1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

040809 Südossetien Georgien

6 Gusht 2009

Konflikti në Kaukaz kishtë kohë që mahisej deri sa shpërtheu në mbrëmjen e 7 duke u gdhirë 8. gushti 2008. Gjeorgjia filloi një ofensivë të madhe kundër provincës rebele të Osetisë Jugore të orientuar nga Rusia.

https://p.dw.com/p/J4co
Refugjatë gjeorgjianë-gjatë konfliktit 2008
Refugjatë gjeorgjianë gjatë konfliktit 2008Fotografi: AP

Përgjigjja ushtarake e Rusisë nuk vonoi. Lufta, në të cilën në fund ishte fjala edhe për provincën tjetër rebele të Abkazisë, zgjati një javë. Pas kësaj palët në luftë Rusia dhe Gjeorgjia vendosën armëpushimin, i cili kontrrollohet prej një misioni të BE-së, më 27.07 u zgjat edhe për një vit. Megjithëse lufta zgjati vetëm një javë gjatë saj pati shumë të vrarë si dhe mijëra refugjatë dhe të shpërngulur.

Mihail Sakashvili, apo shkurt Misha është njeri shumë i mirë

Presidenti Mihail Sakashvili
Presidenti Mihail SakashviliFotografi: AP

Ngulimi Cerovani duket si një implantat mes fushave dhe livadheve: shtëpiza të bardha dhe ngjyrë bari të hapur, njëra njëlloj si tjetra, në të njëjtën distancë nga njëra-tjera, gjithsej dymijë. Ato janë ngritur prej qeverisë gjeorgjiane para rreth një gjysmë viti për të strehuar të dëbuarit nga zona e konfliktit në Osetinë Jugore. Një objekt prestigji, banorët duhet të ndjehen mirë dhe kjo funksionon. Për Makvala Amirumóva, mbi 70-vjeç dhe e verbër nga një sy, presidenti i Gjeorgjisë, Mihail Sakashvili, apo shkurt Misha si e quan ajo, është më i madhi.

"Misha është njeri shumë i mirë. Shënoje këtë. Shëno: Mishën e dua shumë, ai është i fortë. Rroftë Misha."

Fqinja e saj, Cicino Jelashvili, pohon me kokë.

"30 vjet në vend nuk u bë asgjë, po Sakashvili shiko sa ka bërë në katër vjet! Kush punon, bën edhe gabime. Vetëm ai që nuk punon nuk bën gabime."

Për 15 vjet me radhë konflikti për Osetinë Jugore kishte ngrirë

Gabimi i Sakashvilit ishte në radhë të parë lufta e tij me Rusinë, mendojnë kritikuesit e tij. Fjala ishte për rajonin rebel të Osetisë Jugore, i cili në fillim të viteve 90-të shpalli pavarësinë. De facto ajo që prej kësaj kohe ekzistonte si shtet më vete, edhe pse ndërkombëtarisht nuk ishte njohur nga asnjë shtet i botës, madje as nga vetë Rusia. Për 15 vjet me radhë konflikti për Osetinë Jugore kishte "ngrirë". Në gusht të vitit të kaluar ai shpërtheu, sepse pas një sërë luftimesh në kufi, ushtria gjeorgjiane bombardoi Zqinvalin, kryeqytetin e Osetisë Jugore. Qëllimi ishte ribashkimi i Osetisë Jugore me Gjerogjinë. Rusia, e cila është prej kohësh mbrojtësja e separatistëve në Osetinë Jugore, bombardoi territorin gjeorgjian dhe dërgoi në rajon tanke. Lufta zgjati pesë ditë dhe pas armëpushimit Rusia i njohu si shtete të pavaruara Osetinë Jugore dhe rajonin tjetër rebel Abkazinë.

Trupat ruse në Gjeorgji në verën e 2008
Trupat ruse në Gjeorgji në verën e 2008Fotografi: AP

Gjendja ekonomike në Gjeorgji është shumë e vështirë

Lufta e dëmtoi Gjeorgjinë edhe ekonomikisht. Në kryeqytetin e vendit Tbilis takohemi me Aleksandër Sutiashvilin, firma e të cilit ndërton zyra dhe banesa.

"Që prej luftës puna ka rënë, tani kam rreth një çerek të porosive. Porosi të mëdha nuk kam më. Gjendja është vërtet shumë e vështirë."

Para luftës Gjeorgjia ishte në rrugë të mirë, pas zgjedhjes së Sakashvilit si president në vitin 2003 ekonomia shënoi rritje, në vend filluan të vinin investorët, dhe të thelloheshin reformat. Ky zhvillim ka marrë fund. Dhe pa ndihmat financiare prej rreth tre miliardë eurosh, që iu dhanë Gjeorgjisë vjeshtën e kaluar prej BE-së, vendi do të kishte falimentuar ndoshta prej kohësh. Sipas ekspertëve vendi është i varur prej ndihmave ndërkombëtare dhe ka humbur investimet e huaja, motorin e rritjes ekonomike të viteve të fundit.

Vështirësive ekonomike u shtohen ato politike

Opozita gjeorgjiane ka muaj që demonstron në Tbilis, duke bllokuar rrugë dhe parlamentin. Një përzierje e vështirë e përbërë nga republikanë, monarkistë, demokratë dhe nacionalistë, që kryesisht i lidh një gjë: kërkesa për dorëheqjen e Sakashvilit. Deri tani opozita nuk ia ka dalë të bëjë për vete shumicën e popullit, sepse ata janë të lodhur prej përmbysjeve të shumta në vend.

Si muzikanti Giorgi Khonelidze.

"Ka 20 vjet që është kështu: pa bërë asgjë pas të paktën dy vjetësh njerëzit thonë na duhet një qeveri e re. Edhe sikur Sakashvili të largohet –gjë që nuk do ta bëjë– atëhere pas dy vjetësh fillon e gjitha nga e para dhe njerëzit do të thonë: atë s'e duam më, duam një tjetër. Kjo është bërë patologjike."

Khonelidze e ka humbur shpresën dhe besimin te një e ardhme më e mirë në Gjerogji dhe do të emigrojë.

Autor: Gesine Dornblüth/ Pandeli Pani

Redaktoi: Mimoza Cika - Kelmendi