Maas: "Po dështoi marrëveshja, Iranin e kërcënon izolimi"
11 Qershor 2019Ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif tha të hënën se ai dhe homologu i tij gjerman, Heiko Maas, patën bisedime "të sinqerta dhe serioze" për marrëveshjen bërthamore të vendit të tij me fuqitë botërore. Ai shtoi se "Teherani do të bashkëpunojë me nënshkruesit e marrëveshjes në BE për ta shpëtuar atë. "
Por njëkohësisht Sarifi paralajmëroi për rrezikun e vazhdimit të tensioneve me SHBA. Sipas tij, pa ndërprerjen e sanksioneve amerikane, nuk mund të ketë zgjidhje të konfliktit. Në një konferencë shtypi ai foli për një luftë ekonomike që Trumpi sipas tij po bën kundër Iranit. Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas po përpiqet në Teheran që të shpëtojë marrëveshjen bërthamore me Iranin. SHBA e braktisën atë një vit më parë.
Në Teheran, Maas ritheksoi rëndësinë e marrëveshjes bërthamore, duke thënë se ajo është "jashtëzakonisht e rëndësishme" për sigurinë e Evropës. Ai e përshkroi situatën si shumë shpërthyese dhe tepër serioze. Shefi i diplomacisë gjermane tha më tej se Gjermania dhe partnerët e saj evropianë "kanë bërë përpjekjet më të mëdha për të përmbushur angazhimet (e tyre)".
Por Irani mendon nuk mendon kështu. "Deri tani, nuk kemi parë hapa praktikë dhe konkretë nga evropianët për të garantuar interesat e Iranit ... Teherani nuk do të diskutojë çështje të tjera përtej marrëveshjes bërthamore", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Abbas Mousavi.
"Ajo që presim nga Bashkimi Evropian është që ai të veprojë në përputhje me angazhimet e tyre", shtoi ai. Megjithë këtë, Maas deklaroi se partnerët evropianë po punojnë për të përmirësuar gjendjen ekonomike të Iranit, pavarësisht sanksioneve. Ai dëshiron të parandalojë një përshkallëzim ushtarak në rajon.
Konflikt më i gjerë
Tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit nuk janë më të kufizuara në marrëveshjen bërthamore me Iranin. Ato janë përshkallëzuar ndjeshëm gjatë muajit të kaluar, pasi SHBA e akuzojnë Iranin për një aktivitet të vazhdueshëm të dëmshëm dhe për kërcënime të paspecifikuara kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj. Uashingtoni gjithashtu e ka rritur praninë e tij ushtarake në rajon, së fundi duke vendosur një grup aeroplanmbajtësesh, raketa dhe një skuadrilje bombarduesish B-52.
"Nga pikëpamja e Iranit, Teherani do të humbte të gjitha mjetet kundër SHBA po të hiqte dorë nga Jemeni dhe Siria dhe po të hiqte dorë nga programi i tij raketor", tha për DW Mehdi Mahdavi Azad, një gazetar iranian dhe analist politik. Maasi i sheh ato si "kompromise të vogla", por për Teheranin, ato janë "karta të vërteta të forta" kundër Uashingtonit, mendon eksperti. Balancimi i kësaj është "sfida kryesore" për Maasin, vuri në dukje ai. "Kjo është arsyeja, pse është e qartë që nga fillimi i udhëtimit të tij, se ministri i Jashtëm gjerman do të ballafaqohet me 'nëse' dhe 'por'".
Detyrë e vështirë. Në kohën që autoritetet iraniane duan t'i kufizojnë bisedimet vetëm në marrëveshjen bërthamore, programi i zhvillimit të armëve të këtij vendi islamik dhe dyshimi për mbështetjen nga Irani të grupeve shiite në të gjithë Lindjen e Mesme mbeten shqetësim, jo vetëm në Uashington, por edhe në kryeqytetet evropiane.
Të dielën, gjatë një vizite në Emiratet e Bashkuara Arabe, Maasi e quajti programin e raketave të Iranit "problematik". Kjo vërejtje nuk u prit mirë në Teheran. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Mousavi tha se "zyrtarët evropianë nuk janë në gjendje të komentojnë çështjet e Iranit përtej marrëveshjes bërthamore". Ministri i Jashtëm gjerman u takua edhe me Presidentin e Iranit, Rohani.
Pas kësaj, ai e paralajmëroi Teheranin për herë të parë në mënyrë të qartë që të mos ndërmarrë hapa të nxituara. "Po dështoi marrëveshja bërthamore, Iranin e kërcënon izolimi ndërkombëtar," i tha Maas revistës Spiegel. Ky është një paralajmërim që Gjermania dhe evropianët nuk do të punojnë më për Iranin, po ta rinisë Teherani programin e tij bërthamor. Teherani do të ndodhej në një klub mjaft të vetmuar, ku bën pjesë vetëm Koreja e Veriut, tha Maas.
aud (dw, spiegel)