Richard Wagner mahnitës edhe në 200 vjetorin e lindjes
22 Maj 2013Për të është shkruar më shumë se për këdo tjetër në histori, me përjashtim të Jezu Krishtit dhe Napoleon Bonapartit. Në 200 vjetorin e lindjes Richard Wagner vazhdon të polarizojë. Disa e konsiderojnë atë si një shpikës gjenial të veprës së plotë artistike (Gesamtkunstwerk), të tjerë e refuzojnë atë për shkak të shkrimeve të tij antisemitiste. Sidoqoftë operat e tij sot po shfaqen më shumë se kurrë ndonjëherë më parë.
Ai rjedh nga një familje e mesme: Babai, Carl Friedrich Wagner, ishte një stenograf policie; e ëma, Johanna Rosine Wagner, nga i ati me mbiemrin Pätz, ishte bija e një bukëpjekësi. I biri i tyre i pagëzuar si Wilhelm Richard Wagner interesohej qysh në fëmijëri për teatrin.
Muzikë e së ardhmes
Në fillim djaloshi dëshironte të bëhej poet. Por kur ai në moshën 16 vjeçare pa operan e Beethoven-it "Fidelio", ndryshoi mendim për profesionin e tij të dëshiruar: këtej e tutje ai dëshionte të bëhej kompozitor. Në vitin 1831, gjatë studimeve për muzikë, ai zhvilloi një plan, të kompozonte operën e parë. Për këtë ai e shkroi vet tekstin, një procedurë kjo, të cilën ai e ndoqi gjatë gjithë jetës.
Qëkurse ishte 20 vjeç Wagneri drejtoi teatrin në Magdeburg. Atje ai u dashurua me aktoren Minna Planer. Ata u martuan në vitin 1836, nga kjo martesë ata nuk patën fëmijë. Riga dhe Parisi ishin stacionet e tjera të kompozitorit të zhytur në borxhe dhe me një jetë të trazuar. Familja Wagner jetonte në Paris në kushte të vështira, e megjithatë ai ia doli që t'i përfundojë atje operat e hershme të tij "Rienzi" dhe "Holandezi fluturues". Në këtë periudhë ai nisi të merret me lëvizjet e majta revolucionare të kohës.
Në vitin 1842 Wagner u transferua në Drezden, ku mori përsipër drejtimin e orkestrës së oborrit mbretëror sakson. Në tetor ai arriti suksesin muzikor: premiera e operas "Rienzi". Wagneri punonte njëkohësisht në shumë vepra dhe merrej me vizionin e një forme të re të shkrirjes mes poezisë, muzikës dhe veprimit (veprës së plotë muzikore, apo siç emërtohet ky koncept në gjermanisht "Gesamtkunstwerk"). Qëllimi nuk ishte as më shumë e as më pak, veçse "paraqitja e pakushtëzuar, e drejtpërdrejtë e natyrës së përkryer njerëzore". Stërmbesa e tij Katharina Wagner së fundi në një intervistë për DW u shpreh: "Pikërisht në veprat e Wagnerit bëhet fjalë për elementët thelbësorë të qenies njerëzore, për ndjenja të tilla si xhelozia, pushteti, dashuria, urrejtja. Këto natyrisht janë gjëra që, gjithmonë diku janë aktuale, për aq kohë sa ekziston njerëzimi."
Deus ex Machina
Në maj 1849 ai morri pjesë në kryengritjen e majit të Drezdenit, më pas atë e kërkuan përmes një urdhërarresti e atij iu desh të largohet nga Gjermania. Në 1864 kompozitori, erdhi sërish në Gjermani, i dëshpëruar dhe në vështirësi financiare ai ndodhej në prag të vetëvrasjes. Në këtë kohë atij i mbërrin një letër nga mbreti 18 vjeçar i Bavarisë Ludwig i II, i cili e mbështeti Wagnerin përgjatë gjithë jetës së tij.
Pas disa aferash dashurie para dhe pas vdekjes së gruas së tij Minna, Wagner jetoi në Tribshen pranë Lucernës bashkë me Cosima von Bülow, e bija e Franz Liszt-it dhe gruaja e dirigjentit Hans von Bülow, njëri prej miqve dhe mbështetësve të tij. Nga kjo lidhje lindën tre fëmijë, përpara se ata të martoheshin.
Në qytezën bavareze Bayreuth Wagneri gjeti vendin për realizimin e vizionit të tij të veprës së plotë artistike. Larg aktivitetit kulturor të qyteteve të mëdha - në shtëpinë e festivalit të projektuar prej tij - publiku mund të fokusohej tërësisht tek ndërthurja mes muzikës, veprimit dhe skenografisë. Kjo ndodhi për herë të parë në gusht gjatë premierës së ciklit prej katër operash të Wagnerit "Unaza e Nibelungëve".
Festivali i parë i Bayreuth-it ishte një dështim financiar dhe një dështim artisitik, megjithatë Wagner ia doli të organizojë edhe festivalin e dytë në 1882. Vetëm një vepër tjetër u shfaq si premierë në Bayreuth sa Wagner ishte ende gjallë, vepra e tij e fundit "Parsifal". Richard Wagner ndërroi jetë më 13 shkurt 1883 në Venecia.
Cili është mesazhi i Wagner-it?
Përse Wagner është edhe sot mahnitës? Ai bën pjesë ndër kompozitorët më me influencë të hitorisë. Muzika e tij e romantizimit të vontë është rrënqethëse. Shumica e njerëzve reagojnë ose duke e refuzuar atë, ose të entuziazmuar dhe janë fare pak ata, që mbeten indiferentë ndaj saj. Wagner donte ta revolucionarizonte teatrin dhe operan, ai u involvua vet në një revolucion politik dhe më vonë identifikohej me rrymat nacionale gjermane.
Ishte ai socialist? Nacionalsocialist? Çfarë shprehin shkrimet e shumta të tij rreth kësaj dhe si mund të interpretohen ato? Në çdo tezë të kompozitorit mund të gjesh edhe antitezën. Çfarë shpreh muzika e tij? A përmban ajo - ashtu si shkrimet e tij - nota antisemite? Edhe për këtë vazhdon të debatohet sot. Dirigjenti Christian Thielemann i konsideron si absurde të tilla debate: "Muzika nuk mund të politizohet", thotë ai për DW. "Ky ka qenë keqkuptimi më i madh i të gjitha kohërave. Një përzgjedhje e kohës tek "Minesangët e Nyrnbergut" nuk ka të bëjë me politikën. Kjo bëhet për hir të veprës. Nëse e bëni këtë me prapamendim, atëherë është shumë keq, madje është tërësisht gabim."
Për çfarë është angazhuar Wagner? Tek e fundit vetëm për një gjë: për vetveten. "Networker" dhe "promotor i vetvetes" kjo duhet shtuar në përshkrimin e këtij multitalenti, i cili artin e tij ia imponoi një bote, që nuk e donte atë. Sot bota i është atij mirënjohëse për atë çfarë ai i ka lënë asaj.