1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mali i Zi:Mohimi i gjenocidit rrezikon qeverinë e reformuar 

15 Prill 2021

Ministri malazez i Drejtësisë, Vladimir Leposaviq mohon gjenocidin në Srebrenica të Bosnjës. Kjo mund të shkaktojë shpërbërjen e qeverisë të krijuar vjeshtën e kaluar pas një ndryshimi historik pushteti. 

https://p.dw.com/p/3s2Jl
Montenegro Justizminister Vladimir Leposavić
Fotografi: Filip Filipovic/Getty Images

Mohimi i Holokaustit dënohet në Europë dhe nuk ekziston asnjë çështje tjetër politike në kontinent për të cilin të ketë konsesus kaq të gjerë sa për këtë çështje. Kurse në Ballkanin Perëndimor është shumë i përhapur mohimi ose relativizimi i masakrës së Srebrenicës. Në Serbi dhe në Republikën Srpska, pjesën e dominuar serbe të Bosnjë Hercegovinës, pretendimi se Srebrenica ka qenë krimi më i madh i luftës të ndodhur në Europë pas 1945 nuk është i vërtetë dhe se aty nuk ka pasur gjenocid, është kthyer gati në një lloj doktrine jozyrtare të shtetit. 

Rrallë ndodh që kjo të shkaktojë indinjatë ndërkombëtare, por indinjata rajonale praktikisht nuk ndodh kurrë. Megjithëse Gjykata Ndërkombëtare për krimet në ish-Jugosllavi (ICTY) e ka dokumentuar mirë planifikimin dhe kryerjen e vrasjes së mbi 8 mijë boshnjakëve myslimanë në rrethinat e qytetit të vogël në lindje të Bosnjës, Srebrenicë, dhe e ka klasifikuar atë si genodic. 

Tani për herë të parë në Ballkan mohimi i gjenocidit të Srebrenicës po shkakton një krizë të rëndë politike, në Mal të Zi, shtetin më të vogël të rajonit. Ministri i atjeshëm i Drejtësisë, pakicave dhe të drejtave të njeriut, Vladimir Leposaviq, pati thënë në muajin mars në parlamentin e Podgoricës se është i gatshëm të pranojë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, vetëm nëse kjo „konfirmohet qartë". Ai tha se ICTY nuk e ka legjitimitetin për të bërë një gjë të tillë, për shkak të gjoja injorancës së Gjykatës Ndërkombëtare për krimet e bëra kundër serbëve. 

Deklaratat e ministrit janë kthyer në provën e parë të zjarrit për qeverinë e reformuar që ndodhet vetëm katër muaj në pushtet. Indinjimi i partnerëve të koalicionit, partive të opozitës dhe pjesëve të publikut malazez është i madh.
Kritika të mëdha ka pasur edhe nga diplomatët e huaj. Kryeministri Zdravko Krivokapiq i kërkoi Leposaviqit që të jepte dorëheqjen, por ministri refuzoi. Tani vendimin për shkarkimin e tij duhet ta marrë parlamenti. Problemi është se për këtë nuk ekziston shumica brenda koalicionit. 

Ndryshim historik pushteti 

Kriza politike e shkaktuar nga Leposaviqi vjen vetëm pak muaj pas ndryshimit historik të pushtetit:Në vjeshtë të 2020 një koalicion reformues i përbërë nga një spektër i gjerë duke filluar që nga nacionalistët proserbë dhe skeptikët ndaj BE-së e deri tek liberalët e gjelbër socialë, proeuropianë, arriti të rrëzonte nga pushteti pas tre dekadave sundimtarin më të gjatë dhe presidentin aktual të shtetit, Milo Gjukanoviçin dhe partinë e tij, Partia Demokrate e Socialistëve, (DPS). 

Montenegro Zdravko Krivokapic
Kryeministri Zdravko Krivokapiq i kërkoi Leposaviqit që të jepte dorëheqjen, por ministri refuzoiFotografi: Savo Prevelic/AFP

Që në dhjetor të 2020 pushtetin e mban një qeveri ekspertësh e drejtuar nga profesori i ixhinjerisë mekanike, Krivokapiq, qeveri që mbahet nga ky koalicion. Kryeministri dhe kabineti i tij i vunë vetes si detyrë që të demokratizojnë Malin e Zi, të krijojnë shtet ligjor dhe ta kthejnë vendin e tyre në vendin e parë të Ballkanit Perëndimor që arrin të bëhet anëtar i BE. 

Skenari që ka qenë ëndërr e Gjukanoviçit 

Kriza e shkaktuar nga mohimi i Srebrenicës prej Leposaviqit është pikërisht skenari që kanë pritur Gjukanoviçi dhe partia e tij. Në fund të viteve 1990-të, ata e futën Malin e Zi, që në atë kohë ishte pjesë e Republikës Jugosllave së bashku me Serbinë, në një kurs gjithnjë e më të pavarur. Në vitin 2006 vendi shpalli pavarësinë. 

Rruga për atje ishte e lidhur me distancimin të paktën nominalisht nga kriminelët e luftës të luftërave jugosllave të 1991- 1999. Kështu parlamenti malazez dënoi me një rezolutë në vitin 2009 masakrën e Srebrenicës, megjithëse nuk përdori në mënyrë eksplicite termin „gjenocid". Po ashtu Gjukanoviç dhe partia e tij nuk e kanë dënuar asnjëherë në mënyrë të besueshme pjesëmarrjen e ushtarëve malazezë në bombardimin e qytetit kroat të Dubrovnikut. 

Vendi i polarizuar 

Politika e sovranitetit dhe identitetit të erës së Gjukanoviçit e mban të polarizuar Malin e Zi deri më sot. Vërtet që askush nuk e vë në pikëpyetje serioze pavarësinë, megjithatë vetëm gjysma e njerëzve në vend e quajnë veten malazez, gati një e treta e quajnë veten serbë. 

Shumë prej tyre orientohen politikisht dhe nga pikëpamja kulturore nga Beogradi. Këtu bën pjesë edhe narrativi zyrtar serb për Srebrenicën, ose ilegjitimiteti i tribunalit të OKB për krimet e luftës. Tek zgjedhës të tillë mbështeten shumë parti të koalicionit reformator, mes të cilave konservatorët e djathtë, Fronti Demokratik proserb (DF). Ai është kundër heqjes së imunitetit parlamentar të Leposaviqit, dhe e ka kthyer qëndrimin e tij në qeveri në kusht për moslargimin nga koalicioni. 

Montenegro Podgorica | Neue Regierung | Zdravko Krivokapic
Fotografi: Filip Filipovic/Getty Images

Qeveria "në fushë të minuar" 

Nëse ministri i Drejtësisë e ndien veten shprehimisht si serb, nëse e ka dhënë deklaratën për Srebrenicën me qëllim apo pa u menduar mirë, është deri tani e paqartë. Kryeministri Krivokapiq foli për një përpjekje për „të rrëzuar qeverinë nga brenda", duke treguar me gisht disa partnerë të koalicionit që janë nacionalistë të djathtë, proserbë. E qartë është se fjalët e Leposaviqit, e kanë kthyer vendin në „fushë të minuar“, siç shkrunte kolumnistja Ratka Jovanović-Vukotić e të përditshmes "Vijesti" (Lajmet). Sepse në kontroversat aktuale për Srebrenicën futen të gjitha çështjet kyçe tradicionale të politikës malazeze, trajtimi i të kaluarës së luftës, raporti me Serbinë dhe çështja e identitetit malazez. 

Aktualisht është krejtësisht e paqartë nëse kryeministri Krivokapiq, ministrat e tij dhe partitë që janë pjesë e koalicionit reformues do të gjejnë rrugëdalje nga kjo dilemë. Ndërkohë që kontroversat për Srebrenicën nuk janë dilema e vetme. Një rishikim i planifikuar i ligjit për marrjen e nënshtetësisë shkaktoi protesta dhe bllokime të rrugëve nga „forcat patriotike", pra idhtarët e Gjukanoviçit dhe partisë së tij. Ata e quajtën ligjin e ri kërcënim për sovranitetin malazez. 

Përveç kësaj Mali i Zi ndodhet në vështirësi financiare, sepse është zhytur në borxhe deri në grykë duke marrë një kredi kineze miliardash. BE refuzoi më 13 prill të jepte ndihmë financiare për qeverinë e Podgoricës, e cila kishte bërë një kërkesë të tillë. 

Kontroversat për Srebrenicën, kanë të paktën një anë të mirë mendon autori i Vijestit, Željko Ivanović. "Bravo kryeministrit ", shkruan ai "sepse ai është i vetmi jo vetëm në Mal të Zi, por në gjithë rajonin që dënon një anëtar të kabinetit për relativizimin e një krimi të tillë." 

 

Keno Verseck, flokë të shkurtra, të kuqërreme, me kaçurela, pas syzeve me skelet të hollë një shikim i buzëqeshur drejt objektivit të kamerës.
Keno Verseck Redaktor, autor dhe reporter