Masat për sigurimin afatgjatë të euros - Samiti i vendeve të eurozonës në Bruksel
11 Mars 2011Shtetet e zonës së euros sipas kryeministrit të Luksemburgut Jean-Claude Juncker në samitin e së premtes (11.03.2011) duhet të marrin vendimet e para lidhur me fondin e shpëtimit të euros. Kjo paketë përfshin edhe kushtet e paketave ekzistuese të ndihmës për Irlandën dhe Greqinë, si dhe fondin e tanishëm dhe atë të ardhshëm për shpëtimin e euros. "Ne duhet që deri në fund të muajit të formulojmë një përgjigje përfundimtare, e cila të vlerësohet seriozisht nga tregjet", tha Juncker. Qeveria gjermane ka deklaruar se nuk do të vendosë në këtë samit për fondin e shpëtimit EFSF, ose për mekanizmin e krizës ESM. Portugalia, Franca dhe të tjera shtete në të kundërt insistojnë për një marrëveshje qysh në këtë samit mbi mekanizmin e ri të shpëtimit. Këto shtete druhen nga ashpërsimi i krizës në vendet e euros me borxhe të larta, në rast se debati shtyhet edhe dy javë, deri në samitin e ardhshëm të BE-së. Në samitin e 22 marsit vendet e euros ndër të tjera do të diskutojnë për fondin e shpëtimit të euros dhe për sanksione më të rrepta ndaj vendeve anëtare, të cilat nuk i përmbahen planit buxhetor. Vendimet duhet të merren deri në fund të marsit.
Papandreu: Kemi nevojë për vendime të forta evropiane
Kryeministri i Greqisë, Giorgos Papandreou, në vigjilje të takimit të vendeve të euros kërkoi të veprohet me vendosmëri, për garantimin e monedhës së përbashkët. "Ne kemi nevojë tani për vendime të forta evropiane për qetësimin e tregjeve", tha Papandreu të premten në Bruksel. Pavarësisht programit rigoroz të kursimeve qeveria greke vazhdon të jetë nën presion në tregun financiar.
Apeli i ekonomisë në adresë të samitit
Ekonomia gjermane dhe ajo franceze u kanë bërë thirrje kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të BE-së që të kujdesen për tregje financiare të stabilizuara dhe për një rritje të qëndrueshme ekonomike. Në këtë mënyrë mund të forcohet sërish besimi i qytetarëve në BE, theksohet në një deklaratë të përbashkët të Shoqatës gjermane të Industrisë BDI dhe shoqatës franceze të Sipërmarrësve dhe Industrisë Medef, sipas agjencisë së lajmeve DPA. Kjo deklaratë lëshohet në prag të samitit të posaçëm të BE-së, që nis punimet të premten (11.03.2011) në Bruksel. Presidentja e shoqatës franceze Medef Laurence Parisot dhe presidenti i BDI-së gjermane Hans-Peter Keitel kërkojnë, që "të forcohet rregullimi dhe mbikqyrja e tregjeve financiare", për të qenë më mirë të armatosur në përballimin e krizave në të ardhmen. "Bankat evropiane duhet t'i nënshtrohen një testi më rigoroz për të verifikuar aftësinë e tyre ndaj përballimit të krizave." Por rregullat e reja të përbashkëta për tregjet e financave duhet të aplikohen me kujdes, në mënyrë që të mos rrezikohet aksesi në treg për sipërmarrjet e mesme dhe të vogla. "Situata aktuale ekonomike dhe financiare në Evropë kërkon një veprim të menjëhershëm dhe gjithëpërfshirës", deklaruan Parisot dhe Keitel.
Bota arabe në fokus të samitit
Në kuadër të samitit shtesë të BE-së në Bruksel (11.03.2011) 17 vendet anëtare të zonës së euros krahas ndihmave financiare në mbështetje të vendeve të prekura nga kriza si Irlanda, Greqia, Portugalia dhe Spanja së shpejti mund të krijojnë edhe një fond ndihme për ripërtëritjen ekonomike të vendeve arabe si Egjipti, Tunizia e Libia.
Autor: V.Filaj-Ballvora (dpa, reuter)
Redaktoi: A.Verbica