1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia - më shumë shpresa se ankth

28 Nëntor 2018

Marrëveshja e Prespës konsiderohet si një marrëveshje kyçe jo vetëm për Maqedoninë, por për të gjithë Ballkanin Perëndimor, prandaj ajo nuk duhet të dështojë, janë të mendimit ekspertët.

https://p.dw.com/p/393ge
Diskussionsveranstaltung der Südosteuropa-Gesellschaft
Fotografi: DW/P. Kouparanis

Askush nuk dëshiron të parashikojë se çfarë mund të ndodhë nëse Marrëveshja e Prespës do të dështojë. As në Shkup, as në Athinë. E as në Berlin, ku të martën në mbrëmje, në Bundestag, ishin mbledhur ekspertë për të diskutuar për fatin e shtetit ballkanas në të ardhmen e afërm. "Maqedonia mes shpreses dhe ankthit" e kishte titulluar aktivitetin Shoqata e Evropes Juglindore, si organizatore e tij.

Christian Hellbach Staatsminister Auswärtiges Amt
Christian Hellbach, Ministria e Puneve te Jashtme te GjermaniseFotografi: Deutsche Botschaft/Tirana

Christian Hellbach, diplomati më i lartë i Gjermanisë i ngarkuar ndër të tjera edhe për Ballkanin, i pyetur për skenarin e dështimit, tha se nuk i pëlqente të ndillte të keqen, por shtoi se "do të ishte një lajm shumë i keq për integritetin e Maqedonisë". Hellbach kujtoi në këtë kontekst se ka pjesë të popullsisë që nuk janë aq luajal ndaj shtetit, por e shohin atë më shumë si "mjet" për integrimin euro-atlantik.  Një dështim i implementimit të Marrëveshjes do ta bllokonte edhe më tej rrugën e Maqedonisë në BE dhe si pasojë mund të nxirrte në plan të parë "narrativët nacionalistë që ekzistojnë qysh tani". Diplomati tha se nuk donte të përmendte etnitë, por shtoi se "kur flitet për këto gjëra, pasojat ndihen në të gjithë rajonin".

Platforma shqiptare konstruktive

Diskussionsveranstaltung der Südosteuropa-Gesellschaft - Matthias Lüttenberg
Matthias Lüttenberg, drejtor drejtorie ne Zyrën e Kancelares Merkel, nder te tjera mbulon edhe Ballkanin Perëndimor.Fotografi: DW/P. Kouparanis

Atë që Hellbach e shprehu në mënyrë diplomatike guxoi ta thoshte më hapur deputeti Thorsten Frei, raportues në Komisionin e Bundestagut per Bashkimit Evropian për grupin parlamentar CDU/CSU për Shqipërinë dhe Maqedoninë: "Ne e shohim që vitet e fundit se popullsia shqiptare në Maqedoni nuk është e kënaqur. Nëse nuk ka një perspektivë evropiane të qartë për vendin, kjo mund të nënkuptojë konflikte të reja etnike ".

Matthias Lüttenberg, drejtor departamenti që mbulon ndër të tjera edhe Ballkanin në zyrën e kancelares Merkel, njëherazi njohës shumë i mirë i skenës shqiptare që nga koha kur ka shërbyer në Ambasadën Gjermane në Kosovë, e zbuti paksa shqetësimin e panelistëve dhe pyetësve për rolin e shqiptarëve, duke kujtuar, se platforma shqiptare, për të cilën ka ndihmuar edhe Edi Rama, deri tani ka qenë konstruktive,  dhe se tensionet ndëretnike kanë qenë më të ulëta që nga viti 2001.

Gjermania e angazhuar

Marrëveshja e Prespës, e 17 qershorit 2018, arriti të zgjidhte pas 26-vjetësh grindjen mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit. Sipas saj ish republika e Jugosllavisë do të quhet "Maqedoni e Veriut". Parlamenti i Maqedonisë arriti në tetor 2018 me shumë mundim ta kalonte draftin për ndryshimin e nevojshëm të kushtetutës. Maqedonisë iu desh ta kalonte çështjen në parlament, pasi referendumi më parë kishte dështuar. Shkak ishte pjesëmarrja e ulët (37%) dhe jo miratimi  (91%). Dhe kjo megjithëse pati shumë lobim ndërkombëtar për referendumin. Gjermania pat dërguar edhe ministrin e jashtëm, Heiko Maas, (SPD) edhe vetë kancelaren Angela Merkel (CDU). "Për Gjermaninë zgjidhja e konfliktit me Greqinë ka qenë prioritet," raportoi Lüttenberg dhe premtoi mbështetje të mëtejshme financiare dhe konsulente: Ne duam jo vetem nje Maqedoni te qendrueshme, por edhe te forte ekonomikisht, tha Lüttenberg. .

Shanse te mira

Pala maqedonase duket se e ka zgjidhur problemin e miratimit. Sepse kryeministri socialdemokrat Zaev i ka siguruar 80 votat e nevojshme për ndryshimin e kushtetutës. Arratisja e Gruevskit madje mendohet ta ketë lehtësuar këtë situatë, sepse kreu i opozitës VMRO/DPMNE, sipas Christian Hellbach, po sinjalizon gatishmëri për ta miratuar marrëveshjen.

Diskussionsveranstaltung der Südosteuropa-Gesellschaft - Thorsten Frei
Thorsten Frei, deputet kristiandemokrat, raportues per Shqiperine dhe Maqedonine ne Komisionin e Bundestagut per Bashkimit EvropianFotografi: DW/P. Kouparanis

Kryeministri Tsipras duket se e ka pak më të vështirë: Pasi, siç tha edhe Xenia Kounalaki, drejtuese e departamentit të politikës së jashtme në gazetën greke, Kathimerini, agjendat nacionaliste kanë shumë më tepër ndikim te popullariteti i një politikani se ato jetësore. Ajo dha këtu shembullin e konfliktit të paradokohshëm mes Shqipërisë dhe Greqisë, ku  sipas saj Tsipras humbi më shumë  popullaritet sesa nga djegiet e pyjeve në verë. Por edhe Kounalaki beson se marrëveshja do të ratifikohet.

Dhe ratifikimi i saj do të hapte vërtet një rrugë për fillimin e negociatave të Maqedonisë me BE-në, edhe pse, nuk do të thotë se me aq do të mbaronin detyrimet e Maqedonisë. Edhe këtu ka shumë për të bërë, reforma ligjore, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar, tha Thorsten Frei. Janë tema që i kërkojmë edhe nga Shqipëria

Por implementimi i marrëveshjes do të kishte një vlerë shumë të madhe për tërë rajonin, tha Hellbach: Ai do të vërtetonte se kompromiset janë të mundshme edhe në Ballkan.