Kur refugjatët sjellin me vete antisemitizëm
15 Mars 2016Kancelarja Merkel deklaroi se i kupton shqetësimet për shtimin e antisemitizmit në Gjermani për shkak të ardhjes së refugjatëve. Është "krejtësisht legjitime", kur Këshilli Qendror i Hebrenjve shpreh shqetësim për shkak të njerëzve, "që janë rritur me modele antiizraelite dhe antihebreje", tha Merkeli në një konferencë për antisemitizmin në Berlin. Por rëndësi vendimtare janë përfundimet që nxirren nga një situatë e tillë, tha Merkeli.
Merkeli: paragjykimet nuk duhet të gjejnë vend
"Secili, që jeton në Gjermani, qoftë ai i ardhur prej kohësh ose i posardhur, duhet ta ketë të qartë se antisemitizmi dhe paragjykimet ndaj njerëzve të tjerë te ne nuk duhet të gjejnë vend", tha kancelarja. Përpjekjet për t'i vënë pikëpyetje lirisë së besimit dhe të fesë, ose barazisë së burrit me gruan i vënë pikëpyetje përbashkësisë së lirisë në tërësi dhe nuk "do të tolerohen nga ne", theksoi kryetarja e CDU-së.
Antisemitizmi duhet të luftohet, kudo që shfaqet, tha më tej Merkeli. Kjo vlen për rastet kur sportistët sulmohen për shkak të përkatësisë së tyre në shoqata hebreje, për rastet kur në internet qarkullojnë parulla me urrejtje, në rastet e atentateve ndaj sinagogave dhe institucioneve hebreje dhe në kritikën ndaj Izraelin si maskim për urrejtjen ndaj hebrenjve.
Lammert: kundër antisemitizmit vendas dhe të ardhur
Më parë, Presidenti i Bundestagut, Norbert Lammert e pati kundërshtuar qartë "antisemitizmin vendas dhe të ardhur me migrantët". "Antisemitizmi është, kudo që vërehet në botë, i papranueshëm, në Gjermani ai është i padiskutueshëm", theksoi politikani i CDU-së.
Njëkohësisht, duke pasur parasysh refugjatët nga shtetet arabe, ai tha se të gjithë ata që jetojnë në Gjermani duhet të pranojnë të drejtën e ekzistencës së Izraelit. Refugjatë të rinj nga vende si Irani, Siria ose Iraku shpesh janë rritur duke e parë Izraelin si armik për vdekje, tha Lammert. Kjo nuk është në pajtim me jetën në Gjermani, tha më tej Lammert. Por ndryshe nga koha e nacionalsocializmit, antisemitizmi ndesh sot në "rezistencën e mobilizuar dhe të vendosur të të gjitha autoriteteve shtetërore pa përjashtim në Gjermani".
Merkeli dhe Lammert folën në konferencën e Koalicionit Ndërparlamentar për luftimin e antisemitizmit. Rreth 140 parlamentarë nga më shumë se 40 kombe do të diskutojnë deri të martën për përvojat e tyre me antisemitizmin dhe për programe të ndryshme parandaluese. Tema bosht janë armiqësia ndaj hebrenjve dhe nxitja e urrejtjes në internet, antisemitizmi në futboll si dhe qëndrimet antisemite dhe armiqësia ndaj Izraelit në shoqërinë me migrantë. Konferenca zhvillohet në kuadër të kryesimit nga Gjermania të OSBE-së.