1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lista Serbe nuk lejohet të marrë pjesë në seancë

6 Dhjetor 2024

Deputetët e Listës Serbe u paraqitën në sallën e Kuvendin pas një mungese gati gjashtë mujore, por ata u penguan nga deputet të Lëvizjes Vetëvendosje. Beogradi ka denuar këtë veprim.

https://p.dw.com/p/4npnY
Kosovë | Parlamenti i Kosovës gjatë një seance
Parlamenti i KosovësFotografi: Office of the Kosovo Parliament

Kryetari i Parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca ndërpreu të enjten në mbrëmje një seancë parlamentare për të pamundësuar pjesëmarrjen e deputetëve serb nga Lista Serbe. Deputetët serbë, erdhën në sallën e Kuvendin pas një mungese gati gjashtë mujore, por ata u penguan të ulën në ulëset  e tyre nga deputet e Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti. Kryetari i kuvendit Glauk Konjufca akuzoi nëntë deputetët eListës Serbe për, siç tha ai, "provokim dhe keqpërdorim të parave të taksapaguesve duke u paraqitur vetëm një herë në gjashtë muaj". Deri më tash, deputetët e Listës Serbe janë nënshkruar pa pengesa në seancat e kuvendit.

Largimi i Listës Serbe nga Kuvendi

"Ju drejtohem deputetëve të Listës Serbe që vijnë e provokojnë në këtë mënyrë: Është me të vërtetë e patolerueshme kjo sjellje dhe ardhja në Kuvend një herë në gjashtë muaj, për të keqpërdorur paratë e taksapaguesve. Në anën tjetër e luftoni Kosovën me çdo mjet që keni. Shkoni i rrini gatitu shefit kriminel Millan Radoiçiq, e  keni guxim të vini në Kuvendin e Kosovës. Turp të keni, ndërpritet kjo seancë e kërkoj që ta lironi këtë sallë”, tha Konjufca.

Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe mori përsipër përgjegjësinë për sulmin e 25 shtatorit të vitit 2023 në veri të Kosovës në Banjska ku u vra një rreshter i Policisë së Kosovës.

Kosova | Glauk Konjufca gjatë një debati në Parlament
Glauk Konjufca në ParlamentFotografi: Office of the Kosovo Parliament

Reagimi i Beogradit

I menjëhershëm ishte reagimii Beogradit zyrar përmes ministrit të Jashtëm serb Marko Gjuriq. Ai shkroi se, "veprimi i sotëm në Parlamentin e Kosovës është një veprim i lëvizjes Vetëvendosje që, sipas tij, synon të bllokojë pjesëmarrjen e deputetëve serbë në seancë dhe me forcë duan t'ua marrin mandatet".

Gjuriq u bëri thirrje diplomatëve perëndimorë të reagojnë ndaj kësaj ngjarjeje dhe të "sigurojnë mbrojtjen e proceseve demokratike dhe të drejtave të pakicave në Kosovë”.

Edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se "veprimi i sotëm tregon se Lista Serbe është pengesë për kryeministrin Albin Kurti, meqë ajo mbron interesat e popullit serb”. Sipas tij, "populli serb ua ka dhënë ulëset dhe legjitimitetin atyre, ndërsa Kurti nuk mund t'ua heqë mandatet apo t'ua ndalojë pjesëmarrjen”.

Reagimet e partive parlamentare

Edhe dy parti shqiptare opozitare në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës dhe dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, reaguan lidhur me pengimin e Listës Serbe. Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha për mediet lokale se "asnjë deputet nuk ka të drejtë t'ia ndalojë një deputeti tjetër të hyjë në sallë”.

"Asnjë deputet nuk i nënshtrohet asnjë lloj detyrimi. Mendoj se tërheqja e vërejtjes publike do të ishte e arsyeshme nga kryetari i Kuvendit dhe normalisht mund të merren edhe masa tjera nëpërmjet kryesisë, ndëshkime individuale ose ndëshkime për të gjithë deputetët që nuk marrin pjesë në seanca. Mund të shikohet dhe të ndryshohet edhe ligji, por jo duke pamundësuar fizikisht që ata të hyjnë në sallë”, tha Gashi.

Parlamenti i Kosovës
Parlamenti i KosovësFotografi: Armend Osmani/AFP

Ndërsa deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, tha se reagimi i kryetarit të Kuvendit Konjufca dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje "është pjesë e fushatës zgjedhore”. Ajo rikujtoi që para një viti ka bërë kërkesë, siç thotë, "për mostolerimin e praktikës që deputetët të vijnë vetëm për t'u nënshkruar dhe të marrin paratë e taksapaguesve, duke dëmtuar Republikën e Kosovës”.

"Lista Serbe është kategori kushtetuese, por mendoj se duhet gjetur një zgjidhje që kjo qasje të ndërpritet një herë e përgjithmonë, sepse është e pakuptimtë që të paguhen deputetët e Listës Serbe me paratë e taksapaguesve dhe të dalin e të punojnë kundër Republikës së Kosovës”, tha Musliu.

Partia më e madhe e serbëve të Kosovës Lista Serbe përfaqësohet me nëntë nga dhjetë vendet e rezervuara për pakicën serbe në Kuvendin e Kosovës. Por, që nga viti 2022 ata nuk marrin pjesë vazhdimisht në seancat e parlamentit, në shenjë pakënaqësie me veprimet e qeverisë së Kosovës në veri të  vendit. Që nga fundi i vitit 2022 ata paraqiten në seanca vetëm çdo gjashtë muaj për t'u nënshkruar, sa për të mos humbur mandatet dhe për të marrë pagën e deputetit. Sipas ligjit për deputetët, nje deputet e humb mandatin vetëm nëse nuk merr pjesë më shumë se gjashtë muaj në seanca.