1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mania Wagner

B. Anastasia/Lindita Arapi2 Gusht 2013

E gjithë bota muzikore ndjek në ethe operat në Bayreuth, ku vazhdon festivali i famshëm muzikor për nder të kompozitorit të famshëm, Richard Wagner. Ndërsa në Gjermani ka një valë botimesh me rastin e 200-vjetorit.

https://p.dw.com/p/19IVa
Përmendorja e Wagner-it në Lajpcig me rastin e 200 vjetorit të lindjesFotografi: picture-alliance/dpa

Ajo që bie në sy këta muaj është një shtim tepër i madh i botimeve mbi kompozitorin e famshëm. Interneti të ofron si ofertë disa mijëra libra mbi Wagnerin. Ndërsa një librari mesatarisht e madhe në Gjermani të ofron 773 tituj mbi gjeniun e muzikës, 200 prej tyre në gjermanisht - Rreth 500 botime janë bërë vetëm këtë vit për Wagnerin në Gjermani. Kjo tregon se sa interesim zgjon kjo figurë e madhe, sa e adhuruar, aq edhe e kontestuar për shkak të antisemitizmit të tij. Megjithëse më shumë se 100 vjet shkruhen libra pa fund për të, ende gjermanët duan të informohen për të vërtetat dhe të pavërtetat e figurës së Wagnerit, për të kuptuar strukturën e personalitetit të tij.

Buchcover Richard Wagner und die Deutschen

Botime pa fund

Nga librat 120 faqësh për Wagnerin deri tek vëllimet voluminoze mbi kompozitorin, 400 faqëshe si ai Martin Geck, njërit nga studiuesit më të njohur të botës së muzikës. Është gabim të duash t'i afrohesh magjisë së Wagnerit me fakte banale thotë ai. Sipas tij lexuesi duhet të fillojë nga vetja dhe të pyesë; "çfarë vlerash dhe antivlerash" gjejmë në veprat e muzikore të tij. Jo më pak serioz është një botim tjetër, pak më i shkurtër për Wagnerin, nga Egon Voss. Njëri nga studiuesit më të njohur të Wagnerit, është përpjekur që në 100 faqe të transmenstojë jo vetëm zhvillimin e kompozitorit që nga operat e hershme deri tek "Parzifali", por madje gjatë këtij rrugëtimi shpirtëror, Voss përballet edhe me stereotipet për kompozitorin, disa duke i çmontuar.

Wagner dhe Verdi - dy europianë

Një përpjekje tjetër për t'iu ofruar Wagnerit është edhe një biografi krahasuese mes Wagnerit dhe Verdit - të dy kompozitorit lindën në një vit. "Wagner dhe Verdi" - dy europianë në shekullin e 19-të" i autorit Eberhard Straub. Një hulumtim i rëndësishëm, ku lexuesi njeh shumë mirë "shpresat dhe lëvizjet e mëdha" të një epoke, në të cilën vepruan dy gjenitë e muzikës. Në këtë hulumtim vlen të nënvizohet koncepti "europianë". Që të dy kompozitorët - megjithë disa të përbashkëta në ideologji dhe shije - në fund të të fundit zhvillohen si dy kompozitorë diametralisht të kundërt.

Richard Wagner Büste in Berlin
Busti i Richard Wagner-it në BerlinFotografi: Getty Images

Wagneri i qeshur?

Ndërsa kush do të njohë Wagnerin si njeri, mund të thellohet në veprën "Nietzsche dhe Wagner - historia e një dashuri-urrejtjeje" i Kerstin Decker. Aty kupton historinë e një adhurimi të dynashëm, por në fund - tradhti dhe thyerje e miqësisë. Shumë fansa të kompozitorit duhet të përballen me thënien e Nietzsche-s për të: "Ai e sëmuri muzikën". Filozofi i madh nuk ishte i pari që zbuloi elementë patologjikë në veprën e kompozitorit.

Por mania e botimeve që ka mbushur raftet e librarive, nuk do të plotësohej sikur të mos gjenim edhe një vepër tjetër që na e ofron kompozitorin në një këndvështrim tjetër. Wagneri i qeshur" i autorit Joachim Köhler. Autori hyn në një territor delikat - humorin e kompozitorit të famshëm, një temë që "bota studimore e mënjanon si një fushë të minuar". Pse është kështu këtë e gjejmë në librin mjaft dëfryes. Nuk thuhet më kot "Më thuaj se çfarë të bën të qeshësh dhe unë të them kush je."