Kurs i vazhdimësisë- Arabia Saudite pas vdekjes së mbretit Fad
1 Gusht 2005Vdekja e një sundimtari, i cili ka qenë ulur në fronin mbretëror për 23 vjet me radhë, do të shënonte një kthesë të rëndësishme në zhvillimin dhe historinë e një vendi. Por nuk ndodh kështu në rastin e mbretit Fad. Pas infarktit që pësoi ai para dhjetë vitesh, monarku 82 vjeçar nuk ishte më i aftë të kryente detyrën e udhëheqjes së shtetit. Prej dhjetë vitesh këto funksione i kryen mbreti Abdullah, vëlla nga një prind i mbretit Fad, dhe po si ky, ai është djalë i themeluesit të shtetit arab, Abdul Aziz Al Saudit. Abdullahu tanimë u deklarua si mbreti i ri dhe ministri i deritanishëm i mbrojtjes, Princi Sultan u deklarua si princ trashëgimtar i fronit.
Pra çdo gjë është si më parë, sepse me keqësimin e gjendjes shëndetësore së sundimtarit Fad, Abdullahu dhe Princi sulltan kishin vite që ishin politikanët më të rëndësishëm të shtetit 24 milionësh. Princi i deritanishëm madje të krijonte përshtypjen e një reformatori. Ai vendosi mbajtjen për herë të parë në pranverën e këtij viti të zgjedhjeve lokale dhe madje la të kuptohej, se do të organizoheshin edhe zgjedhje të tjera, duke përfshirë këtu futjen e së drejtës së grave për të zgjedhur.
Në fushën e politikës së jashtme, princi Abdullah fitoi një imazh të rëndësishëm, sidomos kur e udhëhoqi ligën arabe në Bejrut në vitin 2002 dhe arriti miratimin e një plani paqeje me Izraelin. Një plan ky që parashihte dorëzimin e zonave të pushtuara, por që u refuzua nga ana e kryeministrit Sharonit.
Abdullah premtoi një liberalizim më të madh brenda mbretërisë saudite, e cila ka një rëndësi të veçantë në arenën politike botërore, për faktin, se Arabia Saudite është furnizuesi kryesor i botës me naftë. Pas ngjarjeve të 11 shtatorit marrëdhëniet mes Arabisë Saudite dhe SHBA u rënduan. Udhëheqësit sauditë u shprehën të zemëruar, që SHBA, po vepronte pa dallim kundër arabëve dhe madje kundër sauditëve, ndërkohë që Arabia Saudite ishte prezantuar gjithmonë si partneri më i besueshëm i amerikanëve.
Por falë një politike të kujdesshme të princit Abdullah, u arrit që marrëdhëniet mes të dy shteteve të mos keqësoheshin më tej.
Marrëdhëniet me SHBA kanë qenë veçanërisht të ngushta në kohën e mbretit Fad. Ky i fundit pas pushtimit të Kuvajtit nga ana e Irakut në vitin 1990 dha lejen për stacionimin e trupave amerikane në territorin saudit. Me këtë ai u bë armiku kryesor i islamistëve rreth Osama bin Ladenit. Ata e akuzuan mbretin Fad, se po e lëshon tokën e shenjtë në duart e të pafeve dhe filluan organizimin e akteve terroriste kundër përfaqësuesve amerikanë në Arabinë Saudite. Pak para fillimit të luftës së Irakut, prania amerikane mori fund me insistimin e princit Abdullah, por kjo nuk solli fundin e akteve terroriste. Në mbretërinë saudite janë mjaft aktiv grupe ekstremistësh, të cilët prej andej mbështesin luftën në Irak.
Këto grupe nuk kanë për të pasur ndonjë ndikim edhe pas largimit nga jeta të mbretit saudit Fad. Vetëm se në një plan afatmesëm apo afatgjatë, mbretëria saudite do të përballet me çështjen e ndryshimit të gjeneratave në elitën udhëheqëse të shtëpisë mbretërore. Deri më tani, në pushtet kanë qenë vetëm djemtë e themeluesit të shtetit, në të ardhmen do të vinë në fron princë të gjeneratës së re, pinjollë mbretërorë të kësaj mbretërie mjaft të degëzuar. Deri më tani nuk ka të dhëna të sigurta, se çfarë drejtimi do të marrin zhvillimet në këtë mbretëri.