Lindja e mesme në prag të shkallëzimeve të reja
3 Mars 2008Sipas të dhënave palestineze janë vrarë të paktën 116 palestinezë, ndërsa janë plagosur mbi 350. Ndër viktimat ka shumë civilë, fëmijë dhe të rinj. Gjatë luftimeve të ashpra janë vrarë edhe dy ushtarë izraelitë. Ushtria izraelite ndërkohë ka tërhequr trupat e këmbësorisë, por ato janë ndalur në brezin kufitar, ku po poresin urdhërat e mëtejme. Urdhërat do të vijnë së shpejti, pohon ministri për sigurinë e brendshme, Meir Shitrit.
"Jam i lumtur që më në fund mund të veprojmë dhe mendoj se tani operacioni nuk duhet ndalur, por duhet goditur edhe më fuqishëm. Në qoftë se as kjo nuk ndihmon, duhet ndërmarrë një ofensivë edhe më e gjërë ushtarake. Nuk duhet të hezitojmë të futemi as në rajonet e banuara. E di se çfarë do të thoshte kjo, sepse edhe vetë kam qenë ushtar, por nëse nuk bëhet ndryshe, duhet të futemi edhe në lagjet e banuara dhe të luftojmë atje", thotë ministri.
Shitrit pohon se viktimat civile janë të justifikueshme, sepse Izraeli duhet t'i mbrojë qytetarët e vet. Lideri opozitar Benjamin Natanjaju, në radio, bëri thirrje për mposhtjen e Hamasit.
"Dje isha në Ashkelon ku populli kërkon siguri dhe zgjidhje. Goditjet palestineze me raketa duhet të përfundojnë. Duhet ta ndryshojmë politikën e balancimeve dhe të kalojmë në politikën e marrjes së vendimeve. Terroristët e Hamasit duhet ta paguajnë nëj çmim shumë të lartë, duhet ta dridhim qeverinë e tyre e ndoshta edhe ta rrëzojmë", pohon Netanjahu.
Opozita dhe qeveria deri tani nuk kanë kërkuar armëpushim me Hamasin, që për specialistin e lëvizjeve islamike, Immanuel Sivan është e pakuptueshme. Ai kërkon bisedime me Hamasin.
"Marrëveshje armëpushimi. Besoj se të dyja palët janë shumë afër, sepse Izraeli është shumë afër tejkalimit të të gjitha linjave të kuqe. Ndërkohë që palestinezët e kanë kuptuar se me sulmet në Ashkelon janë futur në rrethin e djallit dhe po e humbin edhe mbështetjen e botës arabe. Hamasi nuk është i fuqishëm aq sa duket. Ata do të jenë të dobësuar edhe në tryezën e bisedimeve", mendon eksperti nga Jeruzalemi.
Ministri i mbrojtjes ,Ehud Barak i ka ftuar krerët e ushtrisë dhe ministrisë së drejtësisë në një takim, ku do të bisedohet se deri ku mund të shkojë Izraeli, me qëllim mbrojtjen prej goditjeve me raketa.