Mbi 452 milionë fëmijë viktima të luftërave
4 Tetor 2022Lisa katërvjeçare ishte duke shkuar me të ëmën tek logopedja. Në një video që e ëma ka publikuar në Instagram, vajza e vogël shihet e gëzuar hipur në karrocën e fëmijëve. Por në Winnyzja të Ukrainës, ku ato ndodheshin ranë raketat. Lisa u godit për vdekje. Videot, që u shpërndanë në mënyrë virale, tregojnë karrocën e fëmijëve të Lisës, e cila ka mbetur bosh, trupin e saj pa jetë dhe një arush me lesh që ndodhet aty pranë. Trupat ruse e morën në mes të muajit korrik me luftë qytetin, që ndodhet në juglindje të Ukrainës,. Gjatë sulmit për të marrë Winnyzjan u vranë 23 vetë, mes tyre tre fëmijë.
"Lufta në Ukrainë është një kujtesë e hidhur për atë, se fëmijët janë ata që preken më shumë nga lufta dhe harrohen më shumë se janë "viktima lufte ", thotë Aurélie Lamazière për DW. Në një aktivitet organizuar në Berlin me diskutime për këtë temë, ajo përfaqëson "Save the Children", organizatën më të madhe të pavarur në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve.
Sipas të dhënave të OKB në luftën e Ukrainës janë vrarë të paktën 5.827 civilë. Mes tyre të paktën 375 fëmijë. Kurrkush nuk përgjigjet për aktet e tmerrshme të bëra kundër më të dobtëve mes të dobtëve. Edhe në rastin e fëmijëve të vrarë në Winnyzja puna nuk është ndryshe.
Fëmijët harrohen shpesh në proceset penale
Krimet e luftës që bëhen kundër fëmijëve shpesh nuk dokumentohen sa duhet, nuk ndiqen dhe nuk dënohen sa duhet. Kjo ka të bëjë me atë se "fëmijët nuk janë parashikuar në juridiksion" thotë avokatja Natalie von Wistinghausen. Dhe natyrisht, sallat e gjyqit nuk janë vende ku mund të ftohen fëmijët për të dhënë dëshmi, shton Wistinghausen.
Por faktikisht, thotë juristja, "ekziston e drejta, dhe ajo duhet vënë në jetë”.
Me këtë kihet parasysh për shembull parimi i juridiksionit universal. Sipas saj, e drejta penale kombëtare zbatohet edhe në rastet kur nuk ekziston lidhje specifike me vendin ku është kryer vepra penale. Sipas parimit të së drejtës universale, kriminelët e luftës për shembull mund të nxirren para gjyqit edhe në Gjermani.
Zyra Federale gjermane e Kriminalistikës mbledh të dhëna për krimet e luftës të ushtarëve të ushtrisë ruse në Ukrainë. Kështu janë marrë të dhëna për një numër treshifror rastesh, shpjegoi para pak kohësh presidenti i Zyrës së Kriminalistikës, Holger Münch. Nuk është e qartë nëse mes tyre ka edhe raste të krimeve të kryera kundër fëmijëve, dhe sa është numri i tyre.
Aurélie Lamazière nga Save the Children shpreson që kësaj here të dokumentohen mjaftueshëm rastet e dhunës kundër fëmijëve.
Sipas të dhënave të organizatës që ndihmon fëmijët, aktualisht rreth 452 milionë fëmijë jetojnë në zona lufte. Kjo shifër është gati dyfishi i asaj të 20 viteve më parë. Në rreth 30 vende ose territore ka luftë ose konflikte të armatosura. Krahas Ukrainës, Malit, Somalisë, Sirisë, Irakut dhe Jemenit, radhiten edhe Myanmari Lindor dhe Kashmiri. Rreth 27 milionë fëmijë nuk mund të shkojnë në shkollë për shkak të luftës. Përveç kësaj, rreth 250 mijë fëmijë në gjithë botën janë rektrutuar me detyrim nën moshën 18 vjeçare. Ata keqpërdoren si luftëtarë, spiunë, zbulues minash ose skllevër seksi.
Gjermania "kampione" në juridiksionin ndërkombëtar
Ka qenë dënimi i parë në gjithë botën, dhënë për një rast të tillë në një gjykatë gjermane. Në qendër të procesit është një fëmijë. Reda pesëvjeçare, që është mbajtur si skllave së bashku me të ëmën në Falluxha të Irakit të Veriut. Si e ëma dhe e bija janë nga pakica kombëtare e jesidëve. Të dyja ato u morrën zvarrë nga milicia terroriste e shtetit islamik (IS), u ketrajtuan dhe u mbajtën si skllave në shtëpinë e një anëtari të IS dhe gruas së tij gjermane. Reda i shqetësonte kur bëheshin punët e shtëpisë. Kur një ditë të nxehtë gushti të vitit 2015, ajo e bëri në krevat, u morr nga familja e terroristit dhe si dënim u lidh të qëndronte nën diellin përvëlues.
Reda nuk u mbijetoi torturave. Por torturuesit u vunë në bankën e të akuzuarit – falë principit të së drejtës universale që përmban Kodi penal ndërkombëtar. Dënimi është i përjetshëm për luftëtarin irakian të IS dhe dhjetë vjet burgim për të shoqen gjermane, që ishte bashkuar me IS. Procesi bëri zhurmë në botë, sepse krimi nuk ishte bërë në Gjermani dhe as dorasit as viktima nuk ishin gjermanë. Dënimi i dhënë në Gjykatën e Landit në Franfkurt në nëntor 2021, u dha për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
"Gjermania tregoi se e drejta fiton. Ky vend është kampion për këtë gjë,” thotë Aurélie Lamazière. Gjermania ka marrë shumë lëvdata. Ato thonë se ky vend i merr seriozisht të drejtat e fëmijëve dhe se ka vënë për herë të parë në jetë principin e të drejtës universale.
Luise von Amtsberg i dëgjon këto gjëra me shumë vëmendje. Politikania e partisë Aleanca 90/Të gjelbërit është ngarkuar nga qeveria federale gjermane të merret me të drejtat e njeriut. "Po, ne duhet të bëjmë më shumë", thotë ajo menjëherë sa merr fjalën e hapjes së takimit. "Për këtë na duhen më shumë para dhe bashkëpunim më i ngushtë me organizatat joqeveritare”. Qeveria gjermane do që të fuqizojë të drejtat e gëmijëve, thotë Amtsberg. Këtu bën pjesë edhe kujdesi më i madh psikologjik dhe mjekësor, kur fëmijët kthehen në viktima të dhunës së luftës.
Lufta në Ukrainë duhet marrë si "shanc"?
Tingëllon pak absurde, thotë Aurélie Lamazière për Deutsche Wellen, por "mbase lufta e Rusisë në Ukrainë është shanc për të vendosur më shumë drejtësi në krimet e luftës të bëra ndaj fëmijëve.” E gjithë bota i ka kthyer sytë nga ky konflikt. Dhe asnjëherë më parë krimet e mundshme të luftës nuk janë dokumentuar nga kaq shumë organizata ndërkombëtare sa tani. "Ukraina mund të kthehet në rast prove për krimet e luftës të kryera ndaj fëmijëve.”