Lituani: Raund i dytë për zgjedhjet presidenciale
12 Maj 2014Komentatorët nuk kanë asnjë dyshim: Presidentja e Lituanisë ka bërë një hap të madh për rizgjedhjen e saj në këtë post duke dominuar bindshëm në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Sipas të dhënave të para zyrtare Dalia Grybauskaite, arriti të fitojë 46,5 për qind të votave dhe do të përballet në raundin e dytë me një rival socialdemokrat, deklaroi komisioni elektoral pas numërimit të 97 për qind të fletëve të votimit. Por “zonja e hekurt” lituaneze nuk arriti kufirin e nevojshëm 50 për qind për t'u rizgjedhur që në raundin e parë. Rivali i saj, eurodeputeti socialdemokrat Zigmantas Balcytis, arriti të marrë 13,9 për qind të votave. Në vendin e tretë u rradhit ish presidenti i parlamentit, Arturas Paulauskas me 12 për qind.
Sipas analistëve, fitorja në raundin e dytë për specialisten 58 vjeçare të ekonomisë dhe ish Komisaren e BE -së Grybauskaite mbahet tashmë si e sigurtë. Para pesë vjetësh ajo kishte arritur një fitore të shkëlqyer qysh në raundin e parë me gati 70 për qind të votave duke shënuar edhe gruan e parë në postin e kreut të këtij vendi. Konflikti në Ukrainë dominoi gjatë gjithë fushatës zgjedhore. Sikurse edhe në shtetet e tjera balltike, Estoni dhe Letoni, lituanezët e kujtojmë me dhimbje okupimin sovjetik prej dekadash dhe aneksimi i Krimesë si dhe manovrat kufitare ruse zgjon tani tek ata frikëra. Me një qëndrim pa kompromis ndaj Rusisë, Grybauskaite shënoi pikë në fushatën e saj.
Për postin më të lartë në krye të Lituanisë konkurruan gjithsej shtatë kandidatë. Pjesëmarrja në raundin e parë të zgjedhjeve ishte rreth 2,5 milionë votues. Balotazhi do të zhvillohet më 25 maj.