1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtrenjtohet banimi në Gjermani

Martin Koch/Lindita Arapi25 Tetor 2013

Banka Federale Gjermane sinjalizon: Çmimet e imobilieve gjermane janë rritur në mënyrë ekstreme sidomos në qytetet e mëdha. Në Spanjë, Irlandë e SHBA kjo gjendje solli krizën. E ka tani radhën Gjermania?

https://p.dw.com/p/1A63B
Shtëpi nga paratë
Fotografi: Fotolia/svort

Qytetarët e Kölnit e kanë më të lehtë, pasi katedralja e famshme mund të shihet edhe nga lagjet që ndodhen larg saj e ku banesat kanë çmim më të arsyeshëm. Ndërsa kush do të ketë parasysh përditë liqenin Alster në Hamburg apo Kopshtin Anglez në Mynih duhet të paguajë çmime të larta për të banuar aty. Sipas një studimi të Bankës Federale Gjermane çmimet e imobilieve në të shtatë qytetet më të mëdha gjermane ndodhen 20% mbi mesataren federale.

Hermann-Josef Hansen
Hermann-Josef HansenFotografi: Deutsche Bundesbank

Hermann-Josef Hansen, drejtues i departamentit të koniunkturës dhe rritjes ekonomike në Bankën Federale e shpjegon këtë me perspektivën e mirë ekonomike. "Arsyeja tjetër: Ne kemi një nivel të ulët të normave të interesit, pra mundësia e blerjes së një apartementi është përmirësuar." Nga ana tjetër për shkak të krizës ekonomike dhe financiare vihet re një tendencë e investimit të kapitalit në forma të sigurta, si për shembull në imobilie, shprehet eksperti i Bankës Federale. Kjo sjell rritjen e çmimeve, sepse kërkesa tejkalon ofertën.

Kriza në SHBA
Kriza në SHBAFotografi: AP

Rrezik krize edhe në Gjermani?

Për shkak të rritjes së çmimeve, shumë vëzhgues sjellin në kujtesë zhvillimet e viteve të fundit në SHBA, Irlandë apo Spanjë. Edhe atje iu besua fillimisht një zhvillimi ekonomik në dukje që shkoi paralelisht me bumin imobiliar. Por në fund tregu i fryrë u shpërbë, këto vende gati falimentuan, duke e zhytur ekonominë botërore në një nga krizat e saj më të rënda.

Michael Voigtländer
Michael VoigtländerFotografi: Privat

Sipas Prof. Michael Voigtländer është për t'u vlerësuar fakti që Banka Federale i ndjek me vëmendje këto zhvillime. Megjithatë Gjermaninë nuk e kërcënon rreziku i një tregu të fryrë imobiliesh, pasi situata e këtij vendi nuk mund të krahasohet me vendet e tjera. "Në Spanjë për shembull vëllimi i kredive për blerje shtëpish u dyfishua apo trefishua brenda pak vitesh, ndërsa në Gjermani ky vëllim ka mbetur konstant."

Si shkaktar krize në vende si Spanja, Irlanda apo SHBA shihet një faktor tjetër: Blerës me shumë pak kapital fillestar morën kredi tepër të larta. Pjesërisht mjaftonte që blerësit të ofronin vetëm 10% të çmimit të imobilieve. Pasojat ishin dramatike.

Ofertë dhe kërkese

Eksperti Michael Voigtländer vëren se disa pronarë imobiliesh po përdorin normat e ulta të interesit aktualisht për të shlyer më shpejt kreditë, ndërkohë që të tjerë investojnë shumë para për të mbrojtur kapitalin e tyre nga një krizë e re. Nga ana tjetër vieht re një rritje e çmimeve të qirave. Për qytetarët me fuqi të vogël blerëse, si pensionistët, të papunët apo studentët kjo është një gjendje e vështirë, por në fund të fundit edhe ky është një tregues se tregu është i shëndetshëm.

Klaus J. Beckmann
Klaus J. BeckmannFotografi: David Ausserhofer

Këtë vlerësim të ekspertit, Voigtländer e ndan edhe eksperti i Bankës Federale, Herman-Josef Hansen: "Çmimi si sinjal për ngushticën funksionon. Përveç kësaj rritja e çmimit është e përqëndruar në qytetet e mëdha më të preferuar."

Megjithatë rezultatet e studimit të Bankës Federale nuk duhet të bëhen shkas për panik, paralajmëron drejtuesi i Institutit Gjerman të Urbanistikës, Klaus J. Beckmann. Është vërtet fakt që çmimet në vitet e fundit janë rritur me 5 apo 10% - por kryesisht në zonat më të populluara gjermane si Kölni, Hamburgu, Mynihu apo Frankfurti. "Në qytetet që shënojnë rënie të numrit të popullsisë, si zonën e Ruhr-it apo Lindjen gjermane tregu ka një problem tjetër. Aty nuk ka investorë, sepse nuk gjenden qiramarrës."