Mbi 98 viktima nga tërmeti në Indonezi
6 Gusht 2018Numri i të vdekurve pas tërmetit pasues në Lombok ka mbërritur në mbi 98 vetë. Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i Autoritetit Kombëtar të Mbrojtjes nga Katastrofat: "Ky është informacioni paraprak. Ne parashikojmë që numri i viktimave të jetë edhe më i lartë." Ndërkohë pushuesit në ishullin turistik duan tani të largohen sa më parë. Në aeroportin e qytetit Mataram janë krijuar radhë të gjata. Ndër të vdekurit deri tani nuk ka turistë, vuri në dukje Autoriteti i Mbrojtjes nga Katastrofat. Disa shoqëri ajrore kanë shtuar numrin e fluturimeve për t'u mundësuar turistëve largimin. Rreth 1000 turistë janë evakuuar nga Lomboku për në vende të sigurta me anije nga tre ishujt në veri-lindje.
Qindra vetë janë plagosur, njoftoi më tej zëdhënësi. Tërmeti të dielën (05.08)në mbrëmje goditi me forcën 6,9 ballë me epiqendër rreth 18km në veri-lindje të Lombokut. Goditja qendrore u pasua nga lëkundje pasuese, në shumë zona u ndërpre energjia elektrike. Tërmeti u ndje edhe në Bali. Ndër banorët dhe turistët e ishullit fqinj u përhap paniku. Në kryeqytetin e Balit prej tronditjeve gjetën vdekjen dy vetë.
Lombok u trondit para një jave nga një tërmet, prej nga gjetën vdekjen 16 vetë e mbi 350 të tjerë u plagosën.
Po ashtu ka edhe mjaft dëme materiale. Një zëdhënës i Autoritetit të Mbrojtjes nga Katastrofat tha, se në qendrën e Lombokut Mataram janë dëmtuar një sërë godinash. Shumica e shtëpive, sipas tij, kanë qenë ndërtuar me material jo rezistent. Presidenti i Indonezisë Joko Widodo deklaroi ndihma financiare zhdëmitimi për banorët, shtëpitë e të cilëve janë shkatërruar nga tërmeti, sikurse njofton Agjencia e Lajmeve Antara News.
Indonezia ndodhet në rrethin e zjarrit të Oqeanit Paqesor
dhe është ndër zonat më aktive gjeologjike të globit. Vazhdimisht atje ka tërmete e shpërthejnë vullkane.
sti/nob/wo/sam (dpa, afp, rtr)