"Mbrojini fëmijët, jo armët" në SHBA
13 Qershor 2022Sipas organizatorëve, rreth 40.000 njerëz morën pjesë në "March for Our Lives" ("Marshimi për jetët tona") në Uashington, ku u zhvillua tubimi qendror për shtrëngimin e ligjeve për armët në SHBA. Shumë prej tyre mbanin parulla ku shkruante: "Mbroni fëmijët, jo armët" ose "Mendimet dhe lutjet nuk mjaftojnë". Protesta pati edhe në një sërë qytetesh të tjera në Shtetet e Bashkuara.
Arsyeja më e fundit për demonstratat ishte masakra në një shkollë fillore në qytetin e vogël Uvalde të Teksasit muajin e kaluar. Aty një 18-vjeçar ka qëlluar me armë zjarri 19 fëmijë dhe dy mësues. "Marshimi i parë për jetët tona” erdhi në vitin 2018 pas masakrës në një shkollë të mesme në Parkland (Florida). Atje, një person i armatosur 19-vjeçar vrau 14 adoleshentë dhe tre të rritur.
Manuel Oliver, i cili humbi djalin e tij në Parkland në atë kohë, foli edhe në mitingun në Uashington. Oliver u bëri thirrje studentëve që të qëndrojnë larg mësimit për të rritur presionin ndaj politikanëve. "Ne po bëjmë thirrje për një grevë mbarëkombëtare të nxënësve amerikanë në të gjitha nivelet e arsimit”, tha ai. Oliver i kërkoi presidentit amerikan Joe Biden të krijojë një Zyrë në Shtëpinë e Bardhë për Parandalimin e Dhunës me Armë.
"Mos nga zhgënjeni përsëri"
Biden u zotua për mbështetjen e protestuesve. Në kornizat e një vizite në Los Anxhelos, ai bëri thirrje që ligjet më të rrepta për armët të jenë një kriter vendimtar për votuesit në zgjedhjet e ardhshme në këtë vend. Në Twitter, Biden u bëri thirrje përsëri parlamentarëve që të miratojnë rregulla më të rrepta dhe të ndalojnë mbajtjen e pushkëve. "Ne nuk duhet ta zhgënjejmë prapë popullin amerikan."
Shtrëngimi i ligjeve për armët në SHBA ka dështuar në të kaluarën për shkak të kundërshtimit të republikanëve në Kongres. Demokratët e Bidenit kanë mandate të mjaftueshme për të kaluar një projektligj në Dhomën e Përfaqësuesve. Por në Senat, demokratët dhe republikanët kanë secili nga 50 vende. Miratimi i një ligji kërkon votat e 60 senatorëve - që do të thotë se çdo ligj ka nevojë për mbështetje dypartiake.
bc/wa/ack (dpa, afp, rtr)