1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

E drejta themelore për llogari rrjedhëse

Clara Walther/ Aida Cama7 Mars 2013

670.000 të rritur në Gjermani nuk kanë llogari të vetën rrjedhëse. Kjo çon në përjashtime sociale. Një projektligj i Komisionit të BE-së kërkon të ndryshojë këtë.

https://p.dw.com/p/17sF5
Fotografi: picture-alliance/dpa

"Kush nuk ka një numër llogarie në bankë, është për ekonominë një njeri i dorës së dytë," mendon Pamela Wellmann nga Qendra për Konsumatorët në landin Nordrajn Vestfalen. Juristja është eksperte në këtë fushë. Që prej disa vitesh ajo punon në fushën e "kredive dhe borxheve". Ajo merret me njërëzit që bien në vështirësi me bankat, të cilat u mbyllin numrat e llogarive ose nuk ua hapin fare një numër llogarie".

Të prekur janë kryesisht të papunë, të mbytur me borxhe apo njerëz me të ardhura të pakta. Janë njerëz për të cilët bankat mendojnë se nuk ia vlen që t`i kenë klientë, dhe që prej mungesës së numrit të llogarisë kanë rënë në botë josociale. "Disa prej tyre kanë parë se për shkak të mungesës së numrit të llogarisë, nuk mund të gjejnë më punë," tregon Wellmann. Nuk është çudi, sepse punëdhënësve nuk u pëlqen të duhet të paguajnë punëmarrësit me para në dorë.

Kur bëhet fjalë për paratë, shoqëria merr fund. Kështu të paktën thuhet. Por marrëdhëniet personale janë shpesh rruga e vetme për të patur pjesë në jetën ekonomike "pa numër llogarie". Sepse pagimi i qerasë bëhet nëpërmjet numrit të llogarisë së shokut më të mirë. Edhe kontratat për telefonat mobilë lidhen me emra fallso. Kjo nuk është e ligjshme. Por turpi i shumë njerëzve të prekur është po aq i madh sa edhe mungesa e fuqisë kundrejt bankave.

Symbolbild Grundrecht Girokonto
E drejta themelore për llogari rrjedhëseFotografi: picture-alliance/dpa

30 milionë qytetarë të BE-së pa numër llogarie

Edhe në Gjermani ekzistojnë ligjet që i mundësojnë çdo njeriut të drejtën për një numër llogarie. Në vitet 1990-të "Qendra e komisionit të kredive" (që nga viti 2011 i njohur me emrin "Ekonomia gjermane e kredive") mori përsipër të garantonte një numër llogarie ku të mos ishte e mundur të kalonte limiti i tërheqjes së parave. Por, kjo nuk e zgjidh problemin, sepse angazhimi nuk është pretendim ligjor. Dhe kështu Zyra e Financave shkruante në një raport në dhjetor të 2011: "Kemi të dhëna që tregojnë se mungesa e numrit të llogarisë vazhdon të jetë problem në Gjermani."

Gjermania nuk është vendi i vetëm që ka këtë problem. Edhe në vende të tjera evropianë njerëzit përjashtohen dhe diskriminohen për shkak të mungesës së numrit të llogarisë. Komisioni i BE-së vlerëson se 30 milionë qytetarë të BE-së nuk kanë numër llogarie, pra një në gjashtë vetë. Mes tyre janë 6,4 milionë vetë që me vetëdije nuk pranojnë që të informohen në një bankë për një numër llogarie. Shumë dramatike kjo situatë është në Bullgari dhe Rumani. Sipas vlerësimeve një në dy qytetarë atje e menaxhon jetën e vet pa numër llogarie.

E drejtë themelore për të patur llogarie rrjedhëse

Por, me kërkesën e Komisionit të BE-së kjo do të ndryshojë shpejt. Një projektligj parashikon që ta kthejë të drejtën për të patur një numër llogarie "të drejtë themelore". Argumentimi për projektin: nëse BE kërkon të ngrejë një treg të brendshëm atëherë prej tij duhet të përfitojnë qytetarët e 27 vendeve anëtare, dhe kjo mundësohet nëse të gjithë njerëzit kanë të drejtë të kenë një numër llogarie në bankë.

Ngritja e një tregu të brendshëm evropian nuk është sipas mendimit të organizatave të të drejtave të njeriut argumenti i vetëm për të pasur të drejtën për një numër llogarie. Uta Hausmann nga organizata e të drejtave të njeriut FIAN, është e mendimit se një numër llogarie është një instrument i rëndësishëm për implementimin e të drejtave të njeriut. "Nëse sot nuk kam numër llogarie, përjashtohem nga jeta sociale gjithnjë e më shumë," mendon Hausmann. Kështu për shembull e drejta për të pasur një banesë, është e mundur sot vetëm me një numër llogarie bankare.

Symbolbild Grundrecht Girokonto
Llogari rrjedhëseFotografi: picture-alliance/dpa