Macron: „Sulmi ishte akt terrorist“
17 Tetor 2020Presidenti francez, Emmanuel Macron u shpreh i tronditur pas sulmit vdekjeprurës në Conflans-Sainte-Honorine, një periferi e Parisit. Të premten në orët e pasdites, një i ri goditi dhe vrau me thikë me prerje fyti një mësues historie. Në disa media u raportua për "prerje koke”.
„Sulm ndaj lirisë së mendimit"
Emmanuel Macron e cilësoi sulmin "një akt terrorist islamist”. Pas vizitës në vendngjarje ai tha: "Një nga bashkëqytetarët tanë u vra, sepse ai u mësoi nxënësve lirinë e shprehjes së mendimit, lirinë për të besuar dhe për të mosbesuar.” Me këtë Macron iu referua informacioneve, sipas të cilave, viktima ishte një mësues i historisë dhe në orën e mësimit gjatë trajtimit të temës së "lirisë së mendimit” kishte treguar karikaturat e profetit Mohamed. Disa media raportuan, se autori i krimit ishte një nxënës 18-vjeçar, i cili e priti mësuesin pas mësimit dhe e vrau me thikë.
Arrestimet e para
Sipas të dhënave, krimineli pas aktit lëshoi thirrjen arabisht "Zoti është i madh”. Nuk ka konfirmim zyrtar për këto të dhëna. Në afërsi të Eragny, autori i krimit u kap nga policia. Sipas mediave, i riu u përpoq të sulmonte edhe policët, që e qëlluan më pas për vdekje.
Prokuria Antiterror ka filluar hetimet për "vrasje në lidhje me një akt terrorist” dhe "organizatë terroriste kriminale”. Macron nuk përmendi detaje për aktin, as për viktimën dhe sulmuesin. Presidenti dukshëm i tronditur, tha vetëm se "terroristët nuk do të fitojnë”, dhe i siguroi francezët, që autoritetet e sigurisë do të "veprojnë "fort dhe shpejt”. Macron u bëri thirrje francezëve të qëndrojnë të bashkuar. Prej vitesh Franca është tronditur nga disa sulme terroriste, ku kanë humbur jetën më shumë se 250 vetë.
la/mak/AR (dpa, afp, rtr)