1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kush do të fitonte po të votonin fëmijët në Gjermani?

Lydia Heller/Bahri Cani16 Shtator 2013

Më së shumti simpati tek fëmijët dhe të rinjtë në Gjermani kanë temat ekologjike dhe ruajtja e mjedisit.

https://p.dw.com/p/19iJ2
Votuesit nën 18 vjeç duke hedhur votën në kabinat e improvizuara.Fotografi: Presse U18

Kancelarja Angela Merkel është top, ndërsa partnerin e saj në koalicion FDP, nuk e njeh gati askush. Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura të premten në tërë Gjermaninë për personat nën 18 vjeç , 27,4 % e fëmijëve dhe të rinjve kanë votuar për Unionin CDU/CSU. Partitë e Unionit janë pra fitues të votuesve nën 18 vjeç, të cilët në zgjedhjet e vërteta ditën e dielë, nuk kanë të drejtë vote. Këta fëmijë dhe të rinj marrin pjesë në një projekt, i cili mbahet gjithmonë në prag të zgjedhjeve të vërteta parlamentare. Liberalët kanë fituar vetëm 4,6% të votave. E Majta ka fituar 7,6 %, piratët 12,2 %, ndërsa ekologjistët kanë fituar 17,3 % të votave të përsonave nën 18 vjet. Në zgjedhjet e mëparshme, socialdemokratët SPD kanë qenë gjithmonë fitues të zgjedhjeve të personave nën 18 vjeç. Ndërsa kësaj rradhe me 20,7 % radhiten në vendin e dytë, pas partive të Unionit. Kancelarja Merkel duket se edhe tek të rinjtë vlerësohet shumë, ndaj edhe partia e saj ka fituar më së shumti vota, mendojnë ekspertët.

Kanë votuar më shumë se 170 000 fëmijë dhe të rinj

Votimet e të rinjëve janë bërë më interesante kohët e fundit. Për këtë raportojnë edhe shumë media. „Gjenerata nën 18 është bërë më e pjekur", thotë Markus Lehmann, një ndër themeluesit e kësaj iniciative. As ai vetë nuk e ka besuar se këto zgjedhje do të zgjojnë kaq shumë interes. Iniciativa ka nisur në vitin 1995 kur Lehmann nisi iniciativën në një zonë të Berlinit, me qëllim që të rinjtë të interesohen më shumë për zgjedhjet dhe zhvillimet politike. Ai kishte siguruar programet e partive politike dhe i vlerësonte së bashku me të rinjtë. Më pas kjo ide u përhap dhe në pjesë të tjera të Gjermanisë, ndërsa prej vitit 2005 zjgedhjet për U18 mbahen në tërë vendin. Këtë të premte kanë votuar më shumë se 170.000 fëmijë dhe të rinj, në rreth 1.500 vendvotime - më shumë se kurrë më parë.

U18-Wahl Wahlstudio
Emision televiziv për zgjedhjet nga të rinjtë.Fotografi: Presse U18

U18 është nismë e rëndësishme arsimore për Gjermaninë

Markus Lehmann thotë se nuk është e vërtetë që të rinjtë nën 18 vjeç nuk janë të interesuar për politikën. Prej kohësh ai e ka parë se fëmijët dhe të rinjtë interesohen më shumë për politikë se sa që është menduar, në veçanti për temat si ekologjia dhe mbrojtja e shtazëve, por dhe tema të jera. Esenca e projektit është ngritja e njohurive të tyre për zhvillimet politike dhe ngritja e vetëdijes për zhvillimet demokoratike.

Ndërkohë iniciative është shtrirë në mbarë Gjermaninë. Të rinjtë dhe fëmijët mblidhen dhe diskutojnë për politikën dhe zhvillimet në vend. Ata diskutojnë për tema shumë të rëndësishme si: a do të studjosh apo jo? Cili është qëndrimi yt ndaj drogës? Cili është qëndrimi yt ndaj fëmijëve me të meta fizike. Cila parti i mbron më së miri interesat e personave nën 18 vjeç? Qëllimi është që të rinjtë një ditë kur të kenë të drejtën e zgjedhjes, të mendojnë mirë para se ta votojnë një parti apo subjekt politik.

Projekti së shpejti në mbarë Evropën

Koncepti ka treguar sukses, mendon Matti. "Nuk e kam ditur për shembull që ekologjistët e rinj angazhohen për legalizimin e të gjitha drogave. Nuk e di nëse kjo është mirë."Luca dhe Julian interesohen më shumë për integrimin dhe ruajtjen e mjedisit. Ata janë dakord me qëndrimet e ekologjistëve për këto çështje. "Unë mendoj se e Majta është cool", thotë Abi, por "kam dëgjuar se ata janë kundër ndalimit të partisë ekstremiste NPD. Nuk e di si mund të jesh kundër ndalimit të një partie të këtillë".

U18-Wahl Autos zu Wahlurnen
Fotografi: Presse U18

Lara mendon se CDU është më e bindshmja dhe se kjo parti i mbron më së miri interesat e të rinjëve. Por jo vetëm fëmijët dhe të rinjtë kanë përfituar nga kurset dhe zgjedhjet. Edhe partitë politike kanë mësuar shumë prej të rinjëve, sepse mund ta rishikojnë programin e tyre dhe t'i ndryshojnë gjërat që nuk janë të kuptueshme sa duhet. Ndërkohë partitë kanë hartuar programe të kuptueshme edhe për fëmijët dhe të rinjtë. "Politikanët e kanë kuptuar se për të rinjtë duhet të kenë një gjuhë të caktuar. Ata presin përgjigje shumë të qarta në pyetjet e tyre". Kjo është me rëndësi sepse së shpejti shumë prej tyre do të kenë të drejtën e votës. Këta janë zgjedhësit e së nesërmes.

Iniciativa e nisur në Gjermani tani po merr përmasa edhe evropiane. Nën moton „U18 goes Europe“, në vitin 2014 duhet të mbahen në të gjitha vendet e BE edhe votimet e të rinjve nën 18 për zgjedhjet e Parlamentit Evropian, thotë Markus Lehmann. "Ne nga Berlini kemi nisur kontaktet me persona të tjerë nga qendrat e tjera, ku duhet të mbahen zgjedhjet evropiane. Kemi organizuar edhe shkëmbimin e të rinjëve. Ne po e eksportojmë idenë tonë dhe të shohim se çfarë do të ndodhë.“