1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëMaqedonia e Veriut

Maqedoni e Veriut: Votimet për zgjedhjet e dyfishta

8 Maj 2024

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut po votojnë në zgjedhjet e dyfishta presidenciale dhe parlamentare. Në raundin e dytë të përballen dy kandidatë për president ndërsa për parlamentaret votohet për 17 lista të deputetëve.

https://p.dw.com/p/4fdv9
Wahlen in Nordmazedonien
Fotografi: Petr Stojanovski /DW

Votimi ka filluar në orën 7:00 të mëngjesit, deri në mesditë për zgjedhjet presidenciale pjesëmarrja arriti rreth 12.87 % , ndërsa për zgjedhjet parlamentare rreth 13.66 për qind.

"Pjesëmarrja më e madhe e votuesve për zgjedhjet presidenciale është regjistruar në Probishtip, ndërsa më e ulëta në Bogovinjë. Ndërkohë sa u përket zgjedhjeve parlamentare, jehona e votuesve më e madhe është shënuar në Krivogashtani, ndërsa më e ulët është në Bogovinjë. Krahasuar me vitin 2019, është shënuar ulje e pjesëmarrjes së votuesve”, shprehet kryetari i KSHZ-së Aleksandar Dashtevski.

Ai i hodhi poshtë pretendimet, se mund të ketë bojkot të zgjedhjeve presidenciale, duke thënë se dalja në zgjedhjet e sotme është e ngjashme me atë të zgjedhjeve të kaluara presidenciale më 2019.

"Nga ajo që unë shoh këtu, nga të dhënat e besueshme që na kanë arritur, absolutisht nuk ka bojkot", thotë Dashtevski.

Që zgjedhjet presidenciale të jenë të suksesshme, përveç se njëri nga dy kandidatët duhet të fitojë shumicën e votave të qytetarëve, kërkohet edhe që dalja në zgjedhje të jetë së paku 40 për qind e qytetarëve të regjistruar në Listën Zgjedhore, ose rreth 725.000 votues. Nëse plotësohet pragu prej 40 për qind për zgjedhjen e presidentit, parlamenti duhet të mbajë seancën për inaugurimin e presidentit të ri të Republikës deri të dielën më 12 maj.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale qytetarët mund të votojnë për dy kandidatë Gordana Siljanovska Davkova e mbështetur nga portitë opozitare maqedonase dhe Stevo Pendarovski presidenti aktual i mbështetur nga partitë në pushtet. Në raundin e parë për Gordana Siljanovska Davkovën votuan 363.085 votues, ndërsa Pendarovskin 180.499.

Zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlmentare

Sa i përket zgjedhjeve të njëmbëdhjeta parlamentare beteja kryesore zhvillohet mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së në kampin maqedonas, ndërsa në atë shqiptar mes Frontit Evropian të kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe koalicionit opozitar VLEN. Zgjedhjet zhvillohen me lista të mbyllura, sipas sistemit proporcional në gjashtë njësi zgjedhore dhe në secilën prej tyre zgjidhen nga 20 deputetë. Parlamenti i Maqedonisë së Veriut ka 120 deputetë.

Bazuar në sondazhet, dhe në veçanti në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që u mbajt më 24 prill, VMRO-DPMNE-ja është favorite për një fitore të thellë në këto zgjedhje. Parlamenti i ri i Maqedonisë së Veriut duhet të konstituohet brenda 21 ditëve nga shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Procesi zgjedhor monitorohen nga 1.300 vëzhgues vendas dhe 860 të huaj. Ministria e Punëve të Brendshme po vepron sipas kompetencave që ka, vuri n dukje ministri teknik i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski.

"Sipas informacioneve që kam që nga mëngjesi, të gjitha qendrat e votimit janë të qëndrueshme, të hapura. Qytetarët mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në një atmosferë paqësore, të drejtë dhe demokratike”, ka deklaruar Toshkovski.

Në disa lokacione në lagjet Çahir dhe Veri të Shkupit janë shfaqur pamflete me ngjyrë të kuqe me mesazh që mos të votohet në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. "Ti je Musliman-Mos Voto” thuhet në mesazhin e pamfleteve, të cilat ishin vendosur në makinat e parkuara në lagjet e Çahirit dhe Veriut.

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut