Intervistë me kandidatin për kancelar Armin Laschet
15 Qershor 2021Kandidati i CDU/CSU për kancelar, Armin Laschet, tha në një intervistë për DW se në komunikimin me qeveritë autokratike duhen kërkuar dhe gjetur pika të përbashkëta, sepse kjo është thelbësore në politikën e jashtme. Vërtet që shkeljet e ligjeve ndërkombëtare nuk duhet të pranohen, por "në raste vështirësish duhet të flasim më shumë dhe jo më pak" - tha Laschet në një intervistë për DW.
Marrëdhëniet midis vendeve perëndimore dhe Rusisë aktualisht nuk janë të mira. Sipas fjalëve të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ato janë më të këqiat që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Mosmarrëveshje ka për aneksimin e Gadishullit të Krimesë në Detin e Zi, destabilizimin e Ukrainës, sulmet kibernetike dhe kundërshtarin e Kremlinit, Alexei Navalny, për të përmendur vetëm disa syresh.
Megjithatë, kandidati për kancelari i CDU/CSU, Armin Laschet është kundër një kursi konfrontimi me Moskën. Në intervistën me Deutsche Welle, ai u shpreh në favor të një qëndrimi të qartë për parimet politike - duke shprehur në të njëjtën kohë gatishmërinë për të bashkëpunuar.
Mbajtja e një qëndrimi të qartë nuk e përjashton bashkëpunimin
"Ne i ndjekim parimet tona. Ne nuk pranojmë asnjë shkelje të ligjit ndërkombëtar. Kjo vlen veçanërisht për aneksimin e Krimesë, që është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Por një qëndrim i qartë nuk përjashton nevojën për të gjetur mënyra bashkëpunimi."
Politika e jashtme karakterizohet nga kërkimi i një gjuhe të përbashkët edhe me shtetet që kanë një model tjetër shoqëror, tha Laschet. Ne na duhen Rusia dhe Kina për mbrojtjen e klimës globale dhe për marrëdhënie ekonomike.
Lidhur me kërkesat për një kurs më të ashpër ndaj Rusisë, drejtuesi i CDU tha: "Ne kemi vendosur sanksione, por prishja e marrëdhënieve diplomatike ose veprime të ngjashme janë hapa të gabuar. Nëse kemi vështirësi, duhet të flasim më shumë dhe jo më pak".
Politika gjermane në përputhje me politikën evropiane
Sipas kandidatit për kancelar të CDU/CSU, Armin Laschet, nga pala gjermane nuk ka nevojë për thekse të reja në politikën ndaj Rusisë, sepse "ajo është në përputhje me politikën evropiane". Pozicioni i Gjermanisë është i qartë dhe bashkëpunimi që Gjermania ka me Rusinë duhet të forcohet.
Laschet tha se "Bashkimi Evropian mund të japë së bashku dhe në bashkëpunim transatlantik me SHBA-në një kontribut për lirinë, paqen dhe të drejtat e njeriut në shumë rajone të botës".