1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lidhja energjetike e Lituanisë me Europën

Angelina Verbica30 Maj 2014

Lituania është një nga ekonomitë me rritje më të shpejtë të BE-së dhe për këtë arsye e uritur për energji. Deri tani vendi ka qenë i varur nga importet ruse. Por kjo po ndryshohet shumë shpejt.

https://p.dw.com/p/1C9Oe
Fotografi: DW/M. Griebeler

Që prej fillimit të majit në Alytus, një qytet i vogël industrial në jug të Lituanisë, ndërtohet. Lumi Nemunas rrjedh mes për mes tij. Në dy shekujt e fundit dy pjesët e qytetit buzë lumit i përkisnin shpesh vendeve të ndryshme. Edhe në të ardhmen këtu ndahen rrugët: Një inxhinier në nënstacionin Alytus tregon me dorë rrjetin e shpërndarjes. "Kjo është traseja për në Bjellorusi. Krahas saj po ndërtohet 'LitPol Link', lidhja për në Poloni", shpjegon ai. koma shtyllat prej çeliku janë të shtrira në tokë, në mes të luleve dhe shkurreve të pranverës. Por në ditet e ardhshme ato do të ngrihen drejt qiellit, fundamenti i një gjëje të madhe, përmes tyre bëhet lidhja e Lituanisë me rrjetin elektrik evropian, 163 km deri brenda në Poloni.

"Hap pas hapi ne do të bëhemi pjesë e një unioni energjitik", thotë Daivis Virbickas, drejtor i operatorit të rrjetit Litgrid. Gati simbolikisht të dy trasetë kalojnë paralelisht pranë njëra tjetrës, për t'u degëzuar pastaj, njëra për në jugperëndim dhe tjetra si gjithmonë në lindje.

Lituania në rritje ekonomike
Lituania në rritje ekonomikeFotografi: DW/M. Griebeler

Rrugëdalje nga varësia

"Aktualisht në Lituani ne kemi dyfishin e traseve të rrymës, që na nevojiten", thotë Jurgis Vilemas, ekspert i energjisë në universitetin Kaunas. "Problemi është se deri tani ato lidheshin kryesisht me fqinjët lindorë Rusinë dhe Bjellorusinë. Tani ekziston frika, se ato mund të na e ndërpresin rrymën." Rreth 70 për qind e energjisë elektrike vjen nga Rusia, në furnizimet me gaz madje varësia nga gazi rus është 100 për qind. Dhe çmimet e tij për Lituaninë janë shumë më tepër të larta se niveli i Evropës Qendrore.

Edhe kjo është arsyeja, përse vendi bën hapa të shpejtë për të shpëtuar nga kjo varësi. Paralelisht me "LitPol Link" që nga mesi i qershorit po punohet për një lidhje nënujore për rrymën elektrike nga Lituania për në Suedi: "NordBalt", një projekt evropian prej 580-milionë eurosh dhe linja kabllore e treta në botë për nga gjatësia nën ujë. Edhe pse sistemi energjetik i Lituanisë është pjesë integrale e atij rus, është planifikuar sinkronizimi me rrjetin evropian kontinental. Në qytetin port Klaipėda po ndërtohet gjithashtu një terminal i gazit të lëngshëm, i cili do të fillojë punën në fund të vitit.

Disa varësi vazhdojnë të ekzistojnë

"Pavarësi do të thotë: Mundësia e konsumatorëve për të zgjedhur", thotë Daivis Virbickas. "Dhe nëse ne krahas lidhjes me lindjen kemi edhe këto lidhje me rrjetin me Poloninë, Suedinë, me Finlandën përmes Estonisë, kjo do të thotë për ne më shumë siguri energjetike."

Vetëm se Lituania do të duhet ta importojë rrymën edhe në të ardhmen. Për dekada të tëra Lituania prodhonte energji me kosto të lirë, madje edhe për të gjithë rajonin e Balltikut dhe Bjellorusinë. Por centrali bërthamor Ignalina u mbyll në vitin 2009 me nxitjen e Bashkimit Evropian. Ishte një kusht për pranimin e Lituanisë në BE. Shumë e pasigurtë është termocentrali i llojit të Çernobilit.

Tubacione për Lituaninë që kalojnë Bjellorusia
Tubacione për Lituaninë që kalojnë BjellorusiaFotografi: imago/ITAR-TASS

Energjia alternative nuk përbën akoma alternativë

Boshllëku duhej të ishte mbyllur prej kohësh përmes një centrali të ri bërthamor në afërsi të qytetit Visaginas. Por në vitin 2012 qytetarët i refuzuan këto plane në një referendum. Vendimi nuk është detyrues për politikën dhe diskutimet me qeveritë fqinje baltike vazhduan, por një vendim përfundimtar deri sot nuk ka. Megjithatë zor se mund të bëhet një ndërtim i ri, thotë Vilemas: "Energjia bërthamore nuk është gjë për shtetet e vogla. Kaq shumë para për ndërtimin ne nuk kemi dhe BE nuk jep asgjë për të. Përveç kësaj kostot e prodhimit do të ishin të paktën dy herë më të larta se çmimi i tregut."

Energjitë alternative mund të ishin një mundësi, por ato nuk janë ende të zhvilluara sa duhet. Ato mbulojnë deri tani rreth 20 për qind të nevojës për energji. Jurgis Vilemas nuk shqetësohet nga mungesa e prodhimit të energjisë në vend: "Për sa kohë që prodhimi vendas është shumë i shtrenjtë, nuk ka kuptim." Dhe lidhjet e reja ofrojnë rezultatet më të mira me investime minimale, lidhjet me vendet me marrëdhënie të mira politike. Në fund të vitit 2015 trasetë e reja do të jenë të përfunduara.