Mbështetësit e Mursit përsëri në protestë
12 Korrik 2013Ithtarët e presidentit egjiptian të rrëzuar, Mohamed Mursi kanë bërë thirrje për këtë të premte për një "Marshim të miliona njerëzve" në kryeqytetin Kajro. Do të demonstrojmë gjatë deri sa Mursi të vendoset për sëri në postin e tij, thuhet nga radhët e Vëllazërisë myslimane islamike. Vëzhguesit frikësohen nga rreziku i mëtejshëm i trazirave të dhunshme mes simpatizantëve të Mursit dhe atyre që janë kundër tij. Kundërshtarët e Mursit akuzojnë atë se dështoi në përpjekjet për realizimin e programit të revolucionit që rrëzoi Mubarakun, ndërsa mbështetësit e tij e quajnë largimin nga posti “një grusht shteti”.
Qeveria amerikane kërkoi ndërkohë nga forcat ushtarake egjiptiane që ti japë fund arrestimeve të antarëve të Vëllazërisë myslimane - islamike. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon bëri thirrje për qetësi dhe kalim të situatës së vështirë nëpërmjet dialogut. Ndërsa një zedhënëse e Ministrisë së Jashtme në Uashinton tha se "paraburgime të tilla arbitrare nuk i shërbejnë synimit të ushtrisë dhe qeverisë së përkohshme për pajtimin kombëtar". Mes protestuesve qëndron ushtria dhe presidenti i përkohshëm i caktuar prej saj, Adyl Mansour. Mansour miratoi një kushtetutë të përkohshme për vendin, deri në momentin e mbajtjes së zgjedhjeve të reja vitin e ardhshëm. Pas rrëzimit të Mursit nga ushtria para një jave, në Egjipt është krijuar një situatë e rëndë. Nga një sulm me raketa në një pikë kalimtare kufitare në gadishullin Sinai u vra një polic.