1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Me hua kundër krizave të refugjatëve?

Nicolas Martin14 Tetor 2015

Kohë të reja kërkojnë masa të reja - këtë e mendon ndërkohë edhe Banka Botërore. Një instrument nga ekonomia shpresohet të sjellë para të reja dhe ta përmirësojë situatën në shumë vende.

https://p.dw.com/p/1GnVI
Mbledhja ne Lima
Fotografi: Reuters/S. Jaffe/IMF

Më shumë se 60 milionë vetë janë aktualisht në botë refugjatë të varfërisë, luftërave dhe dëbimeve. Përballë këtyre shifrave, kjo temë është ngjitur edhe në agjendën e elitave financiare. Kështu, shefi i Bankës Botërore, Jim Yong Kim foli për "krizën më të madhe të të dëbuarve që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore", duke shtuar "që të vazhdohet edhe më tej kështu, ky nuk është më opsion."

Në kuadër të takimit vjetor të Fondit Monetar Ndërkombëtar u mblodhën nëpunës të lartë qeveritarë, për të diskutuar për krizat e përbotshme të refugjatëve. " Ne kemi te ne 1,7 milionë refugjatë, në një kohë kur popullsia jonë është katër milionë banorë", tha drejtori i përgjithshëm i Ministrisë libaneze të Financave, Alain Bifani. "Kjo është pak a shumë sikur e gjithë popullsia e Meksikës të shpërngulej në SHBA dhe të banonte atje."

Vende si Libani, Turqia ose Iraku janë të varura deri tani para së gjithash nga ndihma e OKB-së. Por edhe në shtator të këtij viti, Organizata e OKB-së për Refugjatët (UNHCR) u ankua që në shumë vende nuk mjaftojnë më paratë për furnizimin e refugjatëve. Në lidhje me Libanin, Alain Bifani tha: "Po nuk patën refugjatët një ndihmë më të mirë në vend, ata shkojnë diku tjetër."

Ndërkohë, kriza e refugjatëve ka arritur edhe te kryeqytetet evropiane. Në fund të shtatorit reaguan edhe shtetet e G-7-ës. Nën moton "të luftohen shkaqet e varfërisë" shtatë vendet kryesore të industrializuara premtuan se do të vënë në dispozicion rreth 1,8 miliardë Euro shtesë.

Prandaj edhe Banka Botërore reagoi dhe prezantoi në fundjavë së bashku me OKB-në planet e para. Në bazë të tyre, ajo synon të përdorë forma të reja financimi, për të mbledhur shumë më tepër kapital për përmirësimin e situatës së refugjatëve.

Strategjia bazohet në dy shtylla: nga njëra anë, vendet e industrializura duhet të vënë në dispozicion ndihma direkte, që ndihmojnë veçanërisht shumë njerëz. Nga ana tjetër - dhe kjo është premisa e re. vendet e industrializuara duhet të japin garanci. Këto garanci kthehen pastaj nga Banka Botërore dhe nga Banka Islamike e Zhvillimit në hua të veçanta.

Paratë e mbledhura në këtë mënyrë do të shkojnë në rajonet e krizës. Në këto hua të quajtura tashmë "hua refugjatësh" thuhet se bëjnë pjesë edhe produkte financiare, të cilat respektojnë të drejtën islame - pra që nuk sjellin përqindje direkte.

Plani global

Deri në shkurt 2016 një grup pune do të punojë për këto propozime. Deri tani duket se paratë e huave do të lidhen me projekte të caktuara për rindërtimin dhe për përmirësimin e kushteve të jetesës të refugjatëve.

Por megjithatë është e paqartë se kush do të ketë të drejtë t'i emetojë dhe t'i blejë këto hua. Benjamin Shraven, studiues i migrimit në Qendrën Gjermane për Politikën e Zhvillimit (DIE), idetë e Limas janë para së gjithash një sinjal se çështja e refugjatëve po vështrohet gjithnjë e më shumë në plan global. "Me shumë vullnet mund të dallosh premisa të para të një mënyrë të menduari, e cila ecën në në drejtim të një plani Marshall për krizën e refugjatëve". Por ai thotë se ende është shumë herët për të gjykuar përfundimisht këtë. Më parë propozimet duhet të marrin formë më konkrete.