Këmisha bojëqielli dhe shall - Organizata e rinisë ish-RDGj, FDJ ringjallet sërish
30 Korrik 2007Këmisha bojëqielli, emblema me diellin, kampe me çadra dhe një shall në qafë - me këto janë rritur shumë ish-qytetarë të RDGj-së (Republika Demokratike e Gjermanisë) në Organizatën e Rinisë së Lirë Gjermane, FDJ. . Megjithatë edhe sot e kësaj dite mendohet se rreth 200 të rinj mbajnë lart flamurin e socializmit dhe të anëtarësisë në këtë organizatë. Madje në Ahen, qyteti më i skajshëm perëndimor i republikës tashmë të bashkuar, dy të rinj kanë krijuar një grup të ri të FDJ-it.
"Rini e lirë, jetë e re", kur ra RDGj-ja, të cilën e himnizon kjo këngë, Aneta ishte tri vjeç. Sot ajo është nëntëmbëdhjetë vjeç, megjithatë kjo vajzë e re ende vazhdon t´i referohet së shkuarës së saj në Lindje, kur tregon, se përse ka hyrë në grupin e rinisë së lirë gjermane: "Unë vij nga Lindja, atje natyrisht që kam qenë shumë pranë kësaj organizate, edhe përmes prindërve të mi, përmes historisë, që më kanë treguar ata. Duke qenë në Ahen dëgjoja, se kjo organizatë vazhdon të ekzistojë. Ndaj mendova: "Eshtë mirë ideja që mbronte ky grup!" e thashë "përse jo?."
Mbi impiantin stereo që ndodhet në dhomën e vogël të Anetës qëndron flamuri i FDJ-së. Një kurorë e verdhë me rreze në sfond blu. Në përgjithësi dhoma e saj është e pajisur në mënyrë mjaft konvencionale: Një bufe në mur dhe një divan, në të cilin është ulur tani Aneta dhe Jensi. Që të dy janë të rinjtë, që janë duke përsëritur vitin e maturës dhe kanë themeluar grupin FDJ në Ahen. Deri më sot ata janë anëtarët e vetëm të kësaj organizate. Ky fakt s´të habit, sepse tezat politike që mbron Jensi 24 vjeçar, prej shumë gjermanëve konsiderohen si ekstremiste të majta:
Jensi është i mendimit: "se kapitalizmi diku do të ketë një fund. Kjo ka të bëjë thjeshtë me atë, që synohet përfitimi dhe prej kësaj njerëzit vuajnë, sepse ata nuk janë vetëm mall në këtë sistem. Socializmi synon në të kundërt një shoqëri më sociale dhe kësisoj ne jemi të bindur, që socializmi është drejtimi i duhur. Por ne angazhohemi edhe për tema si p.sh. antifashizmi, që është për ne shumë i rëndësishëm. Ne i kushtohemi edhe të gjitha temave tradicionale të së majtës."
Janë bërë edhe gabime!
Kur Jensi dhe Aneta tregojnë për FDJ-në shumë në Ahen, në skajin më perëndimor të Gjermanisë, as që e kanë idenë se ç´kuptim ka kjo. Ose ata e quajnë ekzistencën e këtij grupi të rinjsh si një shaka të qëlluar. Nëse ju do të shkoni një herë në Vitshtok, qyteti i lindjes së Anetes, atëherë do ta kuptoni fare mirë, thotë Jensi: "Në Lindje natyrisht që ka shumë njerëz që e vlerësojnë pozitivisht këtë organizatë. Por natyrisht që ka edhe zëra negativë, sepse ne jemi aq të sinqertë sa të themi; "Kemi bërë gabim e në të shkuarën, pra në RDGj nga ana e organizatës së rinisë janë bërë gabime."
"Ti ke një qëllim, që të mos ngatërrohesh në botë", thotë kënga e rinisë entuziaste socialiste. Grupi i parë i FDJ-ja u krijua përpara Luftës së Dytë Botërore, në azilim; në vitin 1936 kjo organizatë u themelua në Paris, dy vjet më vonë në Prag, e më pas në vitin 1939 në Britaninë e Madhe. Në territorin e zonës së pushtuar nga Bashkimi Sovjetik, territori i mëvonshëm i RDGj-së, zyrtarisht FDJ-ja u themelua në vitin 1946. FDJ-ja e re nuk e konsideronte veten si vazhduese legjitime të grupeve të mëparshme në azilim.
Fillimisht ajo konsiderohej si antifashiste, demokratike dhe mbipartiake. Por gradualisht ajo u shndërrua në një organizatë të partisë së bashkuar socialiste, SED, përmes së cilës të rinjtë duhej të orientoheshin sipas kursit të partisë. Në statutin e shoqatës së FDJ-së përcaktohet roli si "ndihmës i besueshëm dhe forcë rezervë në luftën e partisë së klasës punëtore."
Qoftë në shkollë, në ndërmarrje apo në studime, thuajse asnjë i ri nuk i shpëton antarësimit në FDJ. Zyrtarisht anëtarësia ka qenë mbi bazën e vullnetit të lirë, por ai që nuk antarësohej duhej të llogariste me disavantazhe. Të tjera organizata rinie nuk lejoheshin ose pengoheshin në punën e tyre. Kështu arrihet që thuajse çdo i ri të futet në organizatën FDJ: 2,3 milionë antarë ka pasur kjo organizatë në vitin 1989, gati 90% e rinisë së asaj kohe.
FDJ-ja i joshte të rinjtë me veprimtari sportive, mbrëmje vallëzimi apo kënge. E në thelb synimi është të fitohen brezat e ardhshëm ushtarakë. Gradualisht garat dhe stërvitjet ushtarake qysh nga viti 1978 u bënë pjesë e programit mësimor nëpër shkolla. Madje edhe pionierët e grupet e fëmijve bashkëvepronin.
Një këngë e gëzueshmë fëmijësh, bën fjalë për djaloshin e vogël që do të bëhet dikur hero i ushtrisë popullore. Po të mendosh gjithë ato viktima të murit, njerëzit që janë vrarë në përpjekje për t´u arratisur prej RDGj-së, kjo këngë tingëllon cinike. Por Jensi dhe Anete e kanë të vështirë që të konfrontohen me pjesën e dhunshme të RDGj-së: "Babai im p.sh. ka qenë polic kufiri në RDGj, ai ka qenë në kufirin me Perëndimin dhe asnjëherë nuk i është dashur të qëllojë njeri, ai asnjëherë s´ka goditur ndokënd brutalisht. Ata që kanë dashur të arratisen ai i ka udhëzuar dhe i ka bindur që të kthehen mbrapsht.
Ndërsa pas kthesës ai ka punuar në mbrojtjen federale të kufirit në Perëndim. Madje ai ka konstatuar se ndonjëherë në Perëndim ka pasur qëndrime edhe më të ashpra. Ndoshta është kjo subjektive, por unë kështu kam dëgjuar, pa dashur të fsheh diçka, për padrejtësitë që janë bërë duke qëlluar ndaj njerëzve."
Anete asnjëherë nuk ka jetuar e vetëdijshme në RDGj. Ajo njeh nga njëra anë njoftimet për të vrarët e murit dhe përndjekjet e ish-sigurimit të shtetit, stasi dhe nga ana tjetër tregimet për solidaritetin mes njerëzve dhe romantizmin e kampeve të FDJ-së. Nga këto dy ekstreme Anetes i duhet të krijojë imazhin e vet për RDGj-në. Por natyrisht që ajo nuk beson që RDGj-ja ka qenë një parajsë: "Në RDGj janë bërë shumë gabime, unë nuk e di nëse ndokush dëshiron t´i ketë sërish të tilla gabime. Unë personalisht kurrësesi nuk e dua këtë. Unë dëshiroj thjeshtë që ta bëj më mirë."