1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Liria e fesë në botë sërish e rëndësishme për BE-në

11 Korrik 2020

Respektimi i lirisë fetare është tregues i rëndësishëm për vlerësimin e konsolidimit të demokracisë dhe vendimi i BE-së për të ngarkuarin e ri të posaçëm duhet përshëndetur.

https://p.dw.com/p/3f1RJ
Symbolbild Nebeneinander von Religionen
Fotografi: picture-alliance/dpa/R. B. Fishman

Komisioni i BE-së vendosi ta rishikojë vendimin e mëparshëm dhe të emërojë një të ngarkuar të ri të posaçëm të BE-së për promovimin e lirisë së fesë dhe të besimit në botë.

Politikanët e BE-së e përshëndetën vendimin për të caktimin e një të dërguari të ri të posaçëm të BE për këtë detyrë. "Liria fetare është nën presion në botë, qoftë për të krishterët në Kinë, qoftë myslimanët në Indi", tha Manfred Weber (CSU), kryetar i Partive Popullore Evropiane (EPP) në Parlamentin Evropian. Evropa duhet të bëjë më shumë për të mbrojtur këtë liri themelore.

Christentum in China
Kishë e shkatërruar në Zhengzhou, KinëFotografi: picture-alliance/AP Photo/Ng Han Guan

Nënkryetari i Komisionit të BE-së, Margaritis Schinas, tha se njoftimi për të emëruar një të dërguari të ri të posaçëm të BE për lirinë fetare tregon vendosmërinë e Komisionit për të mbrojtur të drejtat e të gjitha bashkësive fetare në të gjithë botën.

Sfidë e madhe

President i Komitetit Qendror të Katolikëve gjermanë (ZdK), Thomas Sternberg, e përshëndeti po ashtu vendimin e Bashkimit Evropian: "Detyra për të punuar për ruajtjen e të drejtës së njeriut për lirinë fetare përbën një sfidë të madhe," tha Sternberg. BE-ja duhet të ndjekë një politikë të jashtme të orientuar drejt vlerave dhe kjo përfshin edhe aangazhimin për të drejtat e njeriut, theksoi ai.

Respektimi i lirisë fetare është "gjithashtu një tregues i rëndësishëm për vlerësimin e konsolidimit të demokracisë", shtoi Sternberg. Prandaj, zyra e dërguarit të ri të posaçëm të BE duhet të "pajiset me buxhetin e duhur dhe një mandat të qartë në mënyrë që të jetë me të vërtetë e aftë të funksionojë".

Hap i rëndësishëm

Posti i të ngarkuarit të posaçëm u krijua nga ish-Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, në vitin 2016 në përgjigje të reagimeve të Parlamentit Evropian pas masakrave ndaj pakicave fetare në Irak dhe Siri nga grupi terrorist "Shteti Islamik". Ky pozicion iu ngarkua aso kohe Jan Figel.

Bagdad Graffiti  Versöhnung Schiiten Christen
Fotografi: DW/J. Neurink

Në mes të qershorit të këtij viti, Komisioni, i cili tani drejtohet nga Ursula von der Leyen, njoftoi se ky pozicion do të shkrihej dhe detyrat që më parë i ishin besuar të ngarkuarit të posaçëm do të merreshin përsipër nga nënkryetari i Komisionit, Margaritis Schinas dhe përfaqësuesi special i BE-së për të drejtat e njeriut dhe demokracinë, Eamon Gilmore.

Figura kryesore të bashkësive fetare të Evropës u shprehën me shqetësim për vendimin e Komisionit Evropian për të mos pasur më një të ngarkuar të posaçëm të BE-së për promovimin e fesë dhe besimit në botë. Në një intervistë për DW, presidenti i Konferencës së Rabinëve Evropianë, kryerabini i Moskës Pinchas Goldschmidt, e quajti këtë masë "sinjal të gabuar në një kohë, kur hebrenjtë dhe pakicat e tjera fetare po bëhen gjithnjë e më shumë, si në internet dhe në jetën e përditshme, pre e sulmeve ekstremiste dhe ushtrimi i lirë i fesë po minohet".