"Si t'ia them gjyshit kur të shkoj në parajsë?"
25 Shkurt 2022Slavisha Rosiç bën çdo ditë patrullime. Sheh të huaj që ecin nëpër fshat. Ndonjëherë ata marrin prova nga dheu, ndonjëherë presin pemë. Fermeri Rosiç dhe fqinjët e tij në fshatin Gornje Nedeljice janë prej muajsh në luftë të lodhshme nervash me kompaninë britaniko-australiane të minierave, Rio Tinto, e cila synon të hapë një minierë litiumi në qendër të fshatit.
“Dikush do ta paguajë me kokën e vet po vazhdoi kështu" , thotë Rosiç, duke treguar vendin ku do të ndërtohet miniera dhe uzina përpunimit. Aty ka ende ara dhe shtëpi, e as kisha ortodokse nuk është larg. Kështu duhet të mbetet, thotë Rosiç. "Po erdhën makinat, do të shëmbohet. Ne jemi në gatishmëri për çdo gjë."
Është vetëm një ekzagjerim i vogël të thuhet se jo vetëm presidenti serb Aleksandar Vuçiq, por edhe Bashkimi Evropian nuk dinë si t'ia bëjnë me Rosiçin dhe bashkëluftëtarët e tij. Litiumi nga Lugina e Jadarit në Serbinë perëndimore konsiderohet si një shpresë e madhe për pavarësimin e Evropës me këtë lëndë të parë të rëndësishme. Mes kullotave dhe arave me misër në Gornje Nedeljice janë rreth 200 milionë tonë jadarite - kështu quhet minerali lokal. Mjafton për bateritë e një milionë automobilëve elektrikë në vit - për disa dekada.
Protesta mbarëkombëtare
Vuçiç dhe media pro-qeveritare serbe premtojnë rritje prej së paku një miliardë euro të prodhimit vjetor ekonomik Mund të jetë edhe njëzet miliardë, kishte llogaritur Vuçiq në rast se në Serbi do të ndërtohej një fabrikë baterish dhe një fabrikë për prodhimin e automobilëve elektrikë.
Por në janar, qeveria njoftoi çuditërisht në mënyrë të befasishme fundin e projektit të grupit Rio Tinto. Më parë kishte pasur protesta të paprecedente mjedisore. Me muaj të tërë, dhjetëra mijëra njerëz në të gjithë vendin kishin bllokuar rrugët dhe autostradat për të protestuar për ajër të pastër, ujë dhe tokë dhe më shumë mbrojtje mjedisore.
Ndalimi i projektit si manovër e fushatës zgjedhore?
Politologu Vujo Iliç dyshon se ky vendim për të mbyllur projektin është një manovër e fushatës zgjedhore nga Vuçiq. Në fillim të prillit 2022 në Serbi do të zhvllohen zgjegjet për parlamentin dhe presdentin e ri, si edhe zgjedhjet lokale për bashkinë e Beogradit.
Pas një bojkoti zgjedhor në qershor 2020, opozita e fragmentuar tani llogarit të ketë shance për të fituar kundër Vuçiqit, i cili prej vitesh po e qeveris vendin në mënyrë gjithë e më autoritare. “Protestat nuk ishin vetëm radikale – ato i drejtoheshin edhe votuesve nga Partia Progresive Serbe, që është në pushtet," i tha Iliç DW.
"Rebelimi kundër Rio Tintos kishte një aspekt ekologjik të krahut të majtë, si dhe një aspekt të fortë, anën konservatore. Ai mobilizoi popullsinë urbane si dhe atë rurale dhe gjithashtu shërbeu narrativën e një korporate të huaj që dëshiron të grabisë burimet tona”.
Pra, miniera do të hapet?
Aleanca Evropiane e Baterive (EBA) - e bashkëthemeluar nga BE - flet për një "pengesë serioze" të planeve evropiane për të bërë kthesën në fushën e transporteve. Që në vitin 2024 do të ketë mungesa litiumi, ndërsa pas vitit 2030 mund të mbetet e papërmbushur gjysma e kërkesës, thotë EBA, në një përgjigje për DW.
Besoj se askush në Serbi nuk dëshiron që pushtetarët në Beograd t'i thonë lamtumirë minierave të litiumit. As aktivistët dhe opozitarët, as shkencëtarët e fshatarët.
Iliç beson gjithashtu se projekti do të ringjallet pas zgjedhjeve. “Narrativa kryesore e
qeverisë ka qenë gjithmonë se Serbia është duke u fokusuar në rritje, modernizim dhe zhvillim të infrastrukturës”, thotë politiologu. Kjo është arsyeja pse Vuçiçi nuk mund të rrijë pa një projekt madhor si ai i Rio Tintos.
"Agjent i huaj"
Savo Manojlovic nga organizata joqeveritare KreniPromeni (Shko Ndrysho) është koka e protestave kundër minierave. “Ne nuk jemi fis dhe Vuçiçi nuk është kryeplaku që duhet të negociojë me kolonizatorët për vendin tonë”, tha Manojlovic për DW. Ai është cilësuar si "agjent i huaj" nga qeveria, sepse organizata e tij merr fonde nga perëndimi, si për shembull, nga Fondacioni Rockefeller. Fakti që BE-ja, pra "Perëndimi", është veçanërisht i interesuar për litium, nuk bën ndonjë ndryshim për propagandën në Serbi.
Deri tani pa sukses. Ka ende dhjetëra miniera në të gjithë vendin ku nxirret kjo lëndë e parö. "Kam frikë, se litiumi do t'i sjellë Serbisë të njëjtën fatkeqësi që po i sjell diamanti Kongos”, thotë ai.
Dokument konfidencial mbi rreziqet
Ndërsa Rio Tinto e injoroi kërkesën për intervistë, ministrja serbe e Minierave dhe Energjisë, Zorana Mihajloviq, së paku u përgjigj me shkrim. “Kërkesa për ndalimin e minierave është thjesht politike dhe si e tillë ajo rrezikon jo vetëm minierat, por edhe ekonominë në tërësi”, thuhet aty.
Mihajlovic kritikon se demonstruesit kërkojnë përfundimin e projektit Jadar pa pritur studimin zyrtar të ndikimit në mjedis. Kjo do të tregonte se minierat në Serbinë perëndimore nuk janë të dëmshme për mjedisin.
Por një dokument konfidencial nga Rio Tinto që e ka edhe DW, flet një gjuhë tjetër. Në draftin prej 80 faqesh për një studim mjedisor për projektin, vetë kompania minerare pranon rreziqe të ndryshme. Përmendet ndër të tjera ndotja e ujërave nëntokësore dhe lumenjve, cilësia e dobët e ajrit dhe shkatërrimi i faunës dhe florës.
Fshati plot gërmadha
Në Gornje Nedeljice, Slavisha Rosiç rrëfen për atë që ai e quan "luftë psikologjike". Kompania ka blerë tashmë 49 nga 52 shtëpitë, truralli i të cilave i duhet për minierën. Banorëve iu dhanë para që t'i hiqnin vetë çatitë, dyert dhe dritaret. Përpara shtëpive të zbrazëta janë radhitur tabela me shkrimin: "Pronë private: Nuk lejohet hyrja e paautorizuar!"
Sipas fermerit, fshati do të shkatërrohet. Rio Tinto nuk ka nevojë për shtëpitë e banorëve, por për arat e tyre. Rosiç nuk ka ndër mend ta shesë shtëpinë e tij në asnjë mënyrë, edhe nëse kompania i ofron tre- ose katërfishin e çmimit të tregut.
“Çfarë t’i them gjyshit tim kur të shkoj një ditë në parajsë?” pyet fermeri.
Jo shumë larg fshatit të tij, në malin Cer, ushtria serbe mundi Austro-Hungarinë në Luftën e Parë Botërore. "Kaq shumë vetë kanë rënë për këtë vend. Pra, tani unë supozohet të jem më i zgjuari dhe të shes gjithçka?"
Protestuesit dhe "tradhtarët"
Për të dhe të tjerët që qëndruan në fshat, fqinjët që ia shitën shtëpitë kompanisë Rio Tinto konsiderohen "tradhtarë". Radomir Filipoviç e di këtë, ai u mendua gjatë para se t'i shiste shtëpinë e tij kompanisë së minierave. Ai nuk dëshiron ta thotë shumën. Por thotë se mjaftoi të ndërtonte një shtëpi në fshatin fqinj dhe të blinte shumë tokë dhe një apartament për fëmijët e tij në një qytet aty pranë.
"Ish fqinjët e mi thonë se po luftojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Kjo është e njëjta arsye që më shtyu mua të merrja këtë vendim," tha Filipoviç për DW. Banorët që protestojnë kundër minierave nuk “tundohen” sepse Rio Tinto nuk kishte nevojë për shtëpitë e tyre dhe për këtë arsye nuk u bëri ofertë për t'i blerë ato.
“Për ne që ishim në zonën e minierës së ardhshme, shpronësimi ishte një shpatë e Damokleut”, thotë Filipoviq. “Instinkti na tha që më mirë të marrim paratë tani dhe të largohemi”.
Së shpejti do të bëhet një përballje në Gornje Nedeljice. Zyrat e Rio Tinto]s janë ende në shtëpi me qira. Grupi vazhdon të përpiqet të blejë tokë shtesë. Banorët bëjnë të ditur se do ta dëbojnë kompaninë nga fshati në ditët në vijim. “Nëse është e nevojshme”, thotë Rosic, “edhe me dhunë”.
Hulumtimi për këtë artikull u mbështet nga journalismfund.eu.