1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lindner kërkon procesin e votëbesimit nga kryesia e FDP-së

6 Shkurt 2020

Zgjedhja e diskutueshme e kryeministrit të landit të Tyringjisë tronditi edhe FDP-në në nivel federal. Kryetari i FDP-së Lindner do të përballet me votëbesimin nga kryesia.

https://p.dw.com/p/3XMWt
Deutschland PK Christian Lindner Ministerpräsidentenwahl Thüringen
Kryetari i partisë FDP Christian LindnerFotografi: picture-alliance/dpa/M. Schutt

Zhvillimet e diskutueshme për zgjedhjen e liberalit Thomas Kemmerich si kryeministër i landit të Tyringjisë me ndihmën e votave nga populistët e djathtë të AFD-së, e kanë vënë nën presion masiv partinë liberale FDP në nivel federate. Kryetari i partisë FDP Christian Lindner do që kryesia e partisë së tij të vendosë për votëbesimin. "Kryesia federale e partisë duhet të rilegjitimohet, kështu nuk mund të vazhdohet", tha Lindner në një konferencë shtypi në Erfurt. Ai ka thirur një mbledhje të jashtëzakonshme të kryesisë së partisë për të premten (7.02) , për "të siguruar mbështetjen" e saj. Thomas Kemmerich ka marrë vendimin e vetëm të duhur dhe të mundshëm, tha Lindnder, lidhur me deklarimin e tij, se do të kërkojë shpërndarjen e parlamentit dhe do të japë dorëheqjen në Tyringji. Brenda një dite ai me këtë është çliruar prej varësisë nga AFD-ja, tha Lindner.

Kemmerich do të japë dorëheqjen dhe të hapë rrugën për zgjedhje të reja në Tyringji

Kryeministri liberal i sapozgjedhur i Tyringjisë më parë deklaroi, se do të japë dorëheqjen. Grupi parlamentar i FDP-së do të paraqesë kërkesën për shpërndarjen e parlamentit të landit, për të hapur rrugën për zgjedhje të reja. "Thomas L. Kemmerich me këtë do të shmangë njollën që u  krijua pas zgjedhjes së tij me mbështetjen e AFD-së", thuhet në komunikimin e grupit parlamentar të liberalëve.

Thomas Kemmerich - Kryeministër për një ditë

Ministerpräsidentenwahl in Thüringen Thomas Kemmerich
Thomas KemmerichFotografi: picture-alliance/dpa/M. Schutt

"Dorëheqja është e pashmangshme", tha Kemmerich në Erfurt. "Dje AfD-ja me një truk perfid u përpoq të dëmtojë demokracinë." Më tej ai tha: "Demokratëve u duhen mazhoranca demokratike. Që me sa duket nuk mund të krijohen në këtë parlament."

Sekretari i përgjithshëm i CDU-së Paul Ziemiak u shpreh i lehtësuar për këtë zhvillim të fundit në Tyringji. Vendimi për shpërbërjen e parlamentit është i logjikshëm. Ai e përshëndeti vendimin e FDP-së në Tyringji, për të "shmangur dëmin e mëtejshëm". "Zgjedhjet e reja janë rruga më e  mirë dhe më e qartë", tha Ziemiak. Të gjitha të tjerat CDU-ja do t'i diskutojë të premten në një mbledhje të jashtëzakonshme të presidiumit.

Kemmerich, partia e të cilit në zgjedhjet për parlamentin e landit të Tyringjisë në vjeshtë mezi e kaloi pragun e përfaqësimit parlamentar, të mërkurën (05.02) u zgjodh me votat e liberalëve, CDU-së dhe AFD-së kryeministër. Ai fitoi me pak diferencë kundrejt kryeministrit të deritanishëm nga partia E Majta Bodo Ramelow. Eshtë hera e parë që AFD ndihmoi ardhjen e një kryeministri në post.

Ramelow vazhdon të jetë në dispozicion për kandidim, tha nënkryetari i partisë E Majta në Tyringji, Steffen Dittes.

Kritikë nga niveli më i lartë

Kancelarja Angela Merkel u shpreh gjatë udhëtimit të saj në Afrikën e Jugut, se zgjedhja e Kemmerich me votat e AFD-së është "e pafalshme". Rezultati i këtij veprimi duhet të zprapset, tha Merkel. Në mënyrë indirekte me këtë ajo u shpreh për zgjedhje të reja.

Socialdemokratët dhe ekologjistët e konsideruan këtë si një thyerje tabuje, që për herë të parë një kryeministër zgjidhet me mbështetjen e AFD-së. Edhe kryesia e CDU-së dhe FDP-së u shprehën ngjashëm.

Zgjedhja e Kemmerich shkaktoi jo vetëm tërmet politik: Të mërkurën në qytete të ndryshme të Gjermanisë njerëzit demonstruan kundër zgjedhjes së tij.

qu/ust/uh (dpa, afp)