Ligj falimentimi për eurozonën?
4 Gusht 2015"Kemi nevojë për një ligj falimentimi për shtetet, sepse shembulli i Greqisë tregon qartë se nuk e kemi ende një procedurë funksionale." Jürgen Matthes nga Instituti i Ekonomisë Gjermane e vë gishtin në plagën e debatit për "grexit" në Eurozonë. Greqia na tregon se sa e rëndësishme është që të kemi një ligj falimentimi. "Gjendja është kaq e keqe, e nuk duhej të kishte shkuar kaq larg. Sepse borxhet më të mëdha të grekëve janë tek kreditorët publikë. Kjo duhet penguar në të ardhmen."
Shansi i një fillimi të ri
Ajo që nuk ekziston për shtetet është e mirërregulluar me ligj brenda një ekonomie. Kur një firmë për një kohë të gjatë shpenzon më shumë para se sa fiton, dihet që nuk i ka punët mirë. Vjen një moment e kreditorët e klientët e humbasin besimin. Pasoja: Falimentimi.
Pasi bëhet e qartë mungesa e likuiditetit, e merr komandën një administrator i falimentimit. Ai kujdeset që të mos ketë shumë të zhgënjyer, të plotësohen pretendimet e në rastin më të mirë gtë jendet një zgjidhje që firma të mos mbyllet e të mos dalin në rrugë punonjësit. Një model të tillë të ngjashëm Gjermania e praktikon prej vitesh edhe për persona privatë. Në rast se dikush është i mbytur në borxhe, shpallja e falimentimit privat i jep atij shansin për një fillim të ri.
Në fund qëndron mekanizmi i shpëtimit ESM
Një procedurë e falimentimit funksionon mbi bazën e një pyetjeje: Kush e konstaton falimentimin? Jürgen Matthes e përshkruan një procedurë normale në këtë mënyrë: "Si rregull vendi shtron kërkesën tek Mekanizmi Europian i Stabilitetit, pra ombrella europiane e shpëtimit (ESM) dhe aty analizohet përballueshmëria e borxheve për vendin." Eksperti kritikon që nuk ka një procedurë të rregullt për veprime të mëtejshme - si psh. çfarë duhet bërë nëse një vend nuk mund të kthejë më borxhet, pra kur përcaktohet zhytja e pashpresë në borxhe. Ekonomisti mendon se "kemi nevojë për një ndryshim, një mprehje të rregullores për të thënë: Tani fillon procedura e falimentimit."
Por në këtë rast duhet që ta konstatojë falimentimin një institucion tjetër, jo shteti i kërcënuar nga falimentimi. Si mundësi të fundit, Jürgen Matthes thekson ESM-në. Ky mekanizëm duhet të ketë mundësinë që me një "mazhorancë absolute të iniciojë procedurën e falimentimit."
Pjesa e parë e kësaj procedure do të ishte që një vend të merrte përsipër detyrimin që për tre vite të bënte reforma, të rivendoste aftësinë konkurruese dhe të reduktonte shpenzimet. Po qe se kjo nuk funksionon atëherë do të duhej të vihej në veprim procedura e falimentimit, sipas Matthes.
Pengesa të tjera
Por edhe nëse arrihet që të merret miratimi për fillimin e procedurës së falimentimit, kjo nuk do të thotë që ajo do të zbatohet. Sipas ekspertit Jürgen Matthes, vendet e zhytura në borxhe sigurisht nuk do të duartrokisnin me entuziazëm nëse kjo procedurë do të bëhej gjithnjë e më shumë realitet. Këtu do të dilte një punë Herkuli për ministrat e Financave të Eurozonës: "Të marrësh miratimin e vendeve të zhytura në borxhe është sigurisht një sfidë." Por nuk llogaritet një "Po" e prerë edhe nga vendet prosperuese të veriut europian.
Frika nga humbja e sovranitetit
Ekzitson frika se një ligj falimentimi mund të verë në gjumë politikanët joseriozë përgjegjës për buxhetin. Prandaj thotë Jürgen Matthes "duhet penguar që shtetet të marrin borxhe pa fund, sepse në fund të fundit mendojnë: vjen një moment dhe unë shpall falimentimin, pa shumë dhimbje, e kështu i heq qafe borxhet." Por ekspertët mendojnë se një procedurë e rregulluar me ligj do të pengonte edhe marrjen pa kufi të borxheve. Këtë do ta pengonin kushtet për reforma që do vendoseshin: Sepse ato do të thonë për një shtet humbje të dukshme të sovranitetit. "Dhe kjo humbje e sovranitetit ka një çmim të lartë politik. Qeveritë nuk duan t'i futen kësaj rruge."