1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

090911 G7 Rezession

9 Shtator 2011

Ministrat e financave dhe presidentët e bankave qendrore të shtatë vendeve më të industrializuara, zhvillojnë në Marsejë të Francës konsultimet për masat që duhet ndërmarrë për rimëkëmbjen ekonomike

https://p.dw.com/p/12W6w
Foto simbol e G7
Foto simbol e G7

Në parim të shtatë vendet më të industrializuara kanë të njëjtin qëllim: kthimin e besimit. Mnistri amerikan i Financave, Timothy Geithner shkruan në gazetën Financial Times: "Duhet bërë më shumë për të dëshmuar se qeveritë janë në gjendje të evitojnë një rënie të sërishme ekonomike."

Ministri amerikan nuk flet në këtë rast për vendin e vet, por për Evropën - ndonëse SHBA-ja ka humbur notën më të mirë të kreditimit. Në sektorin ekonomik duket se një marrëveshje transatlantike është shumë e domosdoshme dhe gjithnjë e më urgjente.

Pritet rënie ekonomike në Gjermani

Pier Carlo Padoan nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD)
Pier Carlo Padoan nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD)Fotografi: OECD / nc / nd

 Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, (OECD) ka paralajmëruar nga mundësia e rikthimit të recesionit në vendet më të zhvilluara. Pier Carlo Padoan tha se Gjermania mund të shënojë në tremujorin e katërt të këtij viti një rënie prej 1,4%. "Ajo që shohim ne është rënia e besimit në sektorin privat, në tregje dhe në sektorin e biznesit. Kjo për shkak të një politike të paqartë afatshkurtër dhe afatmesme."

Në Paris dhe Berlin këtë javë po mbahen këshillime për ndihmat e Greqisë dhe buxhetet e këtyre vendeve. Ministri francez i Financave, që do të jetë nikoqir i takimit të G7-s ,François Baroin tha: "Sa i përket rritjes ekonomike, të gjithë partnerët së bashku duhet të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhjet më të mira për të vazhduar zhvillimin, për të hapur vende të reja pune dhe për të kthyer borxhet."

Borxhet do të trajtohen edhe në një takim tjetër, kur të bëhet fjalë për rolin e bankave. Ministrat e financave të G7-s dhe presidentët e bankave qendrore duan të hartojnë një listë prej 28 bankave të rëndësishme për sistemin financiar. Në rast rrezikimi të këtyre bankave, do të përdoreshin të gjitha mjetet për t'i shpëtuar ato.

Europianët të pakënaqur me FMN

Wolfgang Schäuble, ministri i Financave të Gjermanisë
Wolfgang Schäuble, ministri i Financave të GjermanisëFotografi: dapd

 Një temë shumë e ndërlikuar është edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Evropianët nuk janë të kënaqur me kërkesën e FMN-së që kapitali i bankave evropiane të rritet në 200 miliardë. Minsitri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble tha në Bundestag: "Ne mendojmë se vlerësimet për domosdoshmërinë e kapitalit të ri të bankave evropiane janë të tepruara. Këtë do ta trajtojmë edhe në takimin e G7-s në Marsejë"

Ekspertët e OECD-së janë të mendimit se ministrat e G7-s duhet të dërgojnë mesazh se në rastin e problemeve do të reagojnë shumë shpejt dhe se do të kujdesen për buxhetet dhe reformat në vendin e tyre. Ata mendojnë se Gjermania mund të shërbejë si shembull i mirë për frenimin e borxheve dhe reformat e bëra në disa sektorë.

Autor: Johannes Duchrow/Bahri Cani

Redaktoi: Mimoza Kelmendi