McAllister: Qeveria e Kosovës ta pezullojë taksën
2 Mars 2019Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, së bashku me një grup eurodeputetësh që po qëndrojnë në Kosovë, i bëri thirrje qeverisë së Kosovës që ta pezullojë taksën ndaj produkteve të Serbisë, në mënyrë që dialogu në Bruksel të vazhdojë. McAllister dhe grupi i eurodeputetëve po viziton Kosovën pas një vizite që realizuan këtë javë në Beograd.
Pas disa takimeve që zhvilloi me udhëheqësit politikë kosovarë, McAllister, tha se taksa e Prishtinës për produktet e Serbisë dhe Bosnjes e Hercegovinës, është shkelje e marrëveshjes së stabilizim-asocimit. "Sipas pikëpamjes sonë, pezullimi i tarifës do të jetë rruga drejt suksesit. Ne kemi qenë shumë të qartë lidhur me këtë dhe kemi përsëritur mesazhin në këto dy ditë të qëndrimit në Prishtinë dhe për më shumë, mes arsyeve tjera kjo është një shkelje e Marrëveshjes së CEFTA-s dhe po ashtu është shkelje e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA). Prandaj, ne nuk besojmë se ky është vendimi i duhur dhe vendimi i drejtë”, tha McAllister.
E pranueshme marrëveshja, nëse palët janë në ujdi
Ndërkohë që qeveria e Kosovës nuk dëshiron ta ndërlidhë taksën me dialogun, Beogradi zyrtar kërkon heqjen e taksës nga Prishtina. Pa të nuk mund të vazhdojë dialogu, thuhet në Beograd. Në këtë mes, në deklarimet publike të politikanëve në Kosovë e Serbi, rreth dialogut është folur shumë edhe për kufirin Kosovë-Serbi dhe mundësinë e "ndryshimit apo korrigjimit” të tyre. Lidhur me këtë kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, tha se qëndrimi i Bashkimit Evropian dhe i tij personal është që për "do të ishte e pranueshme një marrëveshje që bien dakord të dyja palët”, Kosova dhe Serbia.
"Lidhur me debatin për mundësinë e shkëmbimit të territoreve, korrigjimin e kufirit, përfshirë dhe shkëmbimin e territoreve, Parlamenti Evropian nënvizon natyrën multietnike të Kosovës dhe Serbisë dhe kjo gjendje multientike nuk duhet të hidhet poshtë dhe ajo duhet të mbrohet. Parlamenti Evropian konsideron se kjo marrëveshje..[...] (fjala është për shkëmbimin e territoreve, shën. red.) do të jetë e pranueshme vetëm nëse për këtë ka pajtim të dyanshëm, duke marrë parasysh stabilitetin në tërësi në rajon dhe të drejtën ndërkombëtare. Ky është pozicioni i Bashkimit Evropian dhe i imi. Ndërsa, kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel, ka një opinion paksa më ndryshe”, tha David McAllister.
Mungesë uniteti politik në Kosovë
Qëndrimet e kundërta rreth taksës ndaj prodhimeve të Serbisë, këshillave amerikane dhe qasja e Kosovës për dialogun janë shkallëzuar me deklarime publike ndërmjet Presidentit dhe kryeministrit Ramush Haradinaj. Ky i fundit i bëri thirrje sot presidentit Hashim Thaçi, që siç u shpreh Haradinaj, "Thaçi të mos "mashtrojë” Kosovën me idenë për korrigjim të lehtë të kufirit me Serbinë”. "Vija kufitare me Serbinë, nëse do të jetë korrigjim i lehtë, mundet të mos jetë aq i lehtë. I bëj thirrje presidentit Hashim Thaçi që të mos mendojë se mund ta mashtrojë më Kosovën, as me korrigjim të lehtë. Shënjimi i kufirit mes dy shteteve është proces që vjen pas njohjes së ndërsjellë. Kufiri i Kosovës ekziston, policia jonë e patrullon atë kufi. Pra, nuk ka korrigjim, e në emër të korrigjimit të na e luajnë lojën, siç na e kanë luajtur lojën me demarkacionin me Malin e Zi”, tha kryeministri Ramush Haradinaj. Ai tha se "Kosova do të ruajë kufijtë ekzistues të shtetit të shpallur me 17 shkurt'. "Ju siguroj se nuk ka kush që i prek, nuk mundet askush t'i prekë kufijtë e Kosovës”, tha Haradinaj, gjatë një tubimi në vendlindjen e tij në Deçan.
E nga ana tjetër Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi shprehet, se "Kosova nuk do të lejojë shkëmbim të territoreve”, sepse sipas tij "ky është pazar i keq”. "Nga letra e Presidentit Trump dhe letra mbështetëse e Joe Biden mund të kuptojmë një gjë, Amerika qëndron unike përkrah Kosovës. Çështja e dialogut Kosovë-Serbi për marrëveshje paqësore dhe njohje reciproke nuk është vetëm përkrahje e administratës aktuale të Trump por edhe e miqve të tjerë të Kosovës. Është mbështetje edhe nga presidenti George Bush që ka thënë se dialogu është alternativë e vetme, jo konfliktet e tragjeditë”, tha Presidenti Hashim Thaçi, gjatë një vizite në Prizren.
Skena politike kosovare nuk duket se do të flasë me një zë sa i përket taksës ndaj Serbisë dhe qasjes së dialogut. E nga ana tjetër, Serbia thotë se nuk rifillon dialog me Kosovën, pa heqjen e taksës. Sipas një komunikate të ditës së mërkurë nga zyra e Presidentit Vuçiq, thuhet se ky i fundit "pret nga bashkësia ndërkombëtare që të mos heshtë ndaj faktit se përfaqësuesit e Kosovës nuk e kanë zbatuar Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe se kanë vendosur taksa anticivilizuese ndaj mallrave nga Serbia. Më 21 nëntor të vitit të shkuar qeveria e Kosovës vendosi tarifë shtesë 100% ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, për shkak të siç thotë kryeministri Ramush Haradinaj, ”agresionin politik dhe diplomatik të Serbisë ndaj Kosovës”. Përfaqësues të institucioneve në Bruksel të BE-së dhe SHBA-së vazhdojnë të kërkojnë nga qeveria e Kosovës që ta heq taksën ndaj mallrave serbe dhe t'i hapet rruga dialogut Kosovë-serbi për një marrëveshje finale ligjërisht obliguese për të dyja vendet.