1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kush do ta udhëheqë tani Al Kaidan?

9 Maj 2011

Osama bin Ladeni që prej një jave ka vdekur. Por me të nuk vdiq edhe Al Kaida. Është ende e paqartë se kush do ta pasojë Bin Ladenin në krye të rrjetit terrorist.

https://p.dw.com/p/11BmB
Kush do ta pasojë Bin Ladenin?
Kush do ta pasojë Bin Ladenin?Fotografi: picture-alliance/dpa

Njëri ndër të parët, që bëri një deklaratë pas vdekjes së Bin Ladenit ishte Aboud al Zomouri. Ai është një shok i dikurshëm dhe bashkëluftëtar i Aiman al Zavahirit, pasardhësit të mundshëm të Osama bin Ladenit.

Pas atentatit kundër presidentit të Egjiptit Sadat në vitin 1981, Zomouri përfundoi në burg dhe doli prej tij vetëm tani. Tani ai u kërkon simpatizantëve të Bin Ladenit në të gjithë botën që të mos ndërmarrin akte hakmarrjeje. "Ai që sulmon turistët ose ambasadat", thotë ai, "sulmon të pafajshëm". Përballë revolucioneve paqësore në botën arabe, lufta e armatosur e ka humbur kuptimin e saj.

Mbështetja për ristrukturimin e Al Kaidës - e vështirë

Edhe egjiptiani Al Zawahiri u nxorr pas atentatit ndaj Sadatit para 20 vjetësh para gjyqit. Që nga kafazi i të akuzuarit ai iu drejtua përmes ekipeve të kameramanëve opinionit publik botëror:

"Ne jemi myslimanë", thirri ai, "dhe ne i besojmë fesë si ideologji dhe praktikë jetësore"

Kjo ideologji e çoi atë, pas tri vjetësh arrest, në mes të viteve '80 në Afganistan. Atje më vonë ai u bë kryeideolog i Al Kaidës dhe dora e djathtë e Osama bin Ladenit. Në bagazh ai mbante me vete teoritë e Sayyid al Sharifit, drejtuesit të organizatës ekstremiste "Xhihadi islamik në Egjipt."

Për mbështetje nga Xhihadi Islamik i Egjiptit për ristrukturimin e Al Kaidës, Al Sawahiri megjithatë tani nuk mund të shpresojë. Kjo organizatë ka vite që ka hequr dorë nga lufta e armatosur. Sayyid al Scharifi kërkoi nga xhihadistët në të gjithë botën që të ndërpresin luftërat. Në shumë libra ai e argumentoi me argumenta fetarë, se pse ishte e gabuar rruga e luftës.

Organizatat radikale gradualisht heqin dorë nga dhuna

Edhe organizata e dytë radikale në Egjipt, Gamaat al Islamiya hoqi dorë nga dhuna. Njëra nga celulat e saj ndërmori në vitin 1997 atentatin në Luxor, ku u vranë 58 vetë. Pak pas kësaj, ajo hoqi dorë nga dhuna.

"E gjithë baza e ideve të tyre ndryshoi. Gamaat al Islamiya krijoi një teori krejtësisht të re, në të cilën dhuna nuk ka vend. Ata vazhdojnë të jenë islamistë, duan të zbatojnë sharinë, por nuk bëjnë më thirrje për dhunë. Janë të gatshëm të marrin pjesë në procese demokratike," thotë eksperti Diaa Rashvan, nga qendra Al Ahram në Kairo.

Al Zawahiri konsiderohet si drejtuesi i mundshëm i ardhshëm i Al Kaidas. Gazeta egjiptiane "Al Masry al Youm" iu referua këto ditë një njohësi të Al Kaidës që tha se al Sawahiri është emëruar tashmë në formë tranzitore si pasardhës i Bin Ladenit. Sipas tij, janë egjiptianët e emigracionit ata që duan të vendosin nën kontroll rrjetin e organizatës. Por edhe predikuesi Anwar al Awlaki në Jemen konsiderohet si pasardhës i mundshëm i Bin Ladenit. Sipas shërbimeve të fshehta amerikane ai është shef i Al Kaidës në Gadishullin Arabik.

Autor: Jürgen Stryjak/Auron Dodi

Redaktoi: Esat Ahmeti