Mbrojtja e fëmijëve në botën digjitale
3 Tetor 2017Një ndër pesë të fëmijë ose adoleshent nën 18 vjeç në Evropë është ngacmuar ose shpërdoruar seksualisht. Ndër ta bën pjesë një numër në rritje të rinjsh të shpërdoruar on-line përmes publikimit të fotografive të tyre apo të detyruar të kryejnë marrëdhënie seksuale përpara kamerave. Në të gjithë botën po përhapen fenomeni "sexting" që do të thotë që të rinjtë apo fëmijët i dërgojnë njëri-tjetrit përmes rrjeteve sociale mesazhe me ngjyrim seksual, pa qenë të vetëdijshëm për rrezikun se kjo është jashtë kontrollit të tyre, thotë në intervistë me DW Hans Zollner.
Në Universitetin Papal Gregoriana në Romë mblidhen në një kongres me temën "Child Dignity in the Digital World" ekspertë, përfaqësues të qeverive dhe të organizatave ndërkombëtare si Unicefi, OJQ të ndryshme dhe firma interneti për të diskutuar për këto fenomene. Aty pritet të përpilohen disa pika orientimi për të ardhmen se si fëmijët dhe të rinjtë mund të rriten në një botë të sigurt digjitale.
Boshllëqe ligjore
Hans Zollner thotë se firmat e mëdha si Facebook, Google apo Twitter kanë rregullat e tyre, por këto rregulla kanë boshllëqe. P.sh. qeveritë e shteteve të veçanta nuk mund ta detyrojnë Facebook-un për të ndjekur një ligj të caktuar apo për t'u përgjigjur para ligjit për një vepër të caktuar, në rast se serveri gjendet në një shtet tjetër. Prandaj në këtë kongres do të jetë i rëndësishëm dialogu mes qeverive dhe koncerneve.
Presion moral dhe ligjor
Në kongres do të marrë pjesë edhe Papa dhe shpresa është e madhe se përmes presionit moral dhe ligjor do të arrihet që të përcaktohen direktiva ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve në internet. Në SHBA, Britaninë e Madhe, Zvicër apo Gjermani legjislacioni është mjaft i mirë dhe edhe mbrojtja e fëmijëve po ashtu. Dhe nisma dhe programe nga këto vende mund të aplikohen edhe në vende të tjera, thotë Zollner.
Në kongres do të marrin pjesë edhe të rinj të brezit "digital natives" nga e gjithë bota për të treguar për përvojat e tyre me internetin. Zoller shpreson se ky kongres nuk do të mbetet një event i vetëm, por do të zhvillohet edhe më tej.
Hans Zollner drejton Institutin për Psikologji në Universitetin Papal Gregoriana në Romë. Jezuiti është teolog dhe psikolog. Prej vitit 2014 ai është anëtar u Komisionit Papal për Mbrojtjen e të Miturve.