1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kush qëndron pas kompanisë "Burisma"?

Roman Goncharenko17 Maj 2014

Zgjedhja e djalit të zëvendëspresidentit amerikan Biden në bordin e kompanisë ukrainase të gazit "Burisma" tërhoqi vëmendjen në mbarë botën. Pronarët e vërtetë të kompanisë ruhen si sekret shtetëror.

https://p.dw.com/p/1C1Ta
Fotografi: picture-alliance/dpa

Për kë punon Hunter Biden? Kjo pyetje ka që të mërkurën (14.05.14) që preokupon mediat botërore, sepse këtë ditë u njoftua se djali i zëvendëspresidentit amerikan është që nga muaji prill anëtar i bordit të kompanisë ukrainase të gazit "Burisma Holdings". Në bord bën pjesë edhe ish-presidenti polak Aleksander Kvashnjevski. Fotografia e Kvashnjevskit u shfaq në faqen e internetit të kompanisë "Burisma" të premten (16.05.14), edhe pse ai është në bordin e saj që në janar. Presidenti i Ukrainës ishte në atë kohë Viktor Janukoviç. Me të Kwashnievski kishte negociuar më parë në emër të Parlamentit të BE-së për lirimin e ish-kryeministres së burgosur Julia Timoshenko.

Anëtarë të tjerë të bordit janë dy amerikanë dhe dy qipriotë. Në menaxhim ka katër ukrainas të rinj. Pothuajse të gjithë ata kanë pasur në karrierën e tyre stacione në Rusi.

Pjesa më e madhe e grupit të menaxhimit të kompanisë u ndryshua në vitin 2013. Oleksandr Kharchenko mendon se kjo tregon për një ndryshim të pronësisë. "Për këtë nuk u raportua fare," tha për Deutsche Wellen drejtori i Qendrës për Studime të Energjisë në Kiev. Ai e konsideron "Burisma" si një kompani me shumë potencial. I një mendimi të ngjashëm është edhe Hennadi Kobal nga qendra e Kievit për Naftë dhe Gaz "Newfolk": "Ata kanë siguruar për veten fusha të mira".

Fushë gazi në Poltawa, Ukrainë
Fushë gazi në Poltawa, UkrainëFotografi: Sergei Supinsky/AFP/Getty Images

Një firmë britanike merr përsipër punën me mediat

Kush do të dijë më shumë për firmën "Burisma" i duhet kohë. Në faqen e saj modeste të internetit thuhet se kompania është themeluar në vitin 2002 dhe është sot "një nga prodhuesit më të mëdhej të pavarur të gazit" në Ukrainë. Për pronarët nuk thuhet asnjë fjalë.

Në marrëdhëniet me mediat kompania "Burisma" përfaqësohet nga firma e PR-it "Bell Pottinger" me qendër në Londër. Një nga themeluesit e saj, lordi Timothy Bell, ka qenë dikur këshilltar i kryeministres britanike Margaret Thatcher, si dhe i presidentit rus Boris Jelcin. Në mesin e klientëve të shquar në të kaluarën e afërt janë Asma Assad, gruaja e presidentit sirian dhe qeveria e Bjellorusisë. Një kërkese të DW-së për informacione rreth kompanisë "Burisma", "Bell Pottinger" nuk iu përgjigj.

Baron gazi nga qeveria Janukoviç

Në mediat ukrainase ka njoftime të ndryshme për "Burisma" dhe flitet për një rrjet të paqartë kompanish të regjistruara kryesisht në Qipro. Veçanërisht shpesh del në pah një emër: Mykola Slotshevski. 47-vjeçari ka qenë të paktën deri kohët e fundit, pronari i vërtetë i kompanisë.

Slotshewski filloi të bënte nga vitet 1990 karrierë në biznesin e naftës dhe të gazit. Revista ukrainase e lajmeve "Korrespondent" e vlerësonte pasurinë e tij në vitin 2013 në 238 milionë dollarë. E njohur është preferenca e tij për makina luksoze britanike si "Rolls Royce" dhe "Bentley". Slotshevski ishte anëtar i parlamentit, ministër i Mjedisit nga viti 2010 deri në 2012 dhe më pas kaloi në Këshillin e Sigurimit. Ai kishte lidhje shumë të mira me qeverinë e presidentit Viktor Janukoviç.

Akuza për nepotizëm

Slotchewski tha në vjeshtë të vitit 2013 se nuk është pronar i kompanisë "Burisma". Si pronarë të rinj përmenden dy oligarkë: Ihor Kolomojski dhe Viktor Pintshuk. Kolomojski u bë pas ndryshimit të pushtetit në Kiev, kryetar i rrethit Dnipropetrovsk dhe ka tani mjaft ndikim. Pintshuk thuhet se ka lidhje të mira me demokratët në SHBA. Po ashtu edhe ish-presidenti polak Kwasniewski ka vite që është mik i Pintshukut.

Në lindje të Ukrainës mendohet se ka rezerva të mëdha gazi dhe për zbulimin dhe shfrytëzimin e tyre vendi ka nevojë për përvojën e koncerneve perëndimore.

Firmat nga SHBA në Ukrainë

SHBA janë prej kohësh aktive në tregun ukrainas të energjisë. Kompania amerikane "Vanco" fitoi të vitin 2007 një tender për gjetjen e gazit në Detin e Zi në afërsi të Krimesë. Marrëveshja u anulua më vonë nga qeveria e Julia Timoshenkos për shkak se kompania ia kishte kaluar të drejtat një kompanie tjetër, në të cilën thuhet se kanë qenë të përfshirë biznesmenë rusë dhe ukraino-lindorë.

Qeveria e Janukoviçit u përpoq të sillte investitorë nga SHBA dhe koncerne të tjera ndërkombëtarë në Ukrainë dhe në fund të vitit 2013 nënshkroi një kontratë me koncernin amerikan "Chevron".

Barack Obama Joe Biden dhe Hunter Biden
Barack Obama Joe Biden dhe Hunter BidenFotografi: Getty Images

Lajmi për emërimin e Hunter Biden ngjalli akuza për nepotizëm, për shkak se kjo ndodhi vetëm disa javë pas vizitës së zëvendëspresidentit të SHBA-së në Kiev më 22 prill. As "Burisma", as Departamenti i Shtetit i SHBA nuk donin t'u përgjigjeshin pyetjeve të DW-së. Uashingtoni tërhoqi vëmendjen për një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë, sipas së cilës Hunter Biden është një person privat.