të 2014-ës, Kryemyftiu i Mbretërisë deklaroi duke iu referuar direkt Al-Kaida-s dhe IS-it se idetë ekstremiste, radikale dhe terroriste nuk kanë të bëjnë fare me islamin. “Dhe autorët e tyre janë armiqtë më të mëdhenj të islamit.”
Arabia Saudite, shkruan në librin e tij “Le piège Daech” (“Gracka e IS-it) studiuesi francez i islamit, Pierre-Jean Luizard, cilëson sot si terroriste ato fenomene të cilat ajo para disa vitesh, por mbase edhe muajsh, i ka shikuar si shtyllat më te besueshme në rajon të vahabizmit. “Duket sikur regjimi saudit është shkëputur në mënyrë rekord nga lidhjet të cilat mundën ta legjitimonin këtë sistem politik – një sistem i cili, përmes eksportit të ideologjisë vahabiste nga njëra anë dhe nënshtrimit ndaj interesave amerikane nga ana tjetër, ka qenë, si pak regjime në botë, bartës i qëndrimeve politike paradoksalisht të kundërta.