1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lajçak kërkon përparime në raportet Kosovë-Serbi

30 Janar 2024

Mirosllav Lajҫak tha në Prishtinë se është shumë e rëndësishme që të arrihet përparim në raportet Kosovë-Serbi para proceseve zgjedhore që priten në BE dhe SHBA.

https://p.dw.com/p/4bqwQ
Takimi Miroslav Lajcak Vjosa Osmani
Takimi Miroslav Lajcak Vjosa OsmaniFotografi: Office of the Kosovo presidency

Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës që ndalon përdorimin e dinarit serb dhe akuzat e kundërakuzat Prishtinë-Beograd për këtë çështje dhe të tjera në raport me të dy vendet, bënë që i dërguari i BE-së Mirosllav Lajçak, të qëndrojë në Beograd e Prishtinë. Pas takimeve që zhvilloi të marten deri vonë në Prishtinë Lajçak, tha se me gjithë fillimin e zbatimit të marrëveshjeve për energjinë dhe targat e makinave, procesi i dialogut në pamje të gjerë ka shënuar pak përparim. Prandaj ai po bën përpjekje për të përshpejtuar "zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”.

"Falë dialogut ne kemi arritur rezultate në fund të vitit të shkuar. Marrëveshja për energjinë dhe njohja e targave të makinave janë prova konkrete, por ka pasur pak përparim në pamjen e gjerë të normalizimit të marrëdhënieve. Ne kemi marrëveshjen e shkurtit dhe marsit të vitit të kaluar që do të thotë se nuk ka më nevojë të shtrohet pyetja se çfarë duhet bërë, madje ne nuk kemi nevojë të pyesim vetën se si ta bëjmë, por pyetja është se kur të zbatohet dhe nëse pyetem unë, do të thosha sa më shpejt që është e mundur”, tha Lajçak.

Kosovë | Takim Miroslav Lajcak me Albin Kurti
Takim mbi tri orë mes Mirosllav Lajçak kryeministrit Albin Kurti në PrishtinëFotografi: Office of the Kosovo Prime minister

Ai tha se është shumë e rëndësishme që të arrihet përparim në raportet Kosovë-Serbi, para proceseve zgjedhore që priten në Bashkimin Evropian dhe SHBA gjatë këtij viti, duke mos përmendur saktësisht nëse pala kosovare është pajtuar që mos ta zbatojë vendimin e BQK-së që e  ndalon përdorimin e dinarit serb.

Pas takimit mbi tri orë që Mirosllav Lajçak zhvilloi me kryeministrin Albin Kurti, zyra e këtij të fundit tha përmes një komunikate se në takim është diskutuar "për aspektet e ndërlidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes bazike të Brukselit dhe aneksit zbatues të Ohrit, siguria ligjore përmes nënshkrimit të tyre, por edhe për tema e çështje tjera si psh: respektimi i procedurave ligjore drejt zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të vendit”.

Mungesë ekuilibri në dialog

Për çështjen e zhvillimit te zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës, në takim me Lajçak bisedoi edhe Presidetja e Kosovës Vjosa Osmani. Në një njoftim për medie thuhet se Presidentja Osmani ritheksoi nevojën e heqjes së masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog”.

 Miroslav Lajçak duke biseduar me Presideten e Kosovës Vjosa Osmani
Miroslav Lajçak duke biseduar me Presideten e Kosovës Vjosa OsmaniFotografi: Office of the Kosovo presidency

"Në këtë drejtim, ajo përsëriti se Kosova ka ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, duke miratuar edhe udhëzimin administrativ, ndërkaq, theksoi pritjet e saj që kjo e drejtë e qytetarëve të realizohet pa vonesa e në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi”. E sa i përket draft-statutit të Asociacionit, Presidentja ritheksoi se "institucioni i vetëm që mund ta interpretojë përfundimisht përputhshmërinë e këtij akti me Kushtetutën është Gjykata Kushtetuese e Kosovës”, por, po ashtu Presidentja shprehu "shqetësimet e saj lidhur me disa dispozita të këtij drafti, të cilat mund të jenë sfiduese gjatë zbatimit në praktikë”.

Beogradi kërkon anulimin e vendimit të BQK-së për dinarin

I dërguari i BE-së për dilaogun Mirosllav Lajҫak para se të qëndronte në Prishtinë ishte në Beograd ku takoi, Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Sipas zyrës së këtij të fundit, Vuҫiq ka “kërkuar anulimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e përdorimit të dinarit serb për pagesa me para të gatshme në Kosovë”.

"E theksova domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës urgjentisht, dhe kërkova mbështetje nga Bashkimi Evropian për ndalimin e provokimeve të mëtejshme që vijnë nga Prishtina”, shkroi Vuçiq në profilin e tij në Instagram. 

Aleksandar Vucic dhe Miroslav Lajcak
Aleksandar Vucic dhe Miroslav LajcakFotografi: EU-Kommission

Kurse Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se "Vuçiqi ka kërkuar që Prishtina të mos i zbatojë vendimet e reja përshkallëzuese”.  Në këtë mes sipas tij, është edhe vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës që të përdorë vetëm euro për pagesat me para të gatshme në Kosovë.

Ndikim ndaj vendbanimeve me shumicë serbe në Kosovë

Ndalimin e zbatimit të rregullores së BQK-së, e kanë kërkuar edhe vendet e Quint-tit dhe Bashkimi Evropian, por, akoma nuk ka një qëndrim të qartë nga autoritet kosovare  që a do të zbatohet vendimi nga data 01.02, apo jo. Qeveria Kosovës vetëm ka argumentuar se vendimi i BQK-së është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por komuniteti ndërkombëtare kanë thënë se "ky vendim ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe në Kosovë”.

Në Kosovë në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa, ndërkaq, edhe punonjësit që punojnë në institucionet paralele serbe në Kosovë, i marrin pagat me dinarë.