Liberalizimi i vizave - shenjë pozitive me shumë pikëpyetje
22 Dhjetor 2015Nëse gjërat shkojnë sipas dëshirës së Komisionit të Bashkimit Evropian, për shtetasit e Gjeorgjisë dhe Ukrainës së shpejti duhet të bëhet liberalizimi i vizave. Por vendimin duhet ta marrin shtetet anëtare të BE. Dhe këtu ka rezistencë. Që para sinjalit pozitiv nga Brukseli, të premten e kaluar (11.12), ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Hermann deklaroi në një intervistë se ky është gabim. "Në vend të përsëritjes së gabimeve që kemi bërë me liberalizimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor, Evropa duhet të mendojë më në fund seriozisht për sigurimin e kufijve të jashtëm", tha ai për "Passauer Neuen Presse".
Republika e Moldavisë si shembull
Në Gjeorgji dhe në Ukrainë janë bërë reforma, thuhet në vendimin e Komisionit të BE. Ngjashëm ka qenë vlerësimi edhe në vitin 2014, para liberalizimit të vizave për Republikën e Moldavisë. Ky vendim kishte një sfond krejt tejtër, sepse edhe politikanët e Kishinaut kanë qenë të bindur se këtë vendim e ka përshpejtuar kriza në Ukrainë. Ndërkohë që 300.000 shtetas të Moldavisë kishin kërkuar më parë edhe nënshtetësinë e Rumanisë, që do të thotë se janë pajisur me pasaporta të një vendi anëtar të BE.
Për shtetasit e tjerë të Republikës së Moldavisë - edhe për ata të cilët i takojnë rajonit seperatist pro-rus në Transnistri - heqja e vizave ka qenë një instrument i mirëseardhur, për t'u njohur me Evropën në mënyrë direkte. Ky ishte edhe një shkak tjetër pse Brukseli megjithë rezervat për reformat i ka dhënë dritën jeshile heqjes së vizave për këtë vend - që tëalidhë Moldavinë më ngushtë me unionin. Për vet qytetarët kjo do të thotë një trajtim më njerëzor dhe jo pritje e domosdoshme para kosullatave evropiane. Me orë e ndonjëherë edhe me ditë të tëra është pritur në radhët e gjata për një viztë. Vizat kanë qenë shumë të shtrenjta edhe në tregun e zi. Ka pasur madje edhe korrupsion me viza. Të gjitha këto tani i takojnë të kaluarës.
Pa ndonjë "liri të madhe"
Por edhe udhëtimet pa viza u nënshtrohen një varg rregullave në vendet e zonës Shengen. Moldavët duhet të kenë një pasaportë biometrike, të vlefshme me afat të paktën tre muaj para se të përfundojë një udhëtim. Rreth 800.000 shtetas të Moldavisë kanë një pasaportë biometrike, ndërsa rreth dy milionë kanë pasaportë të vjetër. Një pasaportë biometrike kushton rreth 200 euro, që do të thotë deri në 40 % të të ardhuave mesatare në këtë vend.
Moldavët nuk guxojnë të qëndrojnë më gjatë se 90 ditë brenda një gjysmë viti në territorin e BE. Për të vizituar disa vende, moldavëve edhe më tej u duhen viza, si për shembull, në Irlandë apo në Britaninë e Madhe. Para një udhëtimi të caktuar sugjerohet që të shihen me vëmendje rregullat e paraqitura në faqen e ambasadës së Gjermanisë atje. Këtu bën pjesë edhe informacioni që në kufi kërkohen dokumente shtesë, si për shembull, bileta kthyese, dëshmia e gjendjes financiare, apo ftesa për vizitë apo pejsëmarrje në ndonjë konferencë. Punësimi në shumicën e vendeve të BE nuk lejohet pa një leje pune as për periudhën më të shkurtër se tre muaj.
Sipas të dhënave nga CKishinau, brenda një viti (pril 2014-pril 2015) këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar gjysmë milioni moldavë - prej tyre 75.000 nga Transnistria. Ministrja e Jashtme Natalia Gherman shpjegon se "rreziku i migrimit të shtetasve moldavë në BE", ka mbetur i ulët.
Gati pa pasoja politike
Qëllimi që liberalizimi i vizave të forcojë perpsektivën proevropiane të Moldavisë ka mbetur më shumë dëshirë e BE dhe e forcave reformatore në këtë vend. Procesi i reformave ka mbetur në vend, ndërsa Moldavia është futur prej muajsh në një krizë të rëndë ekonomike dhe politike. Paritë e ashtuquajtura proevropiane po grinden mes tyre dhe në të gjitha sondazhet, partitë proruse janë në epërsi. Vendi mbetet i përçarë, ndërsa gjenerata e re po largohet nga vendi. Me pasaportat rumune ata mund të fitojnë të drejtën e punës apo si turistë mund të shijojnë lirinë e lëvizjes. Shumë prej tyre kërkojnë edhe studime në vendet e BE, sepse nuk shohin ndonjë perspektivë në vendin e tyre. Se kur do të shijojnë këto të drejta edhe ukrainasit dhe shtetasit e Gjeorgjisë, ende nuk dihet. Por sipas Komisionit të BE, kjo duhet të ndodhë në verën e vitit 2016.