Manovra e NATO-s i dërgon sinjal të fortë Rusisë
8 Shtator 2014Menjëherë pas takimit në Wales, NATO-ja mbajti një manovër në Letoni. Me këtë, NATO-ja demonstroi vendosmërinë e saj për ta mbrojtur këtë vend baltik kundër kërcënimeve të mundshme për shkak të krizës së Ukrainës. Manovra ushtarake, në të cilën morën pjesë rreth 500 parashutistë kishte si objektiv një simulim të ndërhyrjes së ushtarëve të NATO-s në njërin prej vendeve anëtare, në rast të një situate krize. Ushtrimi është pjesë e një manovre më të madhe ushtarake, e cila do të mbahet nga 2 deri në 8 shtator në Gjermani, Poloni dhe në shtetet baltike.
Me manovrën e saj në Evropën Lindore të planifikuar prej një kohe të gjatë, Aleanca sipas të dhënave të saj synon t'i dërgojë një sinjal të fortë Rusisë për gatishmërinë për të mbrojtur shtetet anëtare. Aleanca është "e gatshme të mbrojë integritetin territorial" të shteteve anëtare", tha gjenerali Hans Lothar Domrose në kryeqytetin letonez, Riga.
Agresorja Rusi
Në manovrën "Steadfast Javelin II" marrin pjesë gjithsej 2000 ushtarë nga nëntë shtete, midis tyre edhe nga Gjermania. Domrose theksoi se "me sa duket ka një lidhje me konfliktin në Ukrainë". Gjenerali i NATO-s, Ed Davis i tha stacionit televiziv letonez LTV se "ka një kërcënim të ri". Prandaj NATO-ja po punon për të krijuar një trupë, e cila të jetë në gjendje të reagojë brenda 48 orësh ndaj një kërcënimi të tillë.
Ministri i Mbrojtjes i Letonisë, Raimonds Vejonis i tha LTV, Rusia ka injoruar të drejtën ndërkombëtare dhe e ka paraqitur veten si "agresore". Vërtet që në manovër nuk mund të përcaktohet armiku, por Rusia është "një vend, që paraqet një kërcënim potencial në përgjithësi për shtetet evropiane dhe për NATO-n.
Shefat e shteteve dhe të qeverive të Aleancës vendosën të premten, në takimin e nivelit të lartë në Newport të Wales-it krijimin e një trupe të ndërhyrjes së shpejtë. Veç kësaj, aleanca do të ngrejë në Estoni, në Lituani, në Letoni, në Poloni dhe në Rumani depo materialesh dhe municionesh, të cilat mund t'i shfrytëzojë trupa e reagimit në rast se i duhet. Të gjitha këto vende më parë bënin pjesë në aleancën ushtarake të "Traktatit të Varshavës", të drejtuar nga Rusia.